Shtojca për Kulturë

“DokuFest” shpërblen filmin që shpërfaq sfida rinore e krizë identiteti

Filmi “SOS” me regji të Anita Morinës sjell historinë e Drinit, një i ri nga Kosova me rutinën e tij të përditshme, duke regjistruar kohën e vajtje-ardhjeve të trenit të vetëm që kalon veç çdo dy ditë në stacionin ku punon ai

Filmi “SOS” me regji të Anita Morinës sjell historinë e Drinit, një i ri nga Kosova me rutinën e tij të përditshme, duke regjistruar kohën e vajtje-ardhjeve të trenit të vetëm që kalon veç çdo dy ditë në stacionin ku punon ai

Pa glamur, por me shkëlqimin e një edicioni tjetër të suksesshëm, u mbyll Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër në Prizren me shpalljen e fituesve. I sivjetmi është filmi “SOS” nga Anita Morina. Tema e sivjetme nën të cilën gjithçka ka marrë emër – “Lakmi, pafund çmendi, boshllëk” – nuk qe tamam temë a koncept. Erdhi si revoltë e protestë, për luftërat dhe gjithçka që po ndodh me botën. “DokuFest” protestoi me filma dhe jo vetëm, për shkëputjen e mendjes së njeriut nga realiteti

Ka vite që “DokuFest” i lë programet e tij të flasin, në vend të deklaratave e fjalimeve, qoftë në ceremoni a në ngjarjet e tyre. Janë bërë spektatorë të punës së tyre njëvjeçare për edicionin e sivjetmë madje edhe të bashkëbisedave të regjisorëve për filmat e tyre. Pa glamur, por me shkëlqimin e një edicioni tjetër të suksesshëm, u mbyll Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër në Prizren me shpalljen e fituesve. I sivjetmi është filmi “SOS” nga Anita Morina.

Juria e përbërë nga artisti nga Prizreni, Baris Karamuco, selektori spanjoll i filmave Jose Carbera Betancort dhe kineastja iraniano-holandeze, Sara Rajaei, ka vendosur që çmimin kryesor të Festivalit ta ndajë për filmin e shkurtër artistik që shtjellon sfidat me të cilat përballen të rinjtë e Kosovës.

Filmi me regji nga Morina sjell historinë e Drinit, një i ri nga Kosova me rutinën e tij të përditshme, duke regjistruar kohën e vajtje-ardhjeve të trenit të vetëm që kalon veç çdo dy ditë në këtë stacion. Ai në bashkëbisedë me të atin, rol që e luan Shkumbin Istrefi, flet për gjendjen e shtetit si reflektim i stacionit të trenit që dikur mbushej me udhëtarë e kishte disa linja. E sot kalon andej vetëm një herë në dy ditë. Konsiderohet si punë e kotë.

Në kërkim të “punës së vërtetë”

E madje personazhe si Samiri, kolegu i Drinit, nuk e konsiderojnë punë të vërtetë atë që e bëjnë. Ai është në kërkim të një pune “të vërtetë”, siç i referohet. Konsiderohet si punë e mbledhjes së kënaçeve dhe përherë janë në pritje të ndonjë mundësie jashtë vendit.

Me largimin nga puna si rrjedhojë e zëvendësimit të tij me një radar, Drini zhytet në një krizë ekzistenciale.

Regjisorja Morina ka thënë se filmi e ka nisur mbarë me premierën botërore.

“’SOS’ ka pasur premierën botërore në ‘DokuFest’, kështu që t’ia nisë kaq mirë, kaq ëmbël, është ndjenjë shumë e mirë. Jam shumë e lumtur. ‘DokuFest’ është pjesë e madhe e jetës time. Unë jam nga Prizreni, jam rritur këtu, ‘DokuFest’ më ka rritur dhe të vlerësohem prej tyre është më shumë se prekëse”, ka thënë ajo për KOHË-n derisa ka shpjeguar narrativën e filmit të saj.

“Drini është simbol i lumturisë së thjeshtë të cilën duhet ta hulumtojmë më shumë. Është një rol që flet për shumë gjëra të vogla në jetë dhe nuk bezdiset. E punon një punë që e do shumë, por fatkeqësisht e largojnë nga puna dhe pastaj e ka një krizë identiteti prej së cilës mësojmë shumë”, ka thënë më tej regjisorja Morina.

