Shtojca për Kulturë

Dekonstruktimi shkencor i mitit vetëshkatërrues për shoqërinë serbe

Holm Sundhaussen (1942–2015)

Holm Sundhaussen (1942–2015)

Kur historiani gjerman Holm Sundhaussen botoi librin “Geschichte Serbiens: 19.–21. Jahrhundert”, qarqet akademike serbe u trazuan. Përurimi i librit të tij në Beograd u shoqërua edhe me tentativa për sulm fizik nga disa studiues dhe akademikë serbë. Ai ka dekonstruktuar shtresën mitike të historiografisë serbe, duke ekspozuar ndërthurjen e miteve, nacionalizmit dhe narrativave politike që për dekada kishin ndikuar në formësimin e identitetit historik dhe vetëdijes kolektive të shtetit serb. Recensioni për librin është njëherësh edhe një homazh për të në dhjetëvjetorin e vdekjes

Holm Sundhaussen (1942–2015), vazhdon të mbetet një pikë thelbësore referimi në studimet për Evropën Juglindore, falë një krijimtarie të gjerë dhe të qëndrueshme shkencore, që ka ndriçuar historinë politike, kulturore dhe identitare të rajonit. E, recensioni për librin e tij “Geschichte Serbiens: 19.–21. Jahrhundert” (“Historia e Serbisë: Shekulli XIX–XXI”), Böhlau Verlag, Wien 2007, është njëherësh edhe një homazh për të, në dhjetëvjetorin e vdekjes si kujtim për njërin prej zërave më autoritativë të historiografisë gjermane mbi Ballkanin. Sundhaussen ishte profesor i historisë së Evropës Juglindore në Institutin e Evropës Lindore në Universitetin e lirë të Berlinit. Në vitin 2007 ai ia doli të botonte veprën e tij madhore “Historia e Serbisë: Shekulli XIX–XXI”, pas së cilës shpërthyen debate në Serbi, veçanërisht pasi libri u botua edhe në gjuhën serbe. Në këtë libër, historiani gjerman Holm Sundhaussen, përmes metodologjisë së tij të rreptë shkencore dhe qasjes demitologjizuese ndaj historisë, kishte dekonstruktuar shtresën mitike të historiografisë serbe, duke ekspozuar ndërthurjen e miteve, nacionalizmit dhe narrativave politike që për dekada kishin ndikuar në formësimin e identitetit historik dhe vetëdijes kolektive të shtetit serb. Ai tregon se këto mite, në vend që të forconin vetëdijen kombëtare dhe identitetin historik, u shndërruan në mekanizma vetëshkatërrues për shoqërinë serbe, duke ndikuar negativisht në perceptimin e saj për të kaluarën dhe të tashmen. Reagimet e shumta tregojnë një gjë të qartë: pjesa më e madhe e opinionit publik dhe madje shumica e historianëve në Serbi ishin të nevrikosur me pikëpamjet e një historiani të huaj, para së gjithash të një historiani gjerman, i cili me guxim intelektual dhe argumente shkencore sfidon jo vetëm narrativën dominuese, por edhe kulturën e mbyllur akademike të nacionalizmit serb. Gjatë një bashkëbisedimi në Universitetin e Lirë të Berlinit, ku po ndiqja leksionet për histori te prof. Sundhaussen dhe njëkohësisht e kisha edhe mbikëqyrësin tim akademik, Sundhaussen më rrëfeu një përvojë domethënëse nga prezantimi i librit të tij mbi historinë e Serbisë në Beograd. Prania e tij në këtë ngjarje ishte shoqëruar me reagime të ashpra, madje edhe me tentativa për sulm fizik nga disa studiues dhe akademikë serbë. Arsyeja e deklaruar nga kundërshtarët e tij ishte se një historian i huaj, aq më pak “një gjerman nuk mund ta kuptojë historinë e Serbisë”.

Libri i Holm Sundhaussen për historinë e Serbisë u shoqërua me kritika të ashpra, pasi autori nuk u rreshtua me narrativën kombëtare serbe në interpretimin e ngjarjeve historike. Një fenomen i tillë nuk është i pazakonshëm në historiografinë ballkanike dhe është vërejtur edhe në rastet e autorëve të tjerë perëndimorë, si Ulf Brunnbauer, kur trajton historinë e Bullgarisë, apo Oliver Jens Schmitt, me librin e tij për Skënderbeun.

