Shtojca për Kulturë

“In Between” ndal kohën në Stacionin e Autobusëve dhe në Munih

Hapësira pranë sporteleve 7 deri 12 në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë është kthyer në skenë. Performuesja dhe performuesi kanë qëndruar në skajet e së njëjtës vijë, teksa muzika e butë e një sinti krijon pulsin që e mban publikun të heshtur

Hapësira pranë sporteleve 7 deri 12 në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë është kthyer në skenë. Performuesja dhe performuesi kanë qëndruar në skajet e së njëjtës vijë, teksa muzika e butë e një sinti krijon pulsin që e mban publikun të heshtur

Konceptuar si tregim paralel mes dy qyteteve që rrallë përfliten bashkë, por që ruajnë brenda vetes ato hapësira të padukshme që nuk gjenden në asnjë guidë, “In Between” ka ndalur kohën në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, përderisa një autobus në Munih ka bartur pjesën tjetër të rrëfimit. Kjo hapësirë “në mes”, siç e kanë quajtur organizatorët, ka treguar se qyteti nuk përbëhet vetëm prej monumenteve, por prej të çarave që mbesin ndër vite. Prej vendeve ku njerëzit ndalen për pak, edhe kur janë në lëvizje

Skenë e ndërtuar në pritje. Karriget plastike të Stacionit të Autobusëve, zërat e shpërndarë nëpër sportele, ecjet që nuk ndalen. Prej kësaj lëvizjeje të përditshme, është ngritur një hapësirë e re, e përkohshme, që ka marrë emrin “In Between”. Një hapësirë që, për dy orë të së premtes mbrëma, ka mbledhur artin, kalimtarët dhe udhëtarët nën të njëjtën çati. E në të njëjtën kohë, në Munich, një autobus në lëvizje ka bartur pjesën tjetër të këtij rrëfimi të dyfishtë.

“In Between” është konceptuar si tregim paralel mes dy qyteteve që rrallë përfliten bashkë, por që ruajnë brenda vetes ato hapësira të padukshme që nuk gjenden në asnjë guidë. Pikërisht aty e kanë gjetur pikënisjen “StoryLab” nga Kosova dhe “Dazwischen” nga Gjermania, në atë që nuk duket, në çarjen mes të njohurës dhe të panjohurës.

Hapësira pranë sporteleve 7 deri 12 është kthyer në skenë. Performuesja dhe performuesi kanë qëndruar në skajet e së njëjtës vijë, teksa muzika e butë e një sinti krijon pulsin që e mban publikun të heshtur. Njerëzit që presin autobusët hapin rrugë, ndërsa të tjerët ulen përballë, si të ftuar të rastit në një teatër që ngrihet aty ku nuk pritet.

Artrit Bytyçi nga “StoryLab” ka treguar se me “Dazwischen” kanë qenë në bashkëpunim për një vit dhe se ideja ka ardhur pas një periudhe të gjatë kërkimi.

“Për një kohë goxha të gjatë kemi qenë duke menduar se çka kishim mundur të bëjmë që ta tregojmë storien mes Prishtinës dhe Munihut. I kemi pasur disa ide të ndryshme, por kemi vendosur që më së miri është të tregojmë diçka në mënyrë indirekte dhe pastaj gjithkush mund t’ia japë kuptimin e vet asaj. Kështu, menduam të eksplorojmë një hapësirë në mes domethënë, ashtu ia kemi qitur edhe emrin ‘In between/Në mes/Dazwischen’ në mes të Prishtinës dhe Munihut”, ka thënë ai.

Performanca e parë ka qenë një lloj shfaqjeje, e shkurtër por thelbësore, krijuar nga Valdrin Thaqi dhe Svenja Schafer. Dialog i thekshëm mes dy personazheve, interpretuar nga Klara Grapci-Germizaj dhe Art Pasha. Gjithçka fillon kur Viola Rrecaj që luan me tastet e sintit, këndon lehtë dhe e thotë një fjali në fund. Si për ta kundërshtuar atë që tha ajo, Art Pasha bërtet, ulur mbi ulëset e atij amfiteatri që është formuar brenda hapësirave të Stacionit të Autobusëve. Njerëzit përreth çuditen. Aty nis dialogu me personazhin tjetër, që prej fillimit të performancës duket sikur një kalimtare e rastit, që po pret një biletë udhëtimi.

Në një cep tjetër të sallës, aroma e brumit, e erëzave dhe e çokollatës ka krijuar një shenjë tjetër të “mesit”. Rebeca Werkmann ka ofruar një lloj tregimi që nuk rrëfehet me fjalë, por me shije

Ajo e ka përshkruar ndjesinë e përfshirjes në këtë hapësirë të përditshme.

“Ishte një eksperiencë e mrekullueshme. Kemi bërë një shfaqje bashkë vitin e kaluar në hotelin ‘Grand’ dhe ishte një përvojë e lezetshme të bëjmë sërish diçka tërësisht ndryshe, për dashurinë nëse mund të them dhe diçka e ëmbël po ashtu. Ishte poetike. Edhe vitin e kaluar patëm bërë shumë poezi, është nostalgjike, pak më e ndjeshme”, ka thënë Klara Grapci-Germizaj.

Ka shtuar se vendi ka sjellë edhe një lloj rikthimi personal.

