Në qendër të ekspozitës është pauza e vogël ditore, ajo që merret për qetësi, por që me përsëritje tretet brenda rutinës. Në mur janë vendosur vizatime të vogla, të realizuara me një vijë të qetë, thuajse neutrale, ku shfaqen gra në momente të zakonshme: duke pushuar, duke vëzhguar, duke pirë një cigare. Ato nuk janë skena dramatike, as deklarata të forta. Janë fragmente të përditshmërisë që mbajnë tensionin e heshtur të roleve të shumta
Me ekspozitën “Cigarette Break” të Diellza Salicanës është mbyllur jo vetëm “Pop-up Art Week”, por edhe një cikël i tërë katërvjeçar i programit të “Galerisë 17” në këtë hapësirë. Pauza e punës është shndërruar në temë, metodë dhe përvojë fizike. Hapësira është ndarë qartësisht në dy pjesë: në njërën është lejuar cigarja, në tjetrën jo. Vizitorët kanë kaluar nga njëra anë në tjetrën, duke e bërë trupin e tyre pjesë të instalacionit, pa e kuptuar menjëherë se po e riprodhojnë vetë logjikën e veprës.
Në qendër të ekspozitës është pauza e vogël ditore, ajo që merret për qetësi, por që me përsëritje tretet brenda rutinës. Në mur janë vendosur vizatime të vogla, të realizuara me një vijë të qetë, thuajse neutrale, ku shfaqen gra në momente të zakonshme: duke pushuar, duke vëzhguar, duke pirë një cigare. Ato nuk janë skena dramatike, as deklarata të forta. Janë fragmente të përditshmërisë që mbajnë tensionin e heshtur të roleve të shumta.
Vetë ndarja fizike e hapësirës ka funksionuar si zgjerim i konceptit. Shiriti që shënon “smoking area” nuk është vetëm element organizativ, por pjesë e gjuhës së ekspozitës. Njerëzit janë mbledhur aty, kanë pirë cigare, kanë biseduar, duke krijuar një zonë të qetë, pa pasoja të dukshme. Pikërisht ky normalitet i ka dhënë peshë veprës. Pauza nuk ka qenë e dramatizuar, por e përjetuar. Një hapësirë e ndërmjetme ku rolet janë mjegulluar për pak çaste, pa u zhdukur.
Salicana nuk e ka trajtuar cigaren si simbol rebelimi apo arratisjeje, por si veprim të zakonshëm që, pikërisht pse përsëritet, bëhet i padukshëm.
“Koncepti i ekspozitës flet për një veprim, fenomen që njeriu e përzgjedh për të dalë pak prej rutinës ditore, unë në këtë rast e kam përzgjedhur cigaren, se qysh mund të marrësh pauza të vogla ditore për t’i ikur realitetit, për t’i ikur rutinës së ditës, që ta marrësh një kohë për qetësi për vete e në të njëjtën kohë që ai veprim bëhet edhe pjesë e rutinës, por nuk e vëren”, ka thënë ajo për KOHËN.
Pushimi nuk e ndërpret rrjedhën e jetës, por bashkëjeton me të, pa premtuar ndryshim, vetëm vazhdimësi.
Shumica e figurave janë femra, jo si pozicionim ideologjik i zëshëm, por si vëzhgim i një realiteti të përditshëm.
“Kam dashur me këtë ta përfshij atë idenë se qysh një grua, sado që ka punë ose ka një profesion apo hobby që është duke e bërë dhe është e zënë gjatë ditës, prapëseprapë e merr atë pushimin e vet që i nevojitet, edhe pse ai pushim i është bërë pjesë e rutinës”, ka theksuar Salicana, duke e parë pauzën si një nevojë që ekziston edhe kur bëhet zakon.
