Shtojca për Kulturë

“Demokracia” e jazzit shkrin kufijtë e zhanreve

“Dimitris Tsakas Trio”

“Conversation helps” është albumi që e ka shpalosur “Dimitris Tsakas Trio” në “Prishtina Jazz Festival”. Muzika e treshes është një lloj bashkëbisedimi muzikor (Foto: PRF)

Në të dy koncertet e natës së dytë të “Prishtina Jazz Festival” midis veprave, kanë shpërthyer brohoritje e duartrokitje si konfirmim i muzikës kualitative. Të dy kanë dëshmuar atë që është thënë në këtë festival: se jazzi është demokratik kur bëhet fjalë për ndërlidhjen e kombinimin me zhanret e tjera. “Dimitris Tsakas Trio”, shëtit edhe te muzika tradicionale greke dhe jo vetëm. Energji krejt tjetër ka sjellë bendi “Trickster” nga New Yorku

Një trio greke që sjell jazzin bashkëkohor në formë të pastër dhe një bend katëranëtarësh nga New Yorku që bashkon ide e motive, kanë qenë protagonistë të natës së dytë të “Prishtina Jazz Festival”. Fryma të ndryshme muzikore të sjella në dy koncerte që lidhin stilin ballkanik me atë të anës tjetër të botës, kanë gjuhë të përbashkët muzikën jazz.

Se Festivali nuk ka nevojë për shumë bujë, është dëshmuar edhe në natën e dytë të tij. Salla ka qenë gati e mbushur krejt, por edhe po të mos ndodhë kjo, ata që janë në ulëset e publikut, janë dashamirë të vërtetë të kësaj muzike, dëgjues të devotshëm, e të zhurmshëm në vlerësim.

Në të dy koncertet, midis veprave, kanë shpërthyer brohoritje e duartrokitje si konfirmim i muzikës kualitative. Të dy kanë dëshmuar atë që është thënë në këtë festival: se jazzi është demokratik kur bëhet fjalë për ndërlidhjen e kombinimin me zhanret e tjera.

Në koncertin e parë ka interpretuar “Dimitris Tsakas Trio”. Saksofoni është në qendër. Natyrshëm ua krijon hapësirën kontrabasit e baterive dhe barra për rolin qendror bie nga njëri te tjetri. Kur dominon saksofoni i Dimitris Tsakas, dy të tjerët luajnë më lehtë. Por kur pushon krejt, vjen loja minimale e kontrabasit me shkop, pas një serie të gjatë të tingujve të nxjerrë me gishtërinj. E transmeton temën e saksofonit në një tjetër dimension.

Pas pjesës së parë, saksofonisti, kompozitori i pedagogu grek, udhëheqës i trios, ka përshëndetur në shqip para se ta prezantojë trion ku pos tij kanë luajtur edhe Kimon Karoutzos në kontrabas dhe Panagiotis Themas në bateri.

Ka bërë të ditur se veprat që janë luajtur në këtë koncert janë pjesë nga albumi i tyre i fundit “Conversation helps” me vepra që gërshetojnë edhe tradicionalen.  

“Trickster” kapërcen zhanret duke krijuar një stil unik. Energjia, elementi kryesor i bendit

“Graduate, unemployment” është interpretuar më pas. Me hyrjen nga saksofoni solo e te akordimi i trios për ritme tradicionale, ajo duket se sjell jazzin klasik. Me to akordohet edhe kontrabasi në solo. Unike ka qenë ajo e baterive që me tinguj të shthurur minimalistë ka sjellë një lloj atmosfere abstrakte. Audienca ka shpërthyer në duartrokitje pas çdo kapitulli.

Më tej kanë interpretuar veprën “New Rules”, që siç ngjan transmeton një lloj guximi e performancë të fuqishme. Më pas programi ka vazhduar me “Conversation helps”, nga e cila është emërtuar albumi i tyre, si bashkëbisedë midis trios me instrumente, “Katie blues” në frymën blues dhe u mbyll me “Why”.

Në përgjithësi, ka qenë përzierje elegante e improvizimit, ritmit dhe emocioneve.

