Duhet pranuar, definitivisht, kemi humbur nga ata, kemi humbur nga vetja jonë, sepse ata janë askush tjetër përveç nesh, ose ndoshta mesatarja jonë, apo ndoshta mesatarja e jonë që rrugës për përndritje i janë kënaqur llumit të errët, shpresës për të pamendëve i dhanë talljen e pakufishme. Përsiatjes së naivit i dhanë më të keqën e mundshme, tragjiken, komiken me nënqeshje shtrigash, dëshpërimin, trishtimin
Duhet ta pranojmë. Fatkeqësisht nuk kemi çare. Pa e pranuar nuk shërohemi, nuk trajtohemi, nuk vetëtrajtohemi. Duhet pranuar, ndoshta kjo është rruga e duhur, e domosdoshmja, përtypja e humbjet iluminon kokat e bëra me baltë.
Kemi hezituar mjaft, nuk kemi dashur ta themi. Kemi ngurruar deri në ndrydhje. Tani. Mjaft e kemi nënvlerësuar, në shtratin e shpresës kemi goditur muret e durimit me kokë, pastaj… kemi qeshur me ta, kemi qarë për shkak të tyre, jemi tallur privatisht e publikisht; përmes veglave tona skenike i kemi përqeshur e kritikuar, shpeshherë në trasta të shqyera e në rrugëtime të gjata i kemi spiunuar edhe jashtë shtetit për të bërat e tyre, për të pa bërat e tyre. U kemi treguar të gjithëve se çfarë janë, se çfarë kanë bërë, çfarë po bëjnë, si po na zhbëjnë. Madje, ata që kanë përbirë ditën na thanë se pse po flisni vetëm terr për ne. Dhe fare në fund, pa hezitim, me dëshpërim gremine, duhet ta pranojmë se kemi humbur nga ata, kemi humbur nga ne.
Nuk ka skenë, ekspozitë, festival, prezantim ndërkombëtar, ngjarje kulturore, arritje kulminante ndërkombëtare. Nuk ka asgjë që mund të largojë sadopak vëmendjen nga ata. Ata sot janë VIP, “celebrities”, janë zotër që dehen me mjerimin e të sunduarve, janë epiqendra, qendra, “prime-time” në TV, në radio, në gjithçka. Ata janë edhe thashethemet, rubrikat rozë, vëmendja e publikut, e pritësit të përjetshëm, e gojës së uritur, e barkut të ngopur me shpresë. Ata janë loja, sharja, komplimenti, akuza, gjyqi, dënimi, më shumë mosdënimi papërgjegjësia. Ata janë koha e humbur e secilit,… janë diskutimi në rrugë, në institucion, në familje. Ata janë qeshja e qarja, raporti familjar, gëzimi, e pamja në rast vdekjeje, janë dasma, synetia. Ata i gjen në emisionet e mëngjesit, të drekës, darkës, të pasdarkës, të syfyrit, Bajramit, Krishtlindjeve. Ata janë rrëfimi I pasur natën e Vitit të Ri.
Ata janë ekrani, rrjeti social, radio, posteri, baneri, LED-i i madh në qendër të qytetit. Ata janë përmbajtja, hapësira, koha, rruga, emri, shtalla, salla, sporti, kultura, loti, seksi, potenca, impotenca.
Pra, duhet ta pranojmë, ky vend nuk ka vend për asgjë tjetër, nuk ka kohë për asgjë tjetër, përveç për ata. Ata janë kudo, janë në kafshatën tonë, në frymëmarrjen e secilit, ne gjumin, në ëndrrat në subnabulizmin tonë.
Duket se shoqëria jonë, pavërejtshëm, po fundoset me shpejtësi drejt në vrimë të zezë. Meqë ajo vrimë e zezë përpin edhe dritën, askush, ndoshta pak kush, po e vëren përpirjen e pamëshirshme nga ajo vrimë që kthim mbrapa nuk ka, kthim mbrapa nuk lejon. Secili i është dorëzuar me apo pa vetëdije gravitetit të saj drejt territ në humnerë gëlltitëse. Po luajmë me rregullat e saj, rregullat e zeza ashtu siç e ka emrin skëterrë. Si duket nuk ke se si i reziston fundosjes së pamëshirshme gravitacionale, prandaj, po patëm mundësi, le të gjejmë pak kohë të dëfrehemi gjatë kësaj përpirjeje, le të puthen çiftet e joçiftet, të bëjnë dashuri, të qeshin në intervalin e shkurtër që ka mbetur, e gjitha kjo, sigurisht nëse gravitacioni i kësaj vrime na lejon puthjen, nëse e lejon dashurinë, nëse kjo vrimë rrufitëse s’ka vendosur të na prishë edhe idenë e të qenit normal, sigurisht brenda një standardi problematik të asaj se çfarë është normal sot.
