“Pyetja pa përgjigje” e Ives ka qenë titulli i veprës me të cilën e ka hapur mbrëmjen, por Filharmonia e Kosovës në koncertin e parë për sivjet u ka dhënë përgjigje të fuqishme veprave të repertorit botëror sikurse edhe ndërthurjes me trashëgiminë muzikore shqiptare. Poema simfonike “Skënderbeu” e Fahri Beqirit ka qenë homazhi për të në 90-vjetorin e lindjes. Qasja e dirigjentit italian Marco Crispo në këtë vepër ka qenë risia e veprës ikonike të kompozitorit. E kapitull unik ka qenë performanca e solistes franceze Iris Daveiro në flaut me “Koncertin për flaut dhe orkestër” të Jacques Ibert. Koncerti ka kulmuar me “Zogun e zjarrit” të Stravinskyt
Muzika klasike botërore mbetet përherë gjuhë universale që kapërcen kufij gjeografikë, kulturorë e gjuhësorë. Në universalitetin e saj, ajo shqiptare ka zënë vend të veçantë në koncertet e Filharmonisë së Kosovës. Të premten mbrëma institucioni shtetëror i muzikës ka nisur vitin me program të pasur. Midis veprave të Debussy, Stravinsky dhe jo vetëm, poema simfonike “Skënderbeu” ka qenë homazh për kompozitorin e shquar, Fahri Beqiri.
Ky ka qenë rrëfimi i parë i Filharmonisë së Kosovë për sivjet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Në sallën plot dëshmohet besnikëria e admirimi i publikut për muzikën klasike. Por edhe disiplina, ndonëse në kushte si në ato ku mbahen koncertet e Filharmonisë, zhurmat janë vështirë të evitueshme.
Koncerti ka nisur me veprën “The Unanswered Question” (Pyetje pa përgjigje) nga kompozitori amerikan Charles Ives. Sfondi instrumental i lehtë i harkorëve e nis veprën gjersa shkon duke u frustruar kjo natyrë. Grupe instrumentesh performojnë tempe të pavarura dhe kësisoj edhe janë të vendosura. Veçmas harkorët.
Poema simfonike “Prélude à l’après-midi d’un faune” (Preludi i pasdites së një fauni) nga francezi Claude Debussy vjen me një solo hapëse të flautit me një zbritje e më pas me ngritje. Zhvillimi i ngadaltë i temës është në qendër duke kaluar në lojë solo të oboas e sërish në flautin solo. Më pas, dy flautet janë në unison duke u bashkuar edhe klarineta, gjersa shoqërohen nga instrumentet me tela.
“Koncert për flaut dhe orkestër” nga Jacques Ibert kryesisht nxjerr në pah shkathtësitë e solistit. Pas “Allegros”, “Andante” vjen si melankolike dhe e butë ndërsa "Allegro scherzando" e shpejtë dhe tejet virtuoze. Në përgjithësi, vepra ka nxjerrë në pah natyrën elegjiake të instrumentit.
E ka konsideruar moment paqeje interpretimin e saj duke iu referuar tematikës muzikore.
“Kompozitori e shkroi veprën menjëherë pas vdekjes së babait të tij, kështu që ishte moment emocionues në jetën e tij. Ai ia doli të shkruajë diçka kaq të bukur prandaj mendoj se kjo është forca e të shkruarit të këtij koncerti. Sa herë e interpretoj, e jetoj atë”, është shprehur ajo.
Ka bërë me dije se kjo është hera e tretë që e ka luajtur veprën. Paraprakisht me orkestrën filharmonike të Malit të Zi. Gjatë performancës së saj shpesh sodiste publikun. E ka konsideruar moment të bukur teksa, siç ka thënë, ka parë fytyra që buzëqeshnin derisa ajo luante.

Ndërkohë ka thënë se ka kaluar kohë të mirë në Prishtinën që e ka vizituar për herë të parë duke shprehur dëshirë të kthehet.
