Ndonëse kanë kaluar rreth tre shekuj, te popullsia arbneshe e Zarës, ndonëse e vogël në numër dhe e shkëputur nga vendi amë, Kraja e Shkodrës, përkatësisht Shqipëria veriore, nuk e ka humbur identitetin kombëtar. Si të shpërngulur nga zona e Shestanit, Ljarës, Briskut, Pinçit, Muriqit e të tjera, në pjesën veriperëndimore të Krajës, arbneshët me plot sakrifica mbijetuan dhe sfiduan rrethanat e kohës, duke bërë emër në mjedisin e ri përmes kuadrove të njohura në veprimtari të ndryshme shoqërore. Dëshmi është edhe libri i prof. dr. Aleksandar Stipçeviqit, “Shqiptarët për arbëneshët e Zarës”, botoi: Kisha Katolike – Braticë, Ulqin, 2016
Trajtimi i temave në lidhje me diasporën shqiptare, paraqet çështje me interes shumëdimensional, nga vetë fakti se ata janë pjesë e pandarë e kujtesës sonë kombëtare. Në kuadrin e diasporës historike bën pjesë edhe ajo e arbneshëve të Zarës, të cilët janë vendosur në këtë mjedis në dekadën e tretë të shekullit XVIII, përkatësisht në vitin 1726, duke krijuar vendbanimin e tyre me emrin Arbanasi, në Zemunik të Zarës.
Por, ndonëse kanë kaluar rreth tre shekuj, te popullsia arbneshe e Zarës, ndonëse e vogël në numër dhe e shkëputur nga vendi amë, Kraja e Shkodrës, përkatësisht Shqipëria veriore, nuk e ka humbur identitetin kombëtar. Ata si të shpërngulur nga zona e Shestanit, Ljarës, Briskut,Pinçit, Muriqit e të tjera, në pjesën veriperëndimore të Krajës, me plot sakrifica mbijetuan dhe sfiduan rrethanat e kohës, duke bërë emër në mjedisin e ri përmes kuadrove të njohura në veprimtari të ndryshme shoqërore.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoInteresimi për arbneshët sipas informacioneve që disponojmë është i dukshëm nga fundi i shekullit XIX, e më pas, del se nga ajo kohë janë shkruar artikuj dhe studime të ndryshme për këtë diasporë shqiptare.
Në gamën e gjerë të studiuesve, vend kryesor zënë gjuhëtarët, sepse e folmja arbneshe, është arkaike dhe me shumë interes për zhvillimin historik të gjuhës shqipe dhe të leksikut të saj. Madje për këtë të folme janë mbrojtur edhe disertacione nga autoritete shkencore siç është për shembull. dr. Idriz Ajeti e të tjerë.
Arbneshët e Zarës kanë dhënë personalitete nga fusha e letërsisë siç është Josip Rela, artit muzikor Shime Deshpali, shkencës Kruno Kërstiqi, Aleksandër Stipçeviqi, sportit Josip Gjergja e të tjerë. Për këto veprimtari por edhe të tjera, autori i këtij botimi sjell të dhëna me interes, që japin mundësi për hulumtime të mëtutjeshme.
Stipçeviqi – erudit me përmasa ndërkombëtare
Nuk ka dilemë se personaliteti më madhor i arbneshëve të Zarës, ishte akademiku Aleksandër Stipçeviqi (1930-2015) që ishte studiues shumëplanësh si në arkeologji, ilirologji, albanologji, histori, etnologji, bibliologji e sociologji të librit, i pranuar në përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në sajë të përgatitjes profesionale dhe njohës i disa gjuhëve të huaja veprimtaria shkencore e A. Stipçeviqit zhvillohet në disa drejtime, ndërsa dy prej tyre mbesin kryesore: arkeologjia dhe bibliografia. Ka botuar në publikimet nacionale dhe ndërkombëtare rreth 40 libra dhe më shumë se 200 punime shkencore dhe profesionale në gjuhën kroate, italiane, shqipe, angleze, franceze, arabe e perse.
Ndër botimet kryesore veçojmë: ”Arti dhe religjioni i Ilirëve”, “Ilirët”, “Bibliografia e Ilirëve”, “Ilirët-historia, kultura, jeta”, “Simbolet e kultit te ilirët”, “Historia e librit”, “Censori i përsosur”, “Historia sociale”, “Tradita kulturore e arbëneshëve të Zarës” e të tjera.

Dekorime nga Shqipëria
Për veprimtarinë e tij shkencore është dekoruar me tituj të ndryshëm, ku në mes tjerash edhe nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Mejdani, në vitin 2001, me dekoratën “Naim Frashëri i Artë” me motivacion ”për kontribut në zbardhjen e historisë së Ilirëve”, si dhe me dekoratën “Gjergj Katstrioti-Skënderbeu” nga presidenti Bujar Nishani në vitin 2015, “për meritat shkencore, publicistike dhe kombëtare”.
Nga opusi i gjerë krijues i A. Stipçeviqit ka mbetur emblematike thënia e tij se “historia e Ballkanit fillon me Ilirët”, duke u bërë testament për studiuesit seriozë nga fusha e historisë së kohës së vjetër.
Autori në këtë studim bibliografik na paraqet një regjistër të gjerë të autorëve shqiptarë të cilët kanë trajtuar tema të ndryshme në lidhje me arbneshët e Zarës. Të dhënat më të numërta nga kjo gamë janë nga botimet në Prishtinë, Shkup, Tiranë dhe Ulqin.
Roli i revistës “Buzuku”
Me këtë rast duhet veçuar revistën “Buzuku” në Ulqin, të drejtuar nga dr. Simë Dobreci e cila në disa numra ka botuar materiale që kanë të bëjnë enkas për arbneshët e Zarës. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse është origjina e përbashkët e kësaj popullsie e cila është prezantuar përmes letërsisë popullore por edhe artikujve të ndryshëm nga profile të ndryshme studimore.
Duke shfletuar këtë botim bibliografik bie në sy se më i madh është numri i autorëve nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, ndërsa më i vogël i atyre nga Shqipëria. Duke marrë parasysh se gjysma e popullit shqiptar ishte në kuadër të ish-Jugosllavisë, ka edhe logjikë që shqiptarët në këtë shtet e kanë pasur më të lehtë mundësinë e komunikimit me arbneshët e Zarës. Por, nga ana tjetër qëndrimi pasiv apo më mirë të themi indiferent i Shqipërisë është pasojë e rrethanave politike në kohën e diktaturës moniste ku në rend të parë ishte qasja ideologjike e jo ajo kombëtare, çështje kjo e cila ishte me pasoja për kombin shqiptar në tërësi, që janë të pranishme deri në ditët tona.
Por, është për të ardhur keq se Shqipëria, përkatësisht institucionet përkatëse nuk janë duke luajtur rolin e tyre që u takon edhe me Kushtetutën e Shqipërisë edhe tash në pluralizëm. Sepse duhet të jetë detyrë parësore e shtetit shqiptar, përkatësisht institucioneve të tij, për t’u interesuar për pjesëtarët e popullit shqiptar kudo që janë ata, sikurse veprojnë shtetet e tjera anekënd botës. Qëndrimi indiferent në këtë kohë nuk mund të arsyetohet me asgjë, sepse edhe kjo diasporë është pjesë e pandarë e kujtesës sonë historike.
Botim me vlerë jo vetëm bibliografike
Botimi i këtij libri bibliografik, në dy gjuhë kroatisht dhe në shqip përkthyer nga dr. Simë Dobreci, paraqet një nismë me vlerë sa kulturore e shkencore dhe si i tillë do të jetë i domosdoshëm për të gjithë ata që do të trajtojnë tema të ndryshme për arbneshët e Zarës, sepse bibliografia paraqet fazën parësore për çdo qasje të punimeve shkencore.
Edhe pse kemi të bëjmë me një botim të tipit të broshurës të dhënat e prezantuara në të ardhmen duhet të plotësohen, sepse indeksi i regjistrit bibliografik duhet të jetë më i lartë, detyrë kjo që mbetet të realizohet nga autorë të tjerë.
Nuk ka dilemë se një veprim i tillë do të jetë në favor të botimeve dhe hulumtimeve shkencore nga fusha e bibliografisë në veçanti dhe kulturës sonë kombëtare në përgjithësi, ku arbneshët e Zarës do të mbesin një pikë pozitive referimi në historinë tonë kombëtare.