Duhet pranuar, definitivisht, kemi humbur nga ata, kemi humbur nga vetja jonë, sepse ata janë askush tjetër përveç nesh, ose ndoshta mesatarja jonë, apo ndoshta mesatarja e jonë që rrugës për përndritje i janë kënaqur llumit të errët, shpresës për të pamendëve i dhanë talljen e pakufishme. Përsiatjes së naivit i dhanë më të keqen e mundshme, tragjiken, komiken me nënqeshje shtrigash, dëshpërimin, trishtimin.
Nëse je jashtë kutisë dhe ke të vërteta që i rrënojnë ata, ata apriori kanë dizajnuar sistem që ushqim ka mediokritetin, e pastaj dihet se nuk do të besojë askush; pra, ti me të vërtetat tua përplasesh mureve të një arene luftimesh si një gladiator që fatin e ka në gishtin e madh të Cezarit të pamëshirshëm që vendos për ty nga disponimi apriori i imponuar i audiencës në koloseumin e marrëzisë. Gojë bretkosash që të përpijnë ty dhe të vërtetat e tua, të përqeshin derisa të përtypin dhe pastaj ti je pështyma e tyre e përplasur diku në harresë. Shtrati i tyre lundron mbi servilët, puthadorët, mbi ata që tavanin e kanë më poshtë se ti dyshemenë, ambicien më lart se ti andromedën, stisjen më të vërtetë se e vërteta.
Duhet ta pranojmë, kemi humbur nga ata, nga hartuesit e diskursit publik, nga “prime-time” morbide që nuk dallojnë asgjë nga lufta e gladiatorëve: dikush paguan, dikush lufton, ata e ne argëtohemi. Sigurisht nga këndvështrime krejtësisht të ndryshme. Ata Cezarët, ne publiku.
Nga Roma e lashtë dallojmë vetëm nga armët që përdorim. Atëherë kishin shpata e mburoja, sot kanë ide e gojë të ndyra, pështymë e çorape me shumë ngjyra.
Nuk mund të mos jesh me askënd. Ti me reagim, me mosreagim, me heshtje, me mos-heshtje, i gjallë a i vdekur, i porsalindur, i palindur, i planifikuar, i abortuar – ti nuk mund të jesh i paanshëm nga gjykimi i tyre; ti duhet të jesh me njërën pale, vetëm ashtu ke kuptim. Nëse nuk je më njërën palë, vihet dyshimi nëse je, pra nëse ekziston. Ti je, vetëm nëse je me ata që fronin e marrëzisë e kanë kthyer në krenari e krekosje neveritëse.
Dhe, pastaj…, nga ky përcaktim, orientim, dështimi yt më nuk është objektiv, as suksesi yt; ai merr tjera përmasa, sepse ata vendosin se ku qëndron suksesi yt, dështimi yt, shëndeti yt, raporti yt me veten dhe me secilin, varësisht me kënd je, ku je, si je orientuar në busullën që magnet ka vrimën e zezë që përpin dritën.
Peshorja në të cilën vendosesh do marrë anë të theksuar përmbytëse edhe nëse merr frymë, nëse sheh ëndërr, nëse bën çfarëdo, apo nuk bën asgjë. Nuk ka rëndësi.
Si frymohet sot? Disa na kanë urryer se nuk i kemi dashur fare, e disa na urrejnë sepse nuk mund t’i duam sa duan që t’i duam. Çmenduri e paparë. Dy palë që peshoren e hutojnë, nuk din nga të marr anë. E jashtëzakonshme. Tragjikisht e bukur për ta lexuar, e tmerrshme për ta jetuar e përmbrendësuar dhunshëm. Toksicitet Çernobili kundërmon kudo, helmi shtrihet si vërshim i pamëshirshëm në qenien e secilit, pavërejshëm, ngufatës, mbytës.
