Çdo hap valleje, çdo notë muzikore, duke u ndërthurur me interpretimin e trupës, ka sjellë në pah dhimbjen dhe krenarinë, sakrificën dhe ringjalljen shpirtërore, si një alegori e popullit që nga errësira është ngritur drejt lirisë. Në pjesën e tretë të mbrëmjes, e treta në rendin e programeve, është shfaqur premierë “Feniksët e lirisë”, me koreografi të Feim Lekës dhe me muzikë të Valton Beqirit, e cila është mirëpritur me duartrokitje të zjarrta dhe emocione të pashmangshme nga publiku
E mbushur deri në frymë, me drita të zbehta dhe në heshtje plot pritje ka shpërthyer skena e Teatrit Kombëtar. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” ka sjellë të premten premierën e koncertit “Feniksët e lirisë” me koreografi të Feim Lekës dhe me muzikë të Valton Beqirit, duke e përmbyllur një vit të pasur me aktivitete. Mbrëmja ka pasur në qendër koncertin premierë të fundvitit, ku në skenën në objektin përkohshëm të TKK-së në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, është shpalosur një tablo koreografike me simbolikë të fuqishme emocionale. Publiku, i zgjedhur në përbërje dhe i rritur në pritshmëri, është zhytur në një udhëtim që fillon me melodi të gjalla e valle plot dinamizëm, për të ndërruar më pas në momente reflektimi dhe krenarie, duke e kthyer skenën në një hapësirë kujtese dhe shprese.
Hapja e koncertit është shoqëruar me tingujt e muzikës popullore që kanë zgjuar emocionet e të pranishmëve, ndërsa koreografia ka hapur rrëfenjën e saj në hapësirë të errët, të ndriçuar vetëm nga reflektorët e paktë të skenës. Çdo hap valleje, çdo notë muzikore, duke u ndërthurur me interpretimin e trupës, ka sjellë në pah dhimbjen dhe krenarinë, sakrificën dhe ringjalljen shpirtërore, si një alegori e popullit që nga errësira është ngritur drejt lirisë. Në pjesën e tretë të mbrëmjes, e treta në rendin e programeve, është shfaqur premierë “Feniksët e lirisë”, e cila është mirëpritur me duartrokitje të zjarrta dhe emocione të pashmangshme nga publiku entuziast.
Në skenë, trupa e ansamblit ka ndërtuar një arkitekturë të qartë vizuale. Valltarët, të rreshtuar në linja simetrike, me kostume tradicionale ku mbizotërojnë e kuqja, e bardha dhe e zeza, kanë krijuar një kontrast të fortë me errësirën e sfondit. Drita e fokusuar ka nxjerrë në pah gjestet e duarve të ngritura lart, pëllëmbët e hapura, si shenja thirrjeje dhe betimi, ndërsa hapat e sinkronizuar kanë ruajtur një disiplinë të rreptë ritmike. Trupat kanë lëvizur njëkohësisht si një masë e vetme, por pa e humbur individualitetin e figurave që dalin në plan të parë.

Feim Leka, koreograf i veprës, e ka përshkruar procesin krijues si një udhëtim të ngarkuar me sfida.
“Ky koncert festiv që është përgatitur enkas për këtë koncertin përmbyllës si zakonisht qysh i bën ansambli ‘Shota’, në këtë rast ka qenë si risi një tablo koreografike. Është fakt që ky muaj, nëntori dhe kjo pjesa e dhjetorit ka qenë shumë me stres, shumë e ngarkuar, por megjithatë kemi arritur bashkërisht me kolegë, me sfidat që i kemi pasur gjatë rrugës, sepse kemi pasur edhe koncerte të ndryshme gjatë nëntorit edhe nuk kishim mundësi dhe kohën e duhur që të punojmë”, ka thënë ai për KOHËN.
Ka përmendur edhe reagimin e mbushur me entuziazëm të sallës, aq sa ka sugjeruar edhe një reprizë të mundshme të koncertit, duke shprehur se duartrokitjet kanë qenë më shumë se thjesht miratim; kanë qenë një reflektim i shpirtit artistik që ansambli ka sjellë në skenë.
“Salla ishte e stërmbushur. I kam thënë drejtorit të mendojë edhe për një koncert reprizë. Besoj shumë që do të bëhet. Jam edhe i lumtur, ndjenjat janë të përziera. S’po di sa mund ta jap një vlerësim të mirë për koncertin. Shpresoj dhe besoj se duartrokitjet në masa, publiku e ka bërë të vetën dhe përmes duartrokitjeve flet më shumë, edhe arti që e kemi bërë, por flet edhe tabloja koreografike”, ka shtuar koreografi Leka, i cili është edhe valltar i ansamblit.
Me sa është thënë, reprizë nuk parashihet të ketë sivjet, për shkak se salla që e ka përdorur trupa e ansamblit, do të jetë e zënë me aktivitete të tjera.
“Fatkeqësisht, e dini se si qëndron puna te ne me salla, kemi mungesë. Mirëpo, ne do të preferonim që koncertin ta reprizojmë, por zakonisht kemi pak hapësirë, derisa të përfundojë renovimi i Teatrit, kështu që deri në fund të vitit salla është e zënë dhe s’kemi mundësi ta reprizojmë”, ka thënë drejtori artistik i ansamblit, Ylber Asllanaj.