Një nga veprat më të guximshme në studimet për Ballkanin

Libri i tij mbulon dy shekuj histori serbe (1804–2000), duke ndërthurur historinë politike me atë shoqërore, kulturore dhe ekonomike në një sintezë të rrallë analitike. Serbia, me rolin e saj qendror në stabilitetin e Ballkanit dhe sfidat e integrimit evropian, paraqitet në këtë libër si rast studimi për përplasjen midis traditës dhe modernitetit. Me këtë vepër ai u bë historiani më i rëndësishëm gjerman i Evropës Juglindore i cili paraqet një bilanc të gjithë veprimtarisë së tij shumëvjeçare mbi Serbinë. Ky libër, me mbi pesëqind faqe, përbën një kronikë të gjallë dhe gjithëpërfshirëse, e ndërthurur me analiza të thelluara që burojnë nga akribia shkencore dhe përvoja e gjerë kërkimore e autorit. Sundhaussen arrin të ruajë një ekuilibër të rrallë midis distancës shkencore dhe ndjeshmërisë njerëzore, duke e shndërruar këtë libër në një kundërvënie të argumentuar ndaj historiografisë mitizuese tradicionale dhe një nga veprat më të guximshme të historisë kritike bashkëkohore në studimet për Ballkanin.

Libri është i konceptuar nga parathënie, tre kapituj: Arena e “kujtimeve”, “Shekulli i gjatë” XIX, “Shekulli i shkurtër” XX, dhe pjesa përmbyllëse e titulluar “Filozofia e Palankës apo shoqëria e hapur?”.

Në parathënien e tij me titullin domethënës “Çfarë është një histori e Serbisë dhe si mund të shkruhet ajo?” historiani gjerman Holm Sundhaussen ndërton një reflektim teorik dhe metodologjik mbi vetë mundësinë e të shkruarit të historisë së Serbisë. Sipas tij, historia është një proces intelektual, i ndërtuar mbi rregulla metodike, burime dhe verifikueshmëri shkencore, ndërsa e kaluara e përjetuar – kujtesa kolektive – është një konstrukt emocional, shpesh mitizues, që shërben për të formësuar identitetin e komuniteteve. Sundhaussen argumenton se në hapësirën serbe, ashtu si në gjithë Ballkanin, kufijtë midis kujtesës dhe historisë janë të paqartë dhe shpesh të ndërthurur. Për të, mitet kombëtare – si ai i “Kosovës” apo i “Epokës së Artë” mesjetare – kanë shërbyer si mekanizma për legjitimimin e projekteve politike hegjemoniste, duke penguar zhvillimin e një vetëdijeje historike kritike. Ai nënvizon se roli i historianit nuk është të përsërisë këto mite, por t’i demitizojë ato nëpërmjet analizës empirike dhe ballafaqimit me faktet.

Në aspektin përmbajtjesor, Sundhaussen e përkufizon librin si një sintezë të politikës, shoqërisë dhe kulturës, ku historia e shtetit dhe e kombit serb shfaqet jo si një proces linear, por si një zhvillim me ndërprerje, kontradikta dhe riinterpretim të vazhdueshëm të miteve kombëtare. Ai i kushton rëndësi edhe dallimit midis Serbisë reale dhe asaj mendore (“mentale Landkarte”), duke treguar se Serbia si shtet dhe Serbia si imagjinatë historike nuk kanë qenë kurrë të mbivendosura plotësisht. Sundhaussen thekson se një “histori e Serbisë” nuk mund të kuptohet pa e lidhur atë me proceset ballkanike dhe evropiane, dhe pa e parë kombin serb në shumësin e tij historik dhe gjeografik – si Serbi politike, kulturore dhe diasporike.

Në kapitullin e parë, “Shekulli i gjatë XIX: Rilindja shtetërore dhe kombëtare”, autori trajton njërën prej pjesëve më thelbësore të veprës së Holm Sundhaussenit, pasi në të vendosen themelet e konceptit të “rilindjes shtetërore dhe kombëtare serbe”. Shekulli XIX paraqitet si periudha e transformimit strukturor të Serbisë nga një provincë osmane në një shtet gjysmë të pavarur, me një identitet kombëtar gjithnjë e më të konsoliduar.

Autori e koncepton këtë periudhë si një “shekull të gjatë”, gjatë të cilit proceset e formimit shtetëror, modernizimit dhe zhvillimit të nacionalizmit ecin paralelisht, shpeshherë në tension dhe ndërveprim të ndërsjellë.