“Ta bëjmë këtu në një stacion autobusi, me pëllumbat e me krejt kalimtarët, ishte vërtet e lezetshme dhe e ka bërë të duket shumë reale. Stacioni i Autobusëve është një pjesë thelbësore e qytetit dhe më lë shumë përshtypje se si nuk ka ndryshuar prej kur kam qenë fëmijë”, ka shtuar ajo.

Në këtë realitet të përzier, performanca ka funksionuar si një gurrë e vogël, hijet e njerëzve kanë luajtur mbi dysheme, ndërsa ritmi i zërave të sporteleve ka tentuar të bëhet pjesë e kompozimit. Në kafenetë e katit të sipërm, njerëzit kanë shikuar me çudi përmes xhamave atë që ka ndodhur poshtë, duke qeshur e duke reflektuar, teksa dëgjonin me vëmendje.

Në një cep tjetër të sallës, aroma e brumit, e erëzave dhe e çokollatës ka krijuar një shenjë tjetër të “mesit”. Rebeca Werkmann ka ofruar një lloj tregimi që nuk rrëfehet me fjalë, por me shije. Teksa njerëzit i afrohen tavolinës, shtigjet e lëvizjes së Stacionit kthehen në radhë të qeta, ku udhëtarët e publiku ndajnë të njëjtën pjatë.

Kjo pjesë ka sjellë një atmosferë pothuaj familjare, një çast pushimi në një vend që zakonisht bart nguti e nxitim. E pikërisht këtu ka dalë edhe kuptimi i titullit: mes dy nisjeve, mes dy qyteteve, mes dy kulturave, ekziston një copë kohe ku njerëzit lënë pak rrugën mënjanë. Janë shërbyer ushqime të dy kulturave. “Bretzel” gjermane është lyer me ajvarin shqiptar, duke krijuar kontrastin. Në gota letre është shërbyer “sauerkraut”. Werkmann, teksa e shërbente atë për njerëzit që afroheshin, u thoshte me theks gjerman “Është rasoj!” Për ta ëmbëlsuar eksperiencën, janë shërbyer edhe toptha tortash, në të cilat kakaoja e përziente shijen e biskotave të bluara.

Pjesa e tretë e mbrëmjes ka ardhur nga “Futur Studio”, me një instalacion interaktiv të krijuar nga Endrit Jashanica, që i ka ftuar njerëzit t’i zgjasin duart drejt një ekrani. Grimcat e shndritshme kanë lëvizur sipas gjesteve të tyre, duke krijuar një gjuhë tjetër të komunikimit, një gjuhë mes trupit dhe pikseleve, mes të dukshmes dhe asaj që vetëm algoritmet e ndiejnë. Gjysma e djathtë e ekranit që është vendosur në dalje të Stacionit, ka reflektuar lëvizjet e njerëzve që kanë kaluar andejpari. Gjysma tjetër ka qenë pasqyrë e lëvizjeve njerëzore në Munih. Një garë e tipit të vet për të provuar se kush i shtyn më shumë thërrimet drejt njëri-tjetrit.

Pjesa e tretë e mbrëmjes ka ardhur nga “Futur Studio”, me një instalacion interaktiv të krijuar nga Endrit Jashanica, që i ka ftuar njerëzit t’i zgjasin duart drejt një ekrani

Në këtë pikë, Stacioni i Autobusëve është shndërruar në një hapësirë meskohore: në njërën anë pritjet fizike të udhëve të përditshme, në tjetrën shkëlqimi abstrakt i një bote tjetër.

Koncepti i ngjarjes ka qenë i ndërtuar që nga fillimi si ngjarje binjake.

“Kemi krijuar konceptin për dy ekspozita që ndodhin në të njëjtën kohë, ose dy evenimente kulturore që ndodhin në të njëjtën kohë. Me një fjalë e kemi bërë njëfarë evenimenti kulturor që shtrihet në hapësirë edhe në kohë. Ndodh në të njëjtën kohë në Prishtinë dhe në Munih për dy ditë me radhë”, ka shpjeguar Artrit Bytyçi.

Ka shtuar se bashkëpunimi me “Dazwischen” ka mundësuar që secila palë të sjellë forcën e vet krijuese.

“’Dazwischen’ e kanë ekspertizën në teatër, në letërsi e në muzikë, kurse ne si ‘StoryLab’ jemi si një lloj laboratori i rrëfimtarisë, bëjmë eksperimente të ndryshme me rrëfimtari. Ndoshta e kemi pak si më të fortë pjesën e artit konceptual, kështu që në vend se ta bëjmë një send të njëjtë, pse të mos i bëjmë dy sende të ndryshme dhe gjithkush të luajë me atë që është më i forti, më i miri e më i shkathëti”, ka thënë ai.

Pikërisht prej kësaj qasjeje, performanca në Prishtinë dhe ajo në Munih nuk janë pasqyra, por dy shtresa të së njëjtës ide, të ndërtuara në dy mënyra të ndryshme. Mbrëmja ka sjellë një lloj qetësie të pazakonshme në Stacion. Të pranishmit kanë kaluar nga performanca te shija, prej shijes tek instalacioni, prej instalacionit te pritjet e tyre, duke parë se sa lehtë arti futet në vendet ku zakonisht nuk kërkohet.

Kjo hapësirë “në mes”, siç e kanë quajtur organizatorët, ka treguar se qyteti nuk përbëhet vetëm prej monumenteve, por prej të çarave që mbesin ndër vite. Prej vendeve ku njerëzit ndalen për pak, edhe kur janë në lëvizje.