Brenda instinktit të trashëguar kafshëror për fuqi, ne duket se, jashtë secilit fakt biologjik empirik, duam fuqi jo vetëm për të sunduar, por edhe për të nënshtruar deri në përdhosje secilin që nuk ka mendjen sinkron me tonën. Por edhe kur nga nënshtrimi rreshtohemi plotësisht në sinkron me ta, ne dënohemi sepse ata shpesh nuk janë në sinkron me veten.
Një të mjerë njëherë e kishte pyetur fuqiploti: “A je me ne apo me ata?” I mjeri u përgjigj me ngazëllimin shpëtues: “Unë jam me juve.” Fuqiploti i tha: “Si je ti me neve, si s’të vjen turp,
A ne jemi me ata”. Dhe kështu e dënoi të mjerin me një dënim të cilin meqë nuk dinte si ta emërtonte në fund vendosi ta falë por me kushtin që të përballet gjithmonë me turpin e përgjigjes së tij të gabuar.
Duhet ta pranojmë, kemi humbur, ata kanë fituar mbi ne. E nëse ata janë ne, ne ata, atëherë kemi humbur në rrokullisjen e pamëshirshme në vrimën e zezë, aty ku as drita nuk i shpëton gravitacionit të saj drejt një humnere që pak dimë për te.
Çfarë po premtojnë në “prime-time” me të cilat hyjnë dhunshëm në shtëpinë e secilit?
Thonë se të ardhmen do ta ndërtojnë mbi pallate sharjesh, trotuare akuzash, kopshte falsifikimesh, shkolla më të ujdisura mbi analfabetizmin, gjyqësi mbi plehra. Projektet për të ardhmen janë edhe kultura mbi favorizimin, art mbi gërmadhën e betonit, spitale me aromë shantazhi, burgje të lulisura, parqe me gënjeshtra, drejtësi mbi shantazhe, zhbërje të historisë, qëndisje të lavdisë së marrëzisë. Premtojnë helm për secilin që guxon të dalë jashtë kutisë së fatit që kapak ka fajin e pafalshëm.
I qajnë disa të mbyllur në një “show” televiziv. Shumë po thonë se janë të mjerë e po i ekspozohen një eksperimenti të rrezikshëm social, e si të tillë edhe po përçojnë shembuj të këqij në masë. Si është e mundur të mos e kuptojmë se Kosova është e tëra në një mbyllje të tillë çmendurie televizive, morbiditet “prime-timesh”?
Si është e mundur të mos e kuptojmë që jemi pjesë e një “Big Brother-i” masiv eksperimental?
Si është e mundur që është kaq e pamundur të mendohet më qartë e më masivisht se ku jemi futur, ku na kanë future, ku hamë të gjallë secilin që nuk këndon këngën tonë, që nuk sheh ëndrrat tona, që nuk pjerdh si pjerdhim ne, që nuk bën dashuri si bëjmë ne?
Krejt kjo nga kush? Të përzgjedhurit, të zgjedhurit, eksperimenti në të cilin vetëm sa po zhytemi edhe më thellë në të, nga shtrati i plehut nga i cili po ike je i çmenduri I përzënë.
Pra. Duhet ta pranojmë. Kemi dështuar, jo nga jashtë, por nga brenda, nga vetja jonë, nga goja jonë gangrenë, nga ekrani ynë—sëmundje e pashërueshme, nga interneti që na shërben vetëm për të epidemizuar dështimin tonë deri në palcë. Nga faji, nga neveria, nga shpresa, nga determinimi fatkeq, nga ajo që vetëm teologjikisht ka një kuptim, megjithëse qesharak.
Duhet ta pranojmë, nuk ka hapësirë as kohë për askënd përpos tyre. Djersa e “normalëve”, sigurisht brenda një standardi të diskutuar për atë se çfarë është normale, shkon dëm; nuk ka kohë për ta, nuk ka hapësirë.
Koha e hapësira është e mbushur me gladiatorë që do të ishin komikë po mos të ishin kaq tragjikë për ne, për ata, për secilin që mallkueshëm jeton në këtë çoroditje e këtë llakërdi të ashtuquajtur politikë.
Duhet ta pranojmë, kemi humbur, e fitorja e tyre është humbja më e madhe që dikur ndoshta do të kuptohet, sigurisht nëse do të ketë subjekt që potencialisht do të ketë kohë e hapësirë ta kuptojë atë.
Autori është regjisor filmi dhe teatri