E gjatë koncertit, në pjesët me formacion femëror, veshjet e bardha me detaje të kuqe kanë sjellë një qetësi ceremoniale. Lëvizjet kanë qenë të përmbajtura, të ulëta, me theks te qëndrimi i trupit dhe kthesat e buta të duarve, duke krijuar një ndjesi përkushtimi dhe solemniteti. Në prapaskenë, orkestra ka ruajtur një prani diskrete, por funksionale, duke e mbajtur lidhjen mes tingullit dhe lëvizjes pa e dominuar skenën vizualisht.
Mirëpo, pjesës së premierës i kanë paraprirë dy pjesë të larmishme me valle e me këngë popullore. Solistët e ansamblit kanë kënduar këngë si “Shkon e vjen”, “Disa shoqe t’kanë inat”, “Sikur zog po fluturon” e të tjera, ndërkaq vallet popullore kanë sjellë gërshetimin vizual të veshjeve tradicionale në një kombinim mes brishtësisë e elegancës së grave dhe seriozitetin e gurtë të burrave.
Kompozitori Valton Beqiri ka theksuar vlerën e programit dhe prezencën e një audience të re, përfshirë fëmijë e të rinj, një element kyç për të ardhmen e muzikës popullore.

“Nuk ka një situatë më të mirë sesa fundvitin ta presim me një program kaq të bukur artistik. Një element shumë i rëndësishëm ishte edhe një numër i madh i të rinjve dhe i fëmijëve që ishin në koncert. Shpeshherë ankohemi pse vijnë fëmijët, por në fakt, ansambli ‘Shota’, që sa vite është duke tentuar që ta kthejë dashurinë për muzikën popullore te të rinjtë dhe te fëmijët dhe si duket, po shihen edhe rezultatet”, ka thënë ai.
Ai ka përshkruar edhe sfidat kreative të materialit muzikor dhe lidhjen me kërkesat koreografike, si dhe ndikimin e simbolikave të krenarisë dhe luftës çlirimtare që kanë ndikuar në strukturën artistike të koreografisë.
“Programi ka qenë shumë i menduar mirë, i bukur, me këngë të shumë trevave të ndryshme të Shqiptarisë, të përzgjedhura me një delikatesë nga Ylber Asllanaj. Valltarët po ashtu në rolin e tyre të mirë, në formën e tyre, dhe sa i përket valles së fundit, ku isha kompozitor, mund të them se ka qenë sfiduese në kuptimin e përzgjedhjes së materialit dhe gjetjes së lidhjes mes kërkesave të koreografit dhe asaj çfarë mundem dhe dua unë”, ka shtuar Beqiri.
Kulmi koreografik ka ardhur në momentet kur trupa mashkullore e ansamblit ka ndërtuar formacione të fuqishme piramidale. Një figurë qendrore, e ngritur mbi të tjerët, me krahët e shtrirë dhe këmbën e mbështetur mbi trupat përreth, ka funksionuar si simbol i ringritjes dhe triumfit. Ky imazh, i ndërtuar me precizitet dhe tension fizik, ka përmbledhur në vetvete idenë e “feniksëve të lirisë”, një trup kolektiv që bie, riorganizohet dhe ngrihet sërish, duke e shndërruar skenën në një hapësirë metaforike të kujtesës dhe rezistencës.
Drejtori artistik i ansamblit, Ylber Asllanaj, e ka interpretuar koncertin si kulmin e një viti të pasur aktivitetesh dhe si një reflektim të punës së pandërprerë të ansamblit.
“Ky ishte koncerti përmbyllës i punës njëvjeçare dhe më shumë të ansamblit, natyrisht. E veçanta e këtij koncerti është se ishte koncert festiv, me koreografi të re premierë, e realizuar nga një valltar i ansamblit dhe me muzikë të profesor Beqirit. Ishte një ambient goxha i mirë, të cilin publiku e ka pritur mirë. Nuk di çka do t’i kisha shtuar këtij koncerti”, ka thënë ai.
Ka përmendur programet që ansambli ka kryer gjatë vitit, koncertet në qytete të ndryshme gjatë muajit të festave dhe identitetit kombëtar, si në Lipjan, Podujevë, Bujanoc e Gjakovë në nëntor, që kanë sjellë muzikë, valle dhe traditë për komunitete të ndryshme, duke e thelluar lidhjen me publikun në mbarë hapësirën shqiptare.
Përveç kësaj, gjatë vitit 2025 ansambli ka qenë aktiv edhe në koncerte festive në pranverë e vjeshtë, duke përfshirë shfaqje në Mitrovicë e Gjilan, si dhe pjesëmarrje në programe të ndryshme artistike edhe në vende të Evropës si në Poloni dhe në Berlin të Gjermanisë, që kanë thelluar imazhin e tij si një prej institucioneve më të rëndësishme të folklorit shqiptar. E programe të ngjashme dhe me densitet më të lartë pritet të realizohen edhe vitin që vjen.
“Tani jemi në përpilimin e planit artistik për vitin e ardhshëm, natyrisht ansambli e përpilon planin artistik dhe vepron në bazë të një plani paraprakisht të planifikuar. Gjithsesi, ne e llogaritim që të jemi pjesëmarrës së paku në dy deri tri festivale ndërkombëtare, t’i festojmë festat me koncertet protokollare. Planifikojmë që të kemi edhe koncerte kështu nëpër gjithë gjeografinë shqiptare”, ka thënë drejtori artistik, Asllanaj.
Këto aktivitete, bashkë me mbrëmjen e premierës, konfirmojnë se “Shota” është jo vetëm një trupë interpretimi, por edhe një gardian i trashëgimisë kulturore, i cili reflekton historinë, krenarinë dhe aspiratat e një kombi përmes këngës dhe valles.