Ka qenë 6 mars i vitit 1999, kur trupa artistike ushtarake e UÇK-së organizoi për herë të parë Epopenë në shenjë nderimi në përvjetorin e parë të rezistencës dhe sakrificës së familjes Jashari. Rimorkioja u improvizua si skenë, u dha shfaqja “Ai është gjallë”. Fryma e lirisë, gjëllin krenueshëm 28 vjet pas dhe dëshmi për këtë ka qenë edhe akademia përkujtimore që ka kulmuar me koncert. Shënimi i ngjarjes me muzikë klasike ka sjellë edhe një lloj mesazhi kulturor: se liria nuk është veç kapitull historik, por edhe frymë që ushqen artin e kulturën
Në atmosferë solemniteti dhe reflektimi, mbrëmja e kombinuar midis një koncerti dhe akademie përkujtimore ka qenë rikujtim i rezistencës e sakrificës së heronjve të kombit. Me fjalime e harmoninë muzikore u shënua përvjetori i 28-të i një prej ngjarjeve më domethënëse të historisë së vendit. Në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, koncerti i udhëhequr nga dirigjenti Edon Ramadani u bë homazh për sakrificë e heroizëm ndërsa u vlerësua vepra e familjes Jashari duke u kthyer edhe në zanafillë, në organizimin e parë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që do të bëhej traditë e palëkundur përkujtimore.
Në një ngjarje solemne si ajo që organizohet për përvjetorin e 28-të të Epopesë, tapeti i kuq, flamujt e Kosovës e të Shqipërisë e ekrane me simbole të ngjarjes, bëjnë me dije për një koncert jashtë të zakonshmit sa i përket një të tilli të muzikës klasike. Edhe publiku ishte krejt tjetër. Ka qenë aty me qëllimin kryesor të nderimit të sakrificës sublime të familjes Jashari dhe jo vetëm.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij ka theksuar simbolikën e veçantë që ka Drenica në historinë e rezistencës shqiptare. Sipas tij, Kosova e ka qendrën shpirtërore pikërisht në këtë krahinë, ku trimëria dhe sakrifica marrin përmasa legjendare.
“Kosova qendrën e saj e ka në Drenicë. Aty ku trimat dhe heronjtë marrin përmasën e legjendës. Flakët, plagët dhe kujtesa e secilës kryengritje përgatisin brezin e ri të kryengritësve. Nëpër odat e Drenicës kuvendohej e këndohej për Ahmet Delinë, Azem e Shote Galicën, Shaban Polluzhën e të tjerë trima. Mosdorëzimi dhe qëndresa me zemër e nder para epërsisë numerike dhe materiale të armikut, ishte tradita e kësaj krahine. Trupi shuhej, por jo ideali i lirisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk është e rastësishme që UÇK-ja e kishte bazën e parë në këtë regjion.
“Drenica u bë shkolla e qëndresës shqiptare në Kosovë, prandaj nuk është rastësi që Ushtria jonë Çlirimtarë bazën e saj të parë e formoi pikërisht aty. Jasharët ishin UÇK para se të formohej UÇK-ja, sepse ata ishin gati dhe kishin qenë gjithnjë të gatshëm për fillimin e luftës çlirimtare. Ademi, Hamza e babë Shabani, me të marrë pushkën, e dinin se nuk ka kthim prapa. Se paqja për ta do të vinte vetëm kur Kosova të ishte e lirë, se ata mund të mos e mbërrinin ta shihnin Kosovën të lirë. Mirëpo, ata tashmë vetë ishin të lirë, sepse nuk do të nënshtroheshin”, ka thënë Kurti.
Zahide Jashari, e cila mban emrin e nënës së heronjve Adem dhe Hamëz Jashari, ka thënë se akademitë përkujtimore si ajo e mbajtur të premten mbrëma në Prishtinë nuk janë vetëm momente rikthimi në histori, por edhe çaste reflektimi, vetëdijesimi dhe zotimi.
“Përvjetorët e sakrificës për liri na mësojnë të kuptojmë se liria nuk jeton vetëm kur fitohet, por në mënyrën sesi ruhet e forcohet çdo ditë me ndërgjegje, përgjegjësi dhe besim. Ne brezi i ri jemi dëshmitarë të gjallë të kësaj trashëgimie të shenjtë”, është shprehur ajo.
Ka kujtuar se datat e Epopesë përkojnë me atë të Ditës së Mësuesit dhe të Ditës së Nënës. Ka sjellë në kujtesë të gjithë fëmijët që humbën jetën gjatë luftës në Kosovë.
“Sot, me dhimbje dhe krenari, i kujtojmë të gjithë fëmijët e rënë gjatë luftës në Kosovë, që nuk arritën të përjetojnë plotësisht përqafimin e nënave të tyre dhe mësimet e mësimeve të tyre. Ata mbetën ëndrra të ndërprera në mes, buzëqeshje të ndalura padrejtësisht, jetë të pajetuara. Por pikërisht në këtë dhimbje, bie përgjegjësia mbi ne si brez i ri. Ne jetojmë edhe për ta, mësojmë dhe punojmë edhe në emër të tyre”, është shprehur Jashari.
E gjithë salla është ngritur në këmbë për të nderuar veprën e Jasharëve. I pranishëm ka qenë edhe kryefamiljari i familjes Jashari, Rifat Jashari.
Historiani Durim Abdullahu, anëtar i këshillit të ekspertëve për kompleksin memorial “Adem Jashari”, është kthyer pas në kohë duke kujtuar traditën përkujtimor të Epopesë së UÇK-së e cila filloi më 6 mars të 1999-s në Prekaz.