Aleanca paradoksale midis administratës osmane dhe serbëve

Në vijim, Sundhaussen ofron një trajtim të hollësishëm për dy kryengritjet serbe (1804 dhe 1815), të cilat i paraqet jo si akte spontane kundër sundimit osman, por si fillimin e një procesi të gjatë institucionalizimi politik. Ai përshkruan në mënyrë analitike kontekstin e brendshëm osman – veçanërisht konfliktin midis jeniçerëve, një trupë elitare ushtarake e Perandorisë Osmane, e përbërë kryesisht nga djem të krishterë të rekrutuar përmes sistemit të devshirmesë, dhe Portës së Lartë — duke treguar se lufta e serbëve për autonomi lindi si pasojë e dobësimit të strukturave osmane dhe modernizimit të vonuar të perandorisë. Përmes figurës së vezirit osman në Beograd, Haxhi Mustafa Pashës, dhe politikave të tij ndaj popullsisë lokale, autori thekson karakterin paradoksal të një aleance të përkohshme ndërmjet administratës osmane dhe popullsisë serbe kundër jeniçerëve. Në përpjekje për t’i mbajtur ata larg nga provinca e tij, Mustafa Pasha madje shpërndau armë në mesin e popullsisë serbe, duke fituar reputacion të lartë si “mbrojtës” i tyre. Ndërkaq, autori e paraqet sundimin e princit Milosh Obrenoviq si një fazë kalimtare ndërmjet revolucionit dhe konsolidimit shtetëror, gjatë së cilës Serbia fitoi një autonomi të kufizuar me Hatt-i Şherifët e viteve 1830 dhe 1833, duke shënuar kështu fillimin e institucionalizimit politik me themelimin e Kuvendit dhe Këshillit të Shtetit si organe të para të qeverisjes vendore. Kjo periudhë, megjithatë, karakterizohet nga një autokraci paternaliste, ku autoriteti i princit mbetej më i fortë se ligji dhe parlamenti.

Sundhaussen e përshkruan këtë periudhë si një “transformim të paplotë”, pasi Serbia po kalonte nga strukturat feudale drejt një rendi burokratik modern, por ende nuk kishte arritur të vendoste sundimin e ligjit dhe përfaqësimin politik real, duke mbetur në një gjendje tranzicioni midis autoritarizmit paternalist dhe aspiratave për shtet kushtetues.

Më tej autori trajton periudhën pas abdikimit të Milloshit dhe ngritjen e oligarkisë së “mbrojtësve të kushtetutës”, që kërkonin të modernizonin shtetin sipas modeleve perëndimore, fazë të cilën Sundhaussen e sheh si nisje të procesit që bashkëkohësit e quajtën “kthim në Evropë” – një projekt që për disa nënkuptonte shkëputjen nga trashëgimia osmane, ndërsa për të tjerët afrimin me standardet politike, juridike dhe kulturore të Evropës Qendrore, duke ruajtur identitetin kombëtar.

Ky kapitull dëshmon mjeshtërinë shkencore të Sundhaussenit në ndërthurjen e historisë politike me zhvillimet shoqërore dhe ekonomike. Ai shmang qëllimisht narrativën heroike të “rilindjes kombëtare” dhe, në vend të saj, aplikon një optikë strukturaliste, duke interpretuar zhvillimin e shtetit serb si rezultat të ndërveprimeve komplekse ndërmjet elitave lokale, trashëgimisë osmane dhe presioneve modernizuese perëndimore. Kjo qasje e distancon autorin nga historiografia romantike dhe e vendos analizën e tij në kuadër të historisë krahasuese evropiane, duke e bërë librin një model të historiografisë kritike dhe demitologjizuese.

Vuk Karaxhiqi – themeltar i nacionalizimit kulturor serb

Kapitulli “Shekulli i shkurtër XX: Krizat dhe katastrofat shtetërore e kombëtare” përbën një nga boshtet konceptuale të veprës së Sundhaussenit, sepse ai zhvendos fokusin nga procesi i formimit shtetëror drejt formimit kombëtar, duke e interpretuar ndërtimin e kombit serb si një projekt kulturor dhe simbolik, e jo thjesht politik. Autori e lidh këtë proces me ndikimin e Iluminizmit dhe Revolucionit Francez, të cilat përhapën në Evropë idenë e “kombit” si kategori të re politike dhe identitare – qoftë në kuptimin qytetar, qoftë në atë etno-kulturor. Për popujt pa një shtet të konsoliduar, si serbët, rruga e vetme ishte ajo e dytë: konceptimi i kombit si bashkësi natyrore, organike dhe kulturore, ku përkatësia kombëtare u ngrit në parim themelor të identitetit kolektiv. Në këtë kuadër, Sundhaussen përshkruan mënyrën se si mendimtarët serbë të shekullit XIX, si Dositej Obradoviq dhe Jovan Rajiq, nën ndikimin e filozofëve si Herder, filluan ta konceptojnë “popullin” si një kategori kulturore, morale dhe historike. Në këtë fazë, populli shihej si bartës i autenticitetit dhe traditës, ndërsa gjuha dhe zakonet u shndërruan në elemente përbërëse të identitetit kombëtar. Pjesa e rëndësishme e kapitullit është analiza që Sundhaussen i bën figurës së Vuk Karaxhiqit, të cilin e paraqet si themeltar të nacionalizmit kulturor serb. Me reformën e tij gjuhësore, Karaxhiq e shpalli gjuhën popullore (folklorike) si standardin e vetëm legjitim të kombit, duke e lidhur identitetin kombëtar me gjuhën e folur dhe kulturën popullore, e jo me dinastitë apo Kishën Ortodokse. Sipas Sundhaussenit, kjo qasje përfaqësonte një nacionalizëm integrues gjuhësor, që synonte të përfshinte të gjithë folësit e serbishtes, pavarësisht përkatësisë fetare apo gjeografike.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë