Me interes është përshkrimi i gjendjes faktike në Banjskë, ku sipas dëshmisë së konsullit kur ai kishte qëndruar për herë të parë aty “në vitin 1891 i kishte gjetur 60 shtëpi turke që flisnin serbisht (muhaxhirë nga Bosnja – S. L.), ndërsa pas shtatë vjetësh, gjegjësisht në vitin 1898 aty kishin mbetur vetëm 50 shtëpi…”.“Është më mirë të jetohet në Mitrovicë sesa në Prishtinë”, shpreheshin ata që e vizitonin këtë qytet në fillim të shekullit XX. Prandaj qarqet politike në fqinjësinë e Kosovës, zhvillimin dhe përparimin e Mitrovicës por edhe rrethinës, qysh me kohë e vunë në shënjestër të realizimit të interesave të ndryshme që në çfarëdo mënyre lidheshin me këtë qendër. Kështu, nëpunësi i konsullatës serbe në Vilajetin e Kosovës në vitet 1890 – 1898, Ivan Ivaniq (1867 - 1935) shprehej se “ata që i dëshirojnë brigjet e Detit Egje dhe muret e bardha të Selanikut, nuk do të duhet të presin shumë, pasi Mitrovica është faza e parë e “Drang nach Osten”
“Në rrjedhën e zhvillimeve politike dhe ushtarake në prag të shekullit XX, përveç tjerash, Mitrovica e fitoi rolin e bazës së rëndësishme ushtarake apo thënë më qartë të qytetit prej nga koordinohej mbrojtja e pjesëve veriore të Kosovës por edhe e viseve të Kollashinit e Sanxhakut të Novi Pazarit. Paraprakisht gjatë luftës turko–serbe, Mitrovica në fakt ishte qendër e ushtrisë turke që nga Toplica deri në Uvac, prandaj edhe këtu u ngritën kazermat e mëdha të ushtrisë, ahuret për kuaj dhe më vonë u ngrit edhe një magazinë e madhe e barutit. Kazermat gjenden në qytet, ndërsa magazina është gjysmë ore larg qytetit, në të djathtë të rrugës Mitrovicë – Vushtrri. Pra Mitrovica tani ishte një seli e vërtetë ushtarake me një prezencë të përhershme të ushtrisë” – ka shkruar Todor P. Stankoviq.
Me interes është edhe përshkrimi i gjendjes faktike në Banjskë, ku sipas dëshmisë së konsullit kur ai kishte qëndruar për herë të parë aty “në vitin 1891 i kishte gjetur 60 shtëpi turke që flisnin serbisht (muhaxhirë nga Bosnja – S. L.), ndërsa pas shtatë vjetësh, gjegjësisht në vitin 1898 aty kishin mbetur vetëm 50 shtëpi…”
Mitrovica qyteti i parë i “Drang nach Osten”
“Është më mirë të jetohet në Mitrovicë sesa në Prishtinë”, shpreheshin ata që e vizitonin këtë qytet në fillim të shekullit XX. Prandaj qarqet politike në fqinjësinë e Kosovës, zhvillimin dhe përparimin e Mitrovicës por edhe rrethinës, qysh me kohë e vunë në shënjestër të realizimit të interesave të ndryshme që në çfarëdo mënyre lidheshin me këtë qendër. Kështu, nëpunësi i konsullatës serbe në Vilajetin e Kosovës në vitet 1890 – 1898, Ivan Ivaniq (1867 - 1935) shprehej se “ata që i dëshirojnë brigjet e Detit Egje dhe muret e bardha të Selanikut, nuk do të duhet të presin shumë, pasi Mitrovica është faza e parë e ‘Drang nach Osten’ dhe e fushatës ushtarake ‘au de la de Mitrovitza’”.
Padyshim se të gjitha këto opinione rreth qendrës së Mitrovicës do ta kenë nxitur zëvendëskonsullin e Serbisë, shkrimtarin njohur, Branisllav Nushiq (1864-1938) të shkruante lidhur me mundësinë e hapjes së konsullatës serbe në Mitrovicë. Në njërin prej dokumenteve që ruhet në Arkivin Shtetëror të Serbisë ai është shprehur se “hapja e konsullatës serbe në Mitrovicë do të mund të krijonte fushëveprim më të gjerë, sepse konsullata e Prishtinës nuk e kishte këtë pozicion. Prandaj do të ishte e rrugës që në Mitrovicë, fillimisht ta merrja një banesë me qira për tre muaj, ndërsa të gjitha shpenzimet për një vit nuk do ta kalonin shumën prej 1130 dinarëve”.