“27 vjet pas, nga sot, më 6 mars të vitit 1999, kur trupa artistike ushtarake e UÇK-së organizoi për herë të parë Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, askush nuk mund ta dinte që me të po themelohej një traditë përkujtimore aq e qëndrueshme. Traditë kjo që na ka mbledhur edhe sonte më 6 mars 2026. Atë ditë në Prekaz, njësitë ushtarake të UÇK-së u rreshtuan në shenjë nderimi në përvjetorin e parë të rezistencës dhe të sakrificës së familjes Jashari”, ka thënë Abdullahu.

E ka përshkruar komplet aktivitetin. Ka bërë me dije se në kuadër të programit artistik kishin interpretuar këngëtarët Violetë Kukaj dhe Ilir Shaqiri ndërsa ka treguar se mbi një skenë të improvizuar mbi një rimorkio ishte dhënë shfaqja me titull “Ai është gjallë”.
“Nën shenjat e himnit dhe flamurit kombëtar, i ngritur në atë rast nga vetë Bashkim Jashari, luftëtar i mbijetuar i asaj rezistence, e sot komandant i Forcës së Sigurisë të Kosovës, para publikut prej mijëra njerëzish të mbledhur në Prekaz, atë ditë kishin folur, siç foli sonte Zahide Jashari, edhe Besarta Hamëz Jashari dhe Shqipe Adem Jashari. Kështu Epopeja e UÇK-së u themelua nën drejtimin dhe pjesëmarrjen e disa prej drejtuesve më të lartë të UÇK-së nga shtabi i përgjithshëm dhe nga zona operative e Drenicës”, ka thënë historiani Abdullahu duke përshkruar ngjarjen.
Sipas tij, ka shumë materiale e dëshmi nga familja Jashari ndërsa trajtimi i figurës së Adem Jasharit në mediume të ndryshme artistike e ka bërë heroin, figurën me ikonografinë më të pas artistike, bashkë me atë të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
“Në tërë historinë e shqiptarëve, përveç heroit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, nuk ka një figurë tjetër historike si ajo e Adem Jasharit, imazhi i së cilit është prodhuar e riprodhuar më shumë në çdo medium artistik, duke krijuar për 28 vjet një ikonografi tejet të pasur për të”, ka thënë historiani Abdullahu.
Në një ngjarje si Epopeja, kujtimi për heronjtë zakonisht lidhet me ceremoni përkujtimore, fjalime e homazhe pranë varreve të dëshmorëve. Por nderimi në një formë tjetër, po ashtu të thellë shpirtërore, u bë nëpërmjet muzikës klasike me vepra të kompozitorëve shqiptarë e që jo rrallë lidhen me historitë e trishta të vendit.
Edhe koncerti nga Orkestra e Kori i Operës së Kosovës, nën udhëheqjen e maestro Edon Ramadanit, pati aftësinë të prekë kujtesën kolektive dhe të shndërrojë dhimbjen, sakrificën e krenarinë në emocione që përjetohen nëpër tinguj e vargje.
Koncerti nisi me “Folk suite” nga Drinor Zymberi. U luajt pjesa “Presto” e kësaj vepre solemne ku harqet janë të qëndrueshme dhe të palëkundura derisa frymorët, me ndërhyrje të herëpashershme e shtojnë rezistencën e tingullit.
Kori është bashkuar në formacion për “Sanctus” nga opera solemne “Gjergj Kastrioti – Skenderbeu” të Vasil Toles. Tensioni dhe dinamika nisin me fjalën e përsëritur të titullit përherë duke u ngritur.
Në pjesën “Rilindjes” nga kantata “Rrugëtimi” të Valton Beqirit, gjersa Kori këndonte vijën melodike, në ekranin prapa formacionit vijonin vargjet “Fjalët e qiririt”. Pjesë nga këto vargje ka interpretuar edhe Kori, përcjellë nga tensioni e dinamika që ka krijuar orkestra.
Tejet e ndjerë ka qenë pjesa e fundit e programit ku formacionit i janë bashkuar pianistet Artemida dhe Elizabeta Qarri. Motrat pianiste, përcjellë nga Kori dhe Orkestra kanë sjellë “Triptik për atdheun për dy piano”. Në këtë lloj kolazhi me muzikë shqiptare të aranzhuara në një të vetme nga Edon Ramadani, janë interpretuar “Rrjedh në këngë e ligjërime” dhe “Unë, biri yt, Kosovë” nga Feim Ibrahimi si dhe “Valsi i lumturisë” nga Avni Mula.

Pianistja Artemida Qarri e ka konsideruar interpretimin si një lloj parapërgatitje për koncertin e plotë që u mbajt të shtunën mbrëma.
“Sonte kemi interpretuar një pjesë që i paraprin koncertit të një dite më pas ku do të kemi program njëorësh. Sonte kemi interpretuar disa vepra origjinale shqiptare të orkestruara për formacionin tonë duo piano me orkestër dhe kor”, ka thënë ajo.
Pianistja Elizabeta Qarri ka thënë se veprat janë zgjedhur në mënyrë që të përshtaten me ngjarjen.
“Ne duke e ditur rolin dhe rëndësinë e mbrëmjes së sotme, si formacion kemi bërë përpjekje të selektojmë disa pjesë që përkojnë me rastin. Besoj që u mirëprit nga audienca që ishte prezente”, ka thënë ajo.
Shënimi i ngjarjes me muzikë klasike ka sjellë edhe një lloj mesazhi kulturor: se liria nuk është veç kapitull historik, por edhe frymë që ushqen artin e kulturën.