Në disa prej punëve hyjnë figura shtazore, prani jonjerëzore që e zhvendosin lehtë skenën nga realizmi i drejtpërdrejtë. Ato nuk funksionojnë si metafora të qarta, por si elemente që e zbusin kornizën dhe krijojnë paqartësi. Përmes tyre shikuesi mund të vëzhgojë pa u detyruar të identifikohet drejtpërdrejt me figurën njerëzore. Skena bëhet më e lehtë për t’u kapur, por njëkohësisht më e hapur, duke e mbajtur tensionin nën sipërfaqe. Asgjë nuk çahet, asgjë nuk zgjidhet. Pauza shkrihet me rutinën dhe rikthehet në pikën e nisjes.

Nga publiku Art Çibukçiu ka vlerësuar qasjen e artistes ndaj jetës së përditshme, duke theksuar se zgjedhja e cigareve si element është veçanërisht domethënëse në kontekstin lokal.
“Jam gëzuar shumë kur i kam parë punët e saj duke dalë në pah. Diellza e ka një qasje shumë interesante sa u përket punëve të saj, se merret me jetën e përditshme, merret me sende që krejt shkojmë nëpër to, rutinën. E ka zgjedhur një element shumë specifik për plot njerëz, sidomos në Kosovë, që është cigarja edhe ajo koha që e marrin njerëzit gjatë ditës së tyre për ta pirë një cigare, normal sipas stilit të saj se qysh e ka paraqitur atë punë”, ka thënë ai, duke e cilësuar punën si mbresëlënëse pikërisht për shkak të thjeshtësisë dhe precizitetit të saj.
Në këtë ekspozitë, gjesti minimal ka qenë mjaftueshëm i fortë për të hapur një fushë reflektimi pa e imponuar atë. Ekspozita ka shërbyer edhe si akt përmbyllës për “Galerinë 17” në këtë lokacion. Sihana Klisurica nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” ka theksuar se tri ekspozitat e “Pop-up Art Week” e kanë bërë më të plotë këtë javë.
“Kanë qenë tri ekspozita të ndryshme, me tematika të ndryshme, që po më duket edhe e kanë bërë më të bukur këtë javën e ‘Pop-up Art Week’. Po e përmbyllim me një koncert të muzikës punk-metal. Arsyeja pse kemi vendosur ta mbyllim ‘Pop-up Art Week’, po ashtu edhe programin katërvjeçar të ‘Galerisë 17’ në këtë hapësirë fizike është se kjo hapësirë, para se të shndërrohet në galeri, ka qenë automekanik dhe po mendojmë se edhe këto bendet e muzikës rock, metal e të tjera zakonisht ushtrimet dhe formimet e tyre i kanë nëpër garazhe dhe si koncept përshtatet shumë”, ka thënë ajo.
Ka kujtuar se që në fillim të strategjisë katërvjeçare ka qenë paraparë edhe një botim përmbyllës.
“Qysh në fillim, kur është hartuar edhe programi dhe strategjia e ‘Galerisë 17’ për ciklin katërvjeçar, është menduar që në përfundim të ketë edhe një botim në formë të librit apo katalogut; një përmbledhje katërvjeçare ku i trajtojmë këto tema që ne kemi konsideruar se janë të rëndësishme të trajtohen për kontekstin tonë lokal dhe jo vetëm, por edhe për zhvillimin e artit bashkëkohor në vend”, ka thënë ajo, duke bërë të ditur se viti i ardhshëm do të fokusohet pikërisht në këtë përmbledhje voluminoze dhe në ndërtimin e programit të ri të “Galerisë 17” në një hapësirë tjetër.
Në këtë mbyllje ekspozita e Diellza Salicanës nuk ka kërkuar kulm emocional. Ajo ka zgjedhur një ritëm tjetër: të ngadaltë, të përsëritur, të qëndrueshëm. Një pauzë që nuk premton më shumë se vetveten, por që, pikërisht për këtë arsye, flet qartë për mënyrën se si jeta vazhdon. Edhe në hapësirën e galerisë, pauza është tretur në rutinë dhe rutina ka mbetur aty, e vëzhgueshme dhe pa zhurmë.