Lidhur me hapjen e konsullatës serbe në Mitrovicë në një raport të veçantë dhe të arkivuar është porositur se “krahasuar me Prishtinën, Mitrovica ka më tepër përparësi. Tashmë e tërë bota e di se Mitrovicën e pret një ardhmëri e ndritshme. Përveçse që është në vijën hekurudhore, në Mitrovicë ndodhet edhe një kryqëzim rrugësh të rëndësishme... Veçse këtyre faktorëve, kontaktet e mitrovicasve me të huajt kanë ndikuar që ata të fisnikërohen më tepër sesa prishtinasit. Më në fund sikur do të kishte vullnet që propagandës sonë t’i japim gjallëri në Novi Pazar, atëherë atë do të mund ta zhvillonim me komoditet edhe nga Mitrovica. I vetmi fakt që flet kundër transferimit të konsullatës nga Prishtinë në Mitrovicë, i përket organizimit administrativ pasi Prishtina tani qëndron më lart se Mitrovica, sepse, Mitrovica është qendër e kajmekamllëkut, ndërsa Prishtina e mytesarifllëkut. Prandaj nëse do të bëhej transferimi i konsullatës atëherë ajo bartet nga një qendër më e madhe, në një më të vogël”.
Ndërsa sipas statistikave zyrtare turke, në fillim të shekullit XX, në Mitrovicë jetonin rreth 8 banorë. Për dallim, nga të dhënat e dekadës së fundit të shekullit të XIX, tani në Mitrovicë kishte rreth 180 shtëpi serbe. Në ndërkohë ishte ngritur edhe një xhami dhe tashmë qyteti i kishte 5 sosh, por për dallim prej më herët në Mitrovicë tani ishte shtuar dukshëm numri i shkollave fillore turke.
“Shqipëria e Vjetër” e bijve të Ali Dragës në vitin 1898
Siç dihet pjesë e emblemës së Mitrovicës është familja Draga. Ishte dimri i vitit 1898 kur dy bijtë e Ali Dragës, Hajdini dhe Ferhati ishin gjetur në Shkup. Kuptohet se kryeqendra e Vilajetit të Kosovës, ishte qendër diplomatike dhe tregtare e kohës, ndoshta me një zhvillim dinamik më të veçantë në Ballkanin e asaj kohe. Sipas shkresarit të konsullatës serbe në Prishtinë, Ivan Ivaniq biseda mes tij dhe bijve të Ali Dragës ishte zhvilluar në orët e vona të natës midis 19 dhe 20 dhjetorit të vitit 1898, në shtëpinë e agjentit tregtar dhe komisionerit të nënshtetasve serbë në Shkup, Jovan Jovanoviqit. Kuptohet se kjo bisedë është dokumentuar si raport i veçantë, por megjithatë nuk besohet se Ivaniq para vëllezërve Draga të jetë paraqitur me identitetin e tij të vërtetë, gjë që ata kanë mundur të mësojnë për të vetëm më vonë.
“Të bijtë e Ali Dragës, Hajdini dhe Ferhati më thanë se familja e tyre vjen nga Mojstiri. (Siç dihet Ali Draga i kishte pesë djem, Ahmetin (18??-????), Hajdinin (1864-1914), Nexhibin (1869 – 1921) Feratin (1880-1944) dhe Shefqetin (1899 – 1937). Shefqeti ishte nga martesa e dytë – S. L.) Ata më rrëfyen se i përkasin fisit Kelmend. Këta dy bejlerë janë të pezmatuar me sjelljet e pushtetit turk dhe janë të bindur, bile edhe mua më sigurojnë se në të ardhmen do të bëhet shumë mirë, kur prej të gjitha krahinave do të largohen të gjithë nëpunësit turq dhe kur ‘Shqipëria do të fitojë autonominë dhe do t’iu përkasë atyre të cilëve me të drejtë u takon – pra shqiptarëve’. Kjo çështje më interesonte shumë dhe nisa të pyesja sesi do të realizohej autonomia e Shqipërisë sipas tyre?”, ka raportuar Ivaniq, duke e pritur me padurim përgjigjen e bejlerëve mitrovicas.