Dimitris Tsakas ka studiuar me mjeshtër të jazzit si Andy McGee, Jerry Bergonzi, George Garzone dhe Steve Wilson. Gjatë dy dekadave të fundit, ai është bërë një nga saksofonistët më të shquar të Greqisë, duke kontribuar në mbi dyqind albume në zhanre të ndryshme.

Në pjesën e dytë, energji krejt tjetër ka sjellë bendi “Trickster”. Një lloj kaosi muzikor, veçmas në kombimin të jazzit me rock, por i saktë dhe përplot emocion. Ka qenë përzierje agresive e stileve bashkëkohore të dy zhanreve në veprat “Dog star”, “Rick six”, “Caduscus” dhe “Cadzu”.

Veprat që kanë interpretuar kanë për autor liderin e bendit, Miles Okazaki.

“Hera e parë në Prishtinë. Audienca u vërejt që e do muzikën. Kemi qëndruar këtu shumë shkurt, erdhëm mbrëmë dhe do të ikim nesër. Është vetëm një ditë, fatkeqësisht, por, e di që në këtë rajon në përgjithësi, muzika është shumë e rëndësishme. E kemi filluar këtë tour në Sarajevë dhe tani jemi këtu. Është interesante të vijmë dhe të shohim se salla është plot”, është shprehur ai në fund të koncertit duke përmendur edhe stilet e ndryshme që kanë sjellë.

“Patëm rock, funk, kemi shumë stile që i bashkojmë me jazz”, ka vazhduar ai. Ka thënë se nuk ka një temë të veçantë në këto vepra, pos të krijojnë një energji të mirë për publikun me këngët e tyre.

“Ne thjesht mundohemi të krijojmë energji. Nuk ka të bëjë me demonstrimin e diçkaje, thjesht të bëjmë diçka emocionuese. Kjo është e tëra, vërtet. Është e bazuar në shumë lloje muzikore, por ne thjesht duam të bëjmë diçka argëtuese për publikun”, është shprehur ai më tej.

“Trickster” u themelua në vitin 2015 si një projekt anësor, ndërsa Miles Okazaki, Anthony Tidd dhe Sean Rickman punonin si seksion ritmi për Steve Coleman dhe “Five Elements”.

Grupi ka publikuar katër albume me kompozime nga Miles Okazaki në “Pi Recordings” (“Trickster”, “The Sky Below”, “Trickster’s Dream” dhe “Thisness”) dhe një album live (“Live in Brooklyn”), në “Cygnus Recordings”. Trickster përfshin Miles Okazaki në kitarë, Matt Mitchell në piano, Anthony Tidd në bas-kitarë dhe Sean Rickman në bateri.

Bateristi Sean Rickman ka thënë se ka qenë shumë sfidues interpretimi në sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare.

“Ishte shumë sfiduese, sepse gjërat janë sfiduese këtu. Kjo sallë është bërë për fjalime. Ne u munduam t’ia dalim me zërimin, por është vërtet shumë e keqe. Është sfiduese në atë mënyrë. Është hera e parë në Kosovë, kështu që qysh herën e parë ishte sfiduese. Bendi është bashkuar qe dhjetë vjet. Ishte planifikuar që ne të vijmë më herët këtu dhe tani që erdhëm është ‘wow, tash jemi këtu’. Secili është munduar ta bëjë punën e tij më së miri. Ne erdhëm dhe gjithçka funksionoi mirë”, është shprehur ai.

Ka bërë të ditur se kanë luajtur muzikë nga albumi i tyre i tretë.

“Ishim si lloj DJ në klub nate, ku përzjemë muzikën, ritmi vazhdonte dhe ndryshonte. Por ne nuk kemi një listë të veçantë. Nuk e luajmë të njëjtën çdo natë. Gjithmonë e ndryshojmë tempin dhe kjo është shumë normale për ne”, ka thënë ai.

Në natën e tretë përmbyllëse të “Prishtina Jazz Festival” të shtunën mbrëma, maestro Armend Xhaferi nuk ka qenë në cilësinë e drejtorit. Është ngjitur në skenën tok me Jure Pukl në saksofon, Joshua Ginsburg në bas dhe Gregory Hutchinson në bateri. Njësoj si krejt koncertet e lë jehonën e edicionit të 13-të si paralajmërim për kapitujt e radhës.