Filmi “SOS” gjithashtu ka fituar në Forumin e Filmit të Shkurtër sa i përket produksionit e Ana Morina si regjisore me një film të shkurtër fiksion.

Çmimin ia ka ndarë ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku. Ka thënë se po flet për të fundit herë nga skena e Festivalit si ministër i Kulturës.

“Për herë të fundit nga skena e ‘DokuFest’ po flas si ministër i Kulturës. Ka qenë bashkëpunim i jashtëzakonshëm dhe desha t’ju falënderoj për gjithë punën e mirë dhe partneritetin që besoj se do të vazhdoj. Edhe me hapjen edhe me mbylljen u thye një traditë r madhe. U mbajt këtu për të herë të parë. Ka të bëjë me ‘Lumbardhin’ pasi atje ka restaurim. Qe betejë për triumfin e kinemasë. Rroftë kinemaja”, ka thënë Çeku.

Ka bërë apel për t’i ditur vlerat e “DokuFestit”.

Po bëj apel ndonëse jo me qejfin më të madh: dijani vlerën ‘DokuFestit’, sepse tashmë nuk është veç një organizim i disa njerëzve, por është vetë qyteti. Dhe e dyta, sepse është ngjarja më e rëndësishme që ndodhë në qytetin tonë. Është shumë me rëndësi të dihet vlera e tij, sepse kush nuk ia di, e pëson vetë”, ka thënë ai nga skena e Festivalit në “Kino Lumi”. Tërthorazi ka ngjarë si një apel për qeverinë lokale, meqenëse sivjet organizatorët janë ankuar për përkrahje jo të duhur nga Komuna e Prizrenit.

Para se të shpallet fituesi i sivjetmë, në skenë është vlerësuar se kinematografia vendore vit pas viti po e rrit me krenari standardin dhe prezencën e filmave të Kosovës në skenën ndërkombëtarë.

Në garë për çmimin kryesor sivjet kanë qenë  filmat: “I had white cotton in my yard, I fed it, I watered it” nga Endi Tupja dhe Klodiana Millona, “Hyjnesha në fron” nga Durim Klaiqi, “Mos parko” nga Zana Radogoshi, “Fluturat” nga Astrit Ismaili, “SOS” nga Anita Morina, “Mua besoj më shpëtoj portreti” nga Alban Muja, “Fatbardha” nga Kitty Kentezi dhe  “Mama Klorin” nga Doreida Xhogu.

Gjithashtu edhe filmat “Pesë stinët e fëmijërisë sime” i Besim Ugzmajlit, “Ndera” i Endrit Qarollit, “Ben’s Birthday” i Robert Deçanit, filmi “Në parajsën socialiste (Nuk bie shi)” i Ermela Telit dhe “The Rabbit is Dead” i Hanis Bagashov.

Ëndrra për modernizimin e Turqisë

Çmimin e kategorisë “Balkan Dox” e ka marrë filmi “A strange colour of dream” nga turkja Yasemin Akinci, që flet për ëndrrën e modernizmit të Turqisë.

“Ndërsa ngrihen ndërtesa të reja, hendeku midis imagjinatës së tij dhe realitetit zgjerohet, duke reflektuar tensionet midis kujtesës, harresës, ëndërrimit dhe shkatërrimit”, shkruhet për këtë film.

“Ishte kënaqësi të isha atje, u ndjeva shumë mirë. Besoj se transmetimi i historive dhe kujtimeve tona është formë e fuqishme e rezistencës. Dua të falënderoj jurinë që me zgjedhjen e tyre e kanë përforcuar këtë kujtim”, ka thënë regjisorja nëpërmjet një videomesazh.

E mirënjohje speciale në këtë kategori  ka marrë Stefan Malesheviqi për filmin e tij “Soil and Wings”.

“Është filmi im i dytë i gjatë dhe ishte viti i dytë në ‘DokuFest’. Është nder kjo njohje, por ndihet veçanërisht për këtë film. Ka të bëjë me të gjitha fetë në Maqedoninë e Veriut. Njëjtë si ‘DokuFesti’ qytet i tolerancës. Do të doja të isha me ju, por është kënaqësi të përjetoja Festivalin në ‘Kino Lumi’”, është shprehur ai para se të falënderojë në shqip.

Çmim në kategorinë “Balkan Short Dox” ka marrë filmi “Merging Bodies” nga Adrian Paci. Filmi eksploron lidhjen midis trupave të punëtorëve dhe u bën homazh vlerave të punës.

“Ndihem i nderuar ta pranoj këtë çmim nga ‘DokuFest’, nga ky festival i mrekullueshëm. I falënderoj për ftesën anëtarët e jurisë, por nuk do të humb rastin të falënderoj bashkëpunëtorët në projekt”, ka thënë ai derisa ka përmendur me rend anëtarët e ekipit të filmit.

Ai ka falënderuar Festivalin nëpërmjet një video-mesazhi.

Mirënjohje speciale në këtë kategori ka marrë filmi “Antigona” nga Ibër Deari dhe Mirsad Abazi. Kjo kategori ka qenë risia e edicionit të sivjetmë që ka ardhur si rrjedhojë e potencialit të filmit të shkurtër dokumentar.

“Jemi shumë të lumtur të jemi në ‘DokuFest’, kemi parë shumë fikma dhe kemi parë shumë filma të mirë. Ky çmim i dedikohet Antigonës dhe shumë Antigonave që kanë guxim”, ka thënë Deari pasi ka pranuar Mirënjohjen.

Të shtunën mbrëma “DokuFest” ka zgjedhur më të mirët e edicionit të 24-t

Në kategorinë “International Feature Dox” filmi më i mirë është vlerësuar “Action Item” nga Paula Durinova. Eksploron se si lodhja personale shndërrohet në zgjim kolektiv. Ngre shumë pyetje për shoqërinë.

“Jam shumë e lumtur për këtë çmim, sepse filmi flet për shëndetin mendor dhe perspektivën që ndaj. Gjithashtu, për ndikimin e jetës sime në Berlin. Një qytet që për 24 muajt e fundit ka përjetuar shumë.

Është vlerësuar se ky program i filmave sivjet ka sjellë larmi të shumë temash.

“...nga histori personale të thella e të ndjeshme, te rrëfime mbi ngjarje historike, realitete politike, luftën për drejtësi dhe sfidat mjedisore. Kjo shumëllojshmëri jo vetëm pasqyron kompleksitetin e botës ku jetojmë, por edhe fuqinë e filmit dokumentar për të lidhur publikun me përvoja, kultura dhe këndvështrime të ndryshme”, është thënë në ceremoninë e mbylljes.

Figurantët me histori të vjetër

E te filmat e kategorisë “International Short Dox”, çmim ka marrë Christopher Radcliff për filmin e tij “We were the scenery” që ka për protagonistë dy personazhe që në vitin 1975 ikën me varkë nga Lufta e Vietnamit dhe mbërritën në Filipine. U përdorën më pas si figurantë në xhirimet e filmit “Apocalypse Now”.

Regjisori i Radcliff i është drejtuar publikut e organizatorëve nëpërmjet një videomesazhi.

Më vjen keq që nuk isha aty. Kam qene 14 vjet më parë dhe më kujtohet mirë që erdha në Prizren, i bleva nënës sime një dhuratë atje dhe sa herë e shoh më kujton Kosovën. Ky Çmim është edhe rikujtim se sa shumë dua të kthehem atje. Faleminderit shumë sërish”, ka thënë ai në videomesazh.

Drejtori artistik i “DokuFest”, Veton Nurkollari e ka ndarë çmimin. Në fjalimin e tij thjesht ka falënderuar të pranishmit.

“Mirë se erdhët në këtë natë të veçantë”, ka thënë shkurt ai.  

Te kategoria e Filmave të Shkurtër Ndërkombëtarë, është vlerësuar filmi “Blue Heart” nga Samuel Suffren. Filmi flet për dy protagonistë që jetojnë në Haiti dhe presin një telefonatë nga i biri i tyre që jeton në SHBA. Aty heshtja është rezultat i frikës dhe shqetësimeve të tyre.

“Do të doja të falënderoja jurinë, ekipin e Festivalit. Ky çmim shkon për familjen, për vendin tim”, ka thënë ai nëpërmjet një videomesazhi.

“DokuFest” ka të drejtën të kandidojë një film për çmimin Filmi më i Mirë i Shkurtër Evropian në Akademinë Evropiane të Filmit. Sivjet këtë rrugë e ka hapur për filmin “Masterpiece Mommy” nga Dorothy Sing Zhang”.

Në kategorinë “Human Rights” ka fituar filmi “My dear Theo” me regji nga Alisa Kovalenko.

“Faleminderit shumë ‘DokuFest’ për atmosferën e mahnitshme dhe mikpritëse. Jam kënaqur shumë”, ka thënë regjisorja. Ky film flet për kujtimet, dhe këtu krijova shumë kujtime.

Rritja e audiencës

Kategoria “Green Dox” që sjell rrëfime mbi natyrën është kaherë pjesë e festivalit. Linda Llulla-Gashi e ka ndarë çmimin për “Shifting Baselines” nga Julien Elie, ndërsa mirënjohje speciale për filmin “May the soil be everywhere” nga Yehui Zhao.

Kur është ndarë çmimi është bërë e ditur edhe nisma e “DokuFestit” për projektin e tyre “Solar Cinema” për të cilin edhe është kërkuar përkrahje publikisht.

Çmimin e Audiencën e ka fituar filmi “Palace of Youth” me regji nga Maddie Gwin.

“Filmi ndjek tri gjenerata muzikore në kohën e pasluftës në Prishtinë në kohëra turbulente duke u munduar të gjurmojnë midis izolimit të muzikës në Kosovë. Për mua ky çmim është njohje e skenës dhe e njerëzve që janë të përfshirë në film dhe në shfaqjen e filmit. E bëra këtë filmin për komunitetin muzikore dhe personat që janë aty tregojnë problemet me të cilat përballen në Kosovë”, ka thënë ajo për KOHË-n.

Çmimi për Distribuim i është ndarë filmit “Ndera” nga Endrit Çarolli.

Introja e mbylljes ka ardhur ndryshe nga ajo e hapjes. Me imazhe të ngjashme, por me narracionin që gjithçka do të ndryshojë. Si falënderim për publikun e përcjelljen e rrëfimeve edhe kur ato janë të dhimbshme.

Risia e Festivalit sivjet ka qenë Forumi i Filmit të Shkurtër ku janë prezantuar tetë projekte filmike. Fituesit u shpërblyen me çmime në vlerë monetare prej 5 mijë e 500 eurosh dhe katër çmime nga industria e filmit.

Për nëntë ditë janë shfaqur 213 filma, 9 koncerte, 8 diskutime, 4 masterklasa, dhe 6 punëtori për fëmijë. Pjesë e ceremonisë së mbylljes, si zakonisht kanë qenë edhe produktet nga këto punëtori në kuadër të programit edukativ ‘DokuKids”. Vullnetarët janë pjesë e veçantë për Festivalit duke qenë se si nismë e tillë nisi dhe “DokuFest”.

Eroll Bilibani, një prej organizatorëve të “DokuFest” e ka përshkruar me fjalë të thjeshta edicionin e sivjetmë. “Jam për 15 vjet në ‘DokuFest’ dhe ky është një prej edicioneve më të bukura që kemi pasur dhe më të lezetshme”, ka thënë ai.

Është shprehur se sivjet kanë guxuar të bëjnë gjëra të reja.

“Këtë vit kemi guxuar të bëjmë gjëra të reja të cilat me të vërtetë do të lënë një impakt në industrinë e filmit të Kosovës – Forumin për Filma të Shkurtër. Pas këtij edicioni të suksesshëm kemi ambicie që vitin tjetër të ftojmë edhe disa shtete të tjera dhe ta shndërrojmë Kosovën dhe ‘DokuFestin’ në një epiqendër të bashkëprodhimit për film të shkurtër dokumentar”, ka thënë ai.

Përgjatë këtij edicioni, është vërejtur rritje e dukshme e numrit të publikut në shfaqje filmash. E ka konfirmuar edhe Bilibani.

“Filmat kanë qenë shumë të mirë. Kemi pasur rritje të vizitorëve. Kemi pasur debate shumë gjallëruese”, ka thënë ai midis tjerash.