“Shumicën e popullsisë në këto krahina e përbëjnë shqiptarët dhe këto toka, iu përkasin shqiptarëve, qëkur Skënderbeu ka qenë frika dhe trishtimi për turqit dhe kur Leka i jonë Dukagjini na i ka krijuar të drejtën tonë zakonore Kanunin e Lekë Dukagjinit me të cilin krenohet çdo shqiptar dhe në bazë të të cilit shqiptarët edhe tani i zgjedhin çështjet e tyre, duke i përjashtuar ligjet turke. Zotëri, thënë drejt, ne dëshirojmë që ta vendosim (ngremë) ‘Shqipërinë e Vjetër’. Njerëzit tanë të ditur që e lëshuan Atdheun, e që tani turqit janë duke i mbajtur (në burg), janë duke luftuar për çështjen tonë me laps në dorë. Gazetat shqiptare, librat, abetaret, që në gjuhën tonë dhe me alfabetin tonë po shtypen në Bukuresht dhe Bruksel, ne i lexojmë me shumë dëshirë edhe pse shumë vështirë arrijmë te to. Sikur Serbia të na i lejonte që komitetet shqiptare të transferoheshin në Beograd, ajo do të na ndihmonte shumë, sepse do të bëhej më i lehtë distribuimi i librave dhe gazetave shqiptare, dhe me këtë do të punonim më me sukses në ngritjen e popullit tonë të zgjuar i cili duke mos i pasur shkollat dhe librat në gjuhën shqipe, është zhytur në padije. Mashtrohen të gjithë ata që mendojnë se Shqipëria nuk e ka të organizuar agjitacionin. E ka zotëri, e ka. Ne qëndrojmë në kontakt me të gjitha komitetet shqiptare jashtë vendit dhe madje do t’iu ndihmojmë atyre edhe me armë në dorë, nëse e kërkon nevoja, por idetë e tyre dhe tonat do të realizohen deri në fund… Sa u përket bullgarëve, ata e kanë tepruar në çdo gjë në pafytyrësinë e tyre. Kemi dëgjuar se ata e synojnë autonominë e Maqedonisë, por ne jemi kundër asaj autonomie sepse Maqedoninë e popullojnë edhe shqiptarët, për të cilët nuk do të bëhej mirë, pasi sipas të gjitha gjasave bullgarët do t’ia vidhnin (suspendonin) autonominë Maqedonisë, ashtu siç bënë me atë të Rumelisë. Më pastaj në kuadër të Maqedonisë ata i llogarisin edhe territoret shqiptare të Dibrës e madje edhe Gjilanin me rrethinë, ndërsa ne nuk do ta lejojmë kurrë të ndodhë një gjë e tillë. Përveç tjerash, bullgarët janë agjentë të Rusisë, e cila do ta çojë në vend amanetin e carit Petrit të Madh dhe ai amanet vjen në kundërshtim me interesat tona. Ne shqiptarët i konsiderojmë rusët si armiqtë tanë”, ishin qëndrimet e Ferhat bej Dragës që shkresari Ivaniq i ka regjistruar me besnikërinë më të madhe, por duket se ai nuk ka mundur të durojë më tepër, atëherë kur beu mitrovicas ka nisur të flasë për sllavët. “Pasi Ferhat Beu, nisi t’i vlerësojë edhe sllavët e tjerë, e në veçanti serbët si armiq të shqiptarëve, unë i thashë se ‘në të kaluarën serbët dhe shqiptarët kanë qenë miq dhe aleatë. Serbët kanë luftuar krah për krah me Skënderbeun kundër armikut të përbashkët, sepse interesat e tyre atëbotë nuk vinin në kundërshtim mes vete’. Më pastaj shtova se ‘edhe tani interesat e serbëve dhe shqiptarëve nuk janë në kundërshtim mes vete dhe mu për këtë shqiptarët duhet t’i llogarisin serbët si miq të tyre dhe kjo miqësi do të dëshmohet më së miri në këto anë që deri më tani nuk ka qenë rasti’. Ferhat Beu më tha se i kishte lexuar këngët popullore serbe për Skënderbeun, bile m’u lut që t’ia gjeja të kompletuara ato këngë, gjë që unë i premtova. Nga biseda u binda se Ferhat dhe Hajdin Beu kishin lexuar shumë libra në gjuhën serbe”.
Por, Ivan Ivaniqi nuk kishte mundur të ndahej prej bejlerëve mitrovicas pa e hapur edhe një herë çështjen e autonomisë shqiptare.
“E përsërita pyetjen rreth çështjes së autonomisë së Shqipërisë, dhe Ferhat Beu m’u përgjigj se ata tani do të provojnë kështu; në kohën më të shkurtër do të mbahet Kuvendi gjithshqiptar në Pejë ku do të jenë prezentë të gjitha figurat shqiptare, përfshirë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve katolikë të Fandës, ndërsa kundërshtarët e vetëm të kësaj ideje janë bejlerët e Prishtinës! Përveç përfaqësuesve shqiptarë, në Kuvendin e Pejës do t’i ftojmë edhe përfaqësuesit e serbëve. Kur Kuvendi i Pejës t’i përfundojë punimet atëherë do t’i drejtojmë letër sulltanit me nënshkrimet e figurave shqiptare dhe përfaqësuesve serbë dhe do të kërkojmë vetëqeverisje për Shqipërinë. Rreth organizimit të Kuvendit janë organizuar figura të njohura shqiptare në Stamboll, që do ta ndihmojnë çështjen shqiptare, ndërsa ne jemi të bindur se me qëllim të evitimit së problemeve më të mëdha sulltani do ta pranojë autonominë e Shqipërisë, sepse ne nuk do të ndalemi vetëm në ankesa me shkrim! Dhe atëherë kur Shqipëria do ta fitojë autonominë edhe për serbët të cilët do të jetojnë nën këtë autonomi do të bëhet më mirë. Të gjitha fjalët e Ferhat Beut i vërtetonte vëllai më i moshuar Hajdini”, ka përfunduar Ivaniq.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë