Shtojca për Kulturë

Enver Petrovci si Serebrejakovi në “Xhaxha Vanja” të Çehovit

Enver Petrovci dhe Bajrush Mjaku në shfaqjen “Xhaxha Vanja”, mars 2008

Enver Petrovci dhe Bajrush Mjaku në shfaqjen “Xhaxha Vanja”, mars 2008

Dita e premte e javës së dytë të janarit, viti 2008 në orën 08:00 në mëngjes i telefonoj Enverit dhe i them se unë në këtë moment po nisem për në Prishtinë, nëse je i lirë nga ora 11:00 të takohemi në Klubin e Teatrit. Enveri me atë humorin e vet më thotë: A ta marr revolen me vete, apo?... Në orën 11:00, u takuam me Enverin dhe pyetja e parë ishte: Çfarë e mire të solli në Prishtinë? – I them se së shpejti do të filloj me inskenimin e “Xhaxha Vanjës”

Janar i vitit 2008. Isha marrë vesh me regjisorin S. Unkovski, për të filluar me prova. Po inskenonim tekstin “Xhaxha Vanja” të A.P. Çehov, në produksion të “Teatrit të një aktori” nga Shkupi. Shfaqja ishte planifikuar të kishte një shtrirje regjionale në planin e angazhimit të aktorëve.

Derisa unë isha duke hulumtuar burime financiare për shfaqjen, nga Tirana më paraqitet miku im Gjergj Prevazi, i cili kërkon një takim për të më njoftuar me një biznesmen shqiptar me emrin Vasil Jovani, i cili posedonte një produksion të pavarur të emërtuar “Kronos”, ku në përkthim nga greqishtja e vjetër i binte “Sebepçiu”. Pas takimit me z. Vasil të cilin e njoftova me idenë se së shpejti do të filloj me inskenimin e “Xhaxha Vanjës”, pa mos me e zgjatë më shumë, ai më tha: Jam i interesuar për bashkpunim dhe se unë do t’i mbuloj të gjitha shpenzimet për ekipin nga Tirana që do jenë të angazhuar.

Kisha aplikuar për përkrahje financiare në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Maqedonisë, si dhe në Ministrinë e Kulturës pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku ministër i Kulturës ishte z. Astrit Haraçia, nga i cili kisha sinjale të qarta për përkrahje financiare.        

Nga Ministrija e Kulturës, apo më mirë të them, nga Qeveria e shtetit ku unë jap kontributin tim në planin profesional bashkë me produksionin e pavarur “Teatri i një aktori”  (Teatri në fjalë kishte arritur të prezantojë dhe afirmojë të arriturat e kulturës në botë, as që më kishte shkuar ndërmend ndonjëherë se do të jem i bojkotuar dhe injoruar).

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është që të flas për bojkotim apo injorim, por doja të flas për një gjest të artistit, mikut dhe kolegut tim, Enver Petrovci, i cili para disa ditëve na iku nga kjo botë, dhe na i la veprat e kujtimet si AMANET që do të na përcjellin gjatë shumë kohëve.

Kështu filloi atëbotë. Dita e premte e javës së dytë të janarit, viti 2008 në orën 08:00 në mëngjes i telefonoj Enverit dhe i them se unë në këtë moment po nisem për në Prishtinë, nëse je i lirë nga ora 11:00 të takohemi në Klubin e Teatrit. Enveri me atë humorin e vet më thotë: A ta marr revolen me vete, apo?... Në orën 11:00, u takuam me Enverin dhe pyetja e parë ishte: Çfarë e mire të solli në Prishtinë? – I them se së shpejti do filloj me inskenimin e “Xhaxha Vanjës” .

E me cilin regjisor?- më pyeti ai.

Me Unkovskin. – iu përgjigja.

Kush do të jetë në rolin e Xhaxha Vanjës?

Unë.

Po në rolin e dr. Astrovit?

Ndriçim Xhepa. – thashë.

Elena Andreevna?

Blerta Syla.

Sonja?

Eftiola Laçka, një aktore e re nga Tirana. - i them.

Nuk e njoh. – më tha.

Po në rolin e Serebrejakovit, kë e ke?

Enver Petrovcin.

U ndal për një moment, e pas pak përnjëherë filloi me një të qeshur e cila ishte karakteristikë e tij, më pyeti:

Kurë filloni me prova?

Të hënën. – I thash.

Aty më ke. – U përgjigj shkurt.

Unë jamë producent i shfaqjes dhe më duhet ta bisedoj edhe çështjen e honorarit. – shtova unë.

Jo, në këtë rast nuk më intereson fare honorari. Më intereson Autori, regjisori dhe aktorët. E lëmë këtë muhabet se më duhet të shkoj në Fakultet, po më presin studentët. Shihemi të hënën.

Të hënën e tretë të janarit me fillim në orën 11:00 filluam me prova. Pas dy muajsh punë intensive arritëm të rrumbullakojmë  shfaqjen.

Premiera më datë 4 mars 2008. Më datë 3 mars, e përditshmja “Vest” do të shkruante: “Në shenjë proteste Bajrush Mjaku dhe Sllobodan Unkovski, shfaqin premierën vetëm për ata që e meritojnë teatrin, me nëntitull: ‘Daja Vanja – i ndaluar për pushtetin.’”

Të nesërmën takohem me Enverin i cili udhëtonte për në Prishtinë, unë i zgjas dorën të përshëndetem dhe që t’i falënderohem për bashkpunimin, Enveri zgjat dorën dhe në moment e tërheq aq shpejt sikur ta kishte zënë korrenti. Enveri pa se unë i ofroj një shumë të hollash dhe më tha: “Vërtet jo Bajrush, unë këtë punë e kamë bërë me qejfin më të madh dhe tani po e shfrytëzoj këtë moment të të falënderohem për këtë angazhim, që më duhet ta pranoj, se gjatë kohë më ka munguar. Me sinqeritetin më të madh ta them se nuk kam ardhur të punoj për honorar e sidomos pas sjelljes së pashembullt të ministrit të kulturës. Unë nuk i marr ato para”.  I them, Enver unë si menaxher i projektit jam në rregull...

E përqafova si mikun e vjetër dhe padiktueshëm ia futa paratë në xhep. Ai hapi derën e veturës dhe së bashku me Blertën u nisën për në Prishtinë.