Pas ceremonisë, publiku ka pasur rastin të shoh filmat më të mirë të sivjetmë në secilën kategori. Në platenë e “DokuKinos” është shfaqur filmi fitues në kategorinë Kombëtare, në atë të filmit më të mirë ndërkombëtar të shkurtër si dhe atë të gjatë.

E në “DokuKino” është shfaqur filmi më i mirë ballkanik i gjatë dhe ai i shkurtër si dhe ai në kategorinë “Best International Feature Dox”. Në shtëpinë e kulturës është shfaqur Filmi më i mirë dokumentar për të drejtat e njeriut si dhe ai në kategorinë “Green Dox”.

Tema e sivjetme nën të cilën gjithçka ka marrë emër –  “Lakmi, pafund çmendi, boshllëk” –  nuk qe tamam temë a koncept. Erdhi si revoltë e protestë, për luftërat dhe gjithçka po ndodh me botën. “DokuFest” protestoi me filma dhe jo vetëm, për shkëputjen e mendjes së njeriut nga realiteti.

Sivjet kanë qenë gjithsej 99 filma në shtatë kategori garuese të përzgjedhur prej gati tre mijë e 500 aplikimesh nga e gjithë bota.

Festivali si aset i çmuar i Kosovës ka shënuar aktivitetin e fundit të edicionit me koncertin e grupit “Pulse of Berat” me të cilin ka sjellë trashëgiminë muzikore të qytetit të një mbi një dritareve. Vetë grupi e nderon këtë muzikë tradicionale, e koncerti në përgjithësi, në kuadër të programit të Festivalit ka qenë dialogu i tradicionales me në kuadër të “DokuNights” me muzikën bashkëkohore vendore e ndërkombëtare.

Me këngëtarë veteran e instrumentistë virtuozë nga Berati, që është në listën e vendeve të trashëgimisë botërore UNESCO, në “Kino Lumi” janë sjellë këngët që pasqyrojnë trashëgiminë e qytetit.

Me këngëtarët veteranë Petrit Berisha dhe Ludmilla Baballëku dhe instrumentistët e talentuar si  Mehmet Topi në klarinetë, Albi Kadëna me dhe Florenc Qafa në fizarmonikë, Altin Nuka në lahutë, Adrian Hodaj me daulle druri, Lutfi Keci me kitarë dhe Arjanit Qafa  me violin kanë sjellë seri melodish festive e harmoni sublime.

Kjo ka qenë festa e “DokuFest” për suksesin e edicionit e dhurata për publikun e tij përgjatë nëntë ditëve.  Është pasuar në mesnatë me ndejën e fundit të “DokuNights” me “Sound Metaphors DJs”, “Sleep D” dhe Genc Elezajn.

Në edicionin e kaluar, kur për herë të parë Gara Kombëtare erdhi në qendër të Festivalit, më i miri film u zgjodh filmi i shkurtër “Si e verdhë e sëmurë” nga Norika Sefa. Çmimi “Balkan Dox” i ishte ndarë filmit “Edhe një ditë” i regjisorit Eneos Çarka, “Mirënjohje Speciale” pati marrë filmi “Stray Bodies”.

“A fidai film” nga palestinezi Kamal Aljafari ishte shpallur më i miri në kategorinë “International Feature Dox”, e çmimin për Filmin më të Mirë Ndërkombëtar të Shkurtër e pati  fituar “History is written at night” nga Alejandro Alonso. “Best short film” vjet e pati fituar filmi “The death of a hero” nga Karin Franz Körlof, “Best Human Rights Dox” ishte zgjedhur dokumentari “Silence of the Reason” nga Kumjana Novakova e Çmimin e Audiencës e pati fituar “Afterwar” nga Brigitte Staermose.

Vjet Festivali u mbyll me filmin e shkurtër “Rrugës” të Samir Karahodës, e sivjet në “Kino Lumi” jehuan ritmet e këngës së Beratit.

Për organizatorët ky përfundim i edicionit është fillimi i një pune të gjatë te kapitull tjetër. Ai i magjisë së radhës së “DokuFestit” kur do të mbushë 25 vjet.