“Kalova kohë shumë të mirë me njerëzit këtu. Të gjithë anëtarët e Orkestrës ishin shumë pozitivë, mendjehapur. Për dikë që vjen nga larg, është shumë me rëndësi të mirëpritet dhe më vjen mirë që u ndjeva kështu. Shpresoj që të vij prapë dhe të qëndroj më gjatë. Pas gjithë projekteve në Paris, mund të qëndroja vetëm për dy ditë. Por vërtet më pëlqeu ajo çfarë pashë dhe do të doja të kthehesha”, është shprehur Iris Daveiro, flautiste e parë e Orkestrës së Operës së Parisit prej janarit të vitit 2023-tës. U trajnua si muzikante orkestrale me orkestra të ndryshme kombëtare franceze dhe u bashkua me orkestrën e të rinjve “Gustav Mahler” si flaut kryesor për dy sezone. Paralelisht me pozicionin e saj në Operën e Parisit, ajo ndjek karrierë si soliste dhe muzikante dhome në Francë dhe jashtë saj. Albumi i saj i parë, “D’un matin de printemps” do të publikohet këtë vit.
Publiku nuk ka mbajtur dot duartrokitjet pas përfundimit të kohës së dytë që u mbyll me një notë të zgjatur nga flautistja. E ato kanë shpërthyer në fund duke e kthyer flautisten Daveiro në skenë për të interpretuar një vepër në bis. E pashoqëruar nga orkestra e ka dëshmuar edhe një herë zotërimin në instrument.
Muzika shqipe i ka dhënë muzikës klasike frymë emocionale, të lidhur ngushtë me historinë, vuajtjet dhe gëzimet e një populli të vogël, por me identitet të fortë, edhe për nga krijimtaria e mirëfilltë muzikore. Komunikimi artistik midis muzikës botërore me atë shqiptare ka ardhur nëpërmjet poemës simfonike “Skënderbeu” të kompozitorit të ndjerë, Fahri Beqiri, në 90-vjetorin e lindjes së tij.

Ka qenë si marsh e vepër solemne ku tingujt janë të mprehtë gjersa emocioni është përbrenda dhe shpesh kulmues në intonacion e dinamikë të lojës. Ka plot elemente tradicionale shqiptare të cilat ndonëse me qasje të re nga dirigjenti Marco Crispo, janë të palëkundura. Tensioni në lojën e instrumenteve të tunxhit është paralajmërim për kulmimin i cili ka jehonë të fuqishme.
Dirigjenti italian Marco Crispo i ka sjellë nuanca të reja muzikore me qasjen e tij. Ka thënë se ka rrezikuar duke u dhënë përgjigje pyetjeve të padefinuara të veprës.
“Në vepër kishte shumë pyetje të hapura dhe mendoja se çfarë do të thotë kjo. Ishte hera e parë që kisha kontakt me këtë muzikë. Kështu që pyetja ishte: a duhet t’i lë këto pyetje të hapura? Që do të thotë se a duhet ta lë poentën muzikore të padefinuar me gjithë burimet që kam, apo duhet të rrezikoj? Vendosa të rrezikoj dhe ta interpretoj atë me lidhjet që kisha dhe të cilat mendoj se ishin sa më të sinqerta me muzikën e kompozitorit te publiku”, ka thënë ai.
Është shprehur se vërtet ka rrezikuar me qasjen e tij në veprën “Skënderbeu”, por se kishte burime muzikore që, sipas tij, kishte shumë dyer dhe të gjitha çonin në drejtime të ndryshme. Se kishte kuptuar më shumë për historinë dhe karakterin e Skënderbeut gjatë hulumtimit të tij.
“U dhashë përgjigje këtyre pyetjeve të hapura. Nuk e di nëse ishin të duhurat, por iu qasa kësaj vepre siç i qasem çdo vepre tjetër duke u munduar të jem besnik ndaj pikave të padefinuara”, ka vazhduar dirigjenti italian që jeton në Kopenhagë.
Kohët e fundit, ai ka punuar me repertorin italian dhe francez, duke përfshirë “Falstaff” dhe “La Traviata” të Verdit, “Così fan tutte” dhe “Don Giovanni” të Mozarit, “Hamlet” të Thomasit, e të tjera. Në sezonin 2023/2024, Marco dirigjoi “Tosca” në Kopenhagë me Orkestrën Simfonike të Lyngby-Taarbæk, “Hänselund Gretel” në Landestheater në Coburg, “Il Turco in Italia” në Teatro Sociale në Rovigo dhe në Teatro Dante Alighieri në Ravenname Orkestrën Rinore, Luigi Cherubini.

Në marsin e vitit të kaluar ka pasur bashkëpunimin e parë me Filharmoninë e Kosovës. Në koncertin që ishte mbajtur në mbyllje të edicionit të 25-të të Javës së Frankofonisë, solistë ishin Liza Kerob në violinë dhe Altin Tafilaj në violë.
“Ky program ishte konsekuencë natyrale dhe kontinuitet i koncerteve që kemi bërë bashkë vitin e kaluar. Koncerti ishte kryesisht i bazuar në ritme franceze të cilat i sollëm në Javën e Frankofonisë, ndërsa këtë vit lajtmotivi ishte prapë ritmi francez por më i komplikuar sepse programi ishte më i zgjeruar, veprat ishin më të mëdha. Gjeta një orkestër që vërtet dëshiron të punojë, jo vetëm në kuptimin e notave, por edhe të stileve. Kështu që mendoj se ka bërë progres edhe më shumë nga viti i kaluar”, ka thënë maestro Crispo më tej.
Për poemën simfonike “Skënderbeu”, e kompozuar më 1969, i biri i autorit të veprës, kompozitori Valton Beqiri ka thënë se janë të mirëseardhura qasje të tilla në këto vepra, por që ruajnë elementet e folklorit shqiptar.
“Jo çdokujt i pëlqen qasja e tillë meqenëse është një vepër që e kemi dëgjuar në shumë raste. Ka qenë vepër që është interpretuar edhe me rastin e koncertit solemn të Pavarësisë së Kosovës dhe në këto situata kur publiku veçse e njeh veprën, është pak një rrezik i vogël, nëse e ndryshon qasjen. Por dirigjenti si dirigjent e ka arsyen, qasjen e idenë e vet, dhe natyrisht unë e përgëzoj për përkushtimin e tij në trajtimin e veprës dhe natyrisht në ushtrimin e saj përmendësh sa ka mundur ta përballojë”, ka thënë Beqiri duke u shprehur se ka qenë emocion i veçantë dëgjimi i veprës së babait të tij.
“Ka detaje të caktuara që natyrisht janë elemente të folklorit tonë dhe natyrisht ky bashkëpunim i folklorit e veprave të kompozitorëve tanë me dirigjentë të huaj, është shumë i mirëseardhur dhe ndikon në ngritjen e kapaciteteve e vlerave të Filharmonisë së Kosovës”, ka thënë ai më tej.
Suita “Firebird” nga rusi Igor Stravinsky ka qenë e fundit në program. Ritmet kanë ilustruar elementet mbinatyrore të “Zogut të zjarrit”, të vendosura në harmoninë e Orkestrës së cilës në këtë vepër i bashkohet në piano Denita Dedushaj, që luan edhe një pjesë në çelestë, tingujt e së cilës janë dëgjuar për herë të parë në skenën muzikore.
Profesoresha e muzikës, Besa Luzha, ka thënë se programi i koncertit të parë të Filharmonisë për sivjet është fillim i mbarë i sezonit të ri koncertal.
“Një program i bukur, interesant, me vepra që lidheshin midis vete edhe për nga aspekti tematik. Flautistja, edhe pse e re në moshë, ishte jashtëzakonisht muzikale, shumë e talentuar, me një teknikë shumë të bukur të interpretimit. Një lojë të bukur e bashkëpunim shumë të mirë me Filharmoninë”, është shprehur ajo.

Ka veçuar “Koncertin për flaut e orkestër” si dhe poemën simfonike “Skënderbeu” duke theksuar edhe kushtet e dobëta në hapësirën ku zhvillohen koncertet e Filharmonisë.
“Në pjesën e dytë patëm rastin të dëgjojmë disa vepra madhore të literaturës së Kosovës, siç ishte poema simfonike ‘Skënderbeu’ e Fahri Beqirit, por edhe ‘Firebird’ e Stravinskyt, që është një kryevepër. Natyrisht dëshira jonë është që sa më shpejt kushtet të jenë të dinjitetshme, për të pasur një përjetim edhe më të fuqishëm dhe më të bukur, sepse deshëm apo nuk deshëm këto kushte ndikojnë në performancë. Është zhurma, hapësira e ngushtë, e pamjaftueshme që publiku të jetë më i madh”, ka thënë Luzha.
Të dielën, Filharmonia e Kosovës u paraqit me koncert në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, ndërsa më 30 janar kthehet në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë për të sjellë një prej kryeveprave vokalo-instrumentale të Gioacchino Rossinit.
Koncerti i së premtes ka qenë paraprijës i programeve të bukura e po kaq të fuqishme të Filharmonisë së Kosovës përgjatë gjithë vitit.