Në krizën politike dhe shtetërore, në të cilën gjendet Kosova, indiferenca dhe heshtja e atyre që quhen intelektualë janë fatale dhe e pafalshme. Prandaj është shumë e rëndësishme që ata ta lexojnë librin “Tradhtia e intelektualëve”, nga autori francez, Julien Benda?
Gjatë pushimeve verore në korrik të këtij viti, në Plazhin e Madh të Ulqinit, edhe një herë brenda një viti (pas leximit në serbisht) e lexova më me kujdes librin “Tradhtia e intelektualëve” të autorit francez, Julien Benda, edhe në shqip, i botuar për herë të parë në vitin e largët 1927 dhe ribotuar pas Luftës së Dytë Botërore në shumë gjuhë të botës, por për herë të parë edhe në shqip. Libri kërkon përqendrim dhe kujdes gjatë leximit edhe për faktin se përkthimi nuk është i nivelit të lartë, edhe pse përkthyesi është me licencë përkthimi nga frëngjishtja. Vepra është aktuale edhe sot për lexuesit dhe shtresën e qytetarëve akademikë, e veçmas për ata me tituj të shumtë e që veten e quajnë “intelektualë”, kur Kosova gjendet në krizë të thellë politike e shtetërore, për çka edhe “elita intelektuale”, por edhe ajo kulturore (nëse ekzistojnë) bartin përgjegjësi morale e historike.
* * *
Vepra e Julien Bendës (Zhylien Benda) “Tradhtia e intelektualëve”, me titull origjinal (La Trahison des Clercs), mbetet një pikë kryesore diskutimi rreth rolit të intelektualëve në shoqëri, përfshirjes së tyre politike dhe përgjegjësive etike. Në këtë libër, Benda dënon të gjithë klasën intelektuale, sepse anëtarët e saj kanë braktisur kryesisht rolin e vet tradicional të mbrojtjes së vlerave universale humaniste në favor të përkatësisë politike dhe ideologjike. Pothuajse një shekull pas botimit të tij (1927), “Tradhtia e intelektualëve” ende gjen jehonë në botën moderne. Dilemat që Benda shqyrton – nga intelektualët që heqin dorë prej misionit të vet humanist në favor të lëvizjeve politike, deri te rreziku i bashkimit të arsyes me ideologjitë dhe braktisja e vlerave etike universale – mbeten të rëndësishme për periudhën. Dy luftëra botërore kur u shkrua libri, por aktuale edhe sot në shekullin XXI, ndonëse nocioni “intelektual” ka pësuar ndryshime.
Intelektualët dhe angazhimi politik
Pretendimi qendror i Bendës në veprën “Tradhtia e intelektualëve” është se intelektualët (ai i quan klerikë siç është edhe titulli ose “qatipat”, siç i quajti ai me tallje në vetë titullin e librit) – të cilët tradicionalisht kishin detyrën e mbrojtjes të së vërtetës objektive dhe të vlerave universale, dështuan në misionin e tyre duke u shoqëruar me ideologji politike. Në fillim të shekullit të 20-të, ai vuri re një trend shqetësues në të cilin shumë intelektualë përqafuan ideologjitë nacionaliste, marksiste dhe fashiste, duke braktisur kështu rolin e vet si mbrojtës të paanshëm të së vërtetës në favor të partive politike ikonike. Benda kritikon intelektualët për braktisjen e angazhimit të tyre ndaj vlerave abstrakte dhe për bashkimin me lëvizjet që i reduktojnë njerëzit në kategori të thjeshta politike, si raca, klasa ose kombi, inferiorë ndaj individit. Kjo kritikë është tepër shumë e rëndësishme sot. Në epokën e rrjeteve sociale dhe mediave “online” dhe të atyre elektronike veçmas të televizioneve të shumta komerciale, kur përmbajtja mediatike është vetëm disa klikime në telefonin celular larg të gjithëve, intelektualët shpesh marrin pjesë në diskutime politike, madje edhe për temat për të cilat nuk kanë as njohuri, as s’janë kompetentë, siç janë politika e brendshme, siguria, diplomacia, raportet gjeostrategjike. Me paraqitjet e veta të cekëta, madje edhe arrogante, ata vetëm krijojnë huti dhe opinione të shtrembëruara te popullata e madje fusin edhe përçarje, polarizime e urrejtje duke u vënë në krahun e një blloku (kaste) apo ideologjie. Dhe kjo jo vetëm që nga pronarët e këtyre mediave u kërkohet të sillen kështu, por shpesh e bëjnë këtë edhe vetë duke e treguar militantizmin e vet ideologjik a partiak. Në këtë kontekst, ekziston një rrezik i qartë që intelektualët të sakrifikojnë objektivitetin e tyre për përfitime politike. Kështu, bie fjala, një numër i madh intelektualësh bashkëkohorë, të dëshmuar me qëndrimet e veta, si Noam Chomsky, Thomas Piketty ose Anne Applebaum, e të tjerë, lejojnë që përkatësitë e tyre politike ta formësojnë punën e tyre intelektuale. Prandaj, këshilla e Bendës mbetet e rëndësishme: intelektualët duhet t’i rezistojnë tundimit për t’iu shërbyer qëllimeve politike në kurriz të vlerave universale humaniste.
Roli i ideologjisë në jetën intelektuale
Kritika e Bendës nuk synon vetëm angazhimin politik të intelektualëve, por edhe ngritjen e një mënyre ideologjike të të menduarit. Ai pohon se intelektualët, duke pranuar ideologjitë (angazhimin në ndonjë parti politike apo përkrahjen e një ideologjike fetare – në rastin e Kosovës atë islame), heqin dorë nga aftësitë e tyre kritike dhe kështu bëhen instrumente të manipulimit ideologjik. Ideologjitë, sipas Bendës, janë të rrezikshme, sepse i inkurajojnë njerëzit ta shohin botën përmes syve reduktues dhe të njëanshëm, duke nxitur kështu përçarjet, mos-durimet, polarizimet, etiketimet, urrejtjet shpalljen e heronjve e veçmas të tradhtarëve pa asnjë argument. (Kjo dukuri është shumë e pranishme në Kosovë që nga paslufta e veçmas pas shpalljes së pavarësisë).
Rreziku i ideologjisë është edhe më i theksuar sot. Fragmentimi në rritje i diskursit politik, ku njerëzit e identifikojnë veten në lëvizje politike bazuar në identitet ose përkatësi partiake, në vend të parimeve të përbashkëta etike, pasqyron shqetësimet e Bendës. Ideologjitë, qofshin të bazuara në nacionalizëm, fundamentalizëm fetar, luftë klasash apo ideologji të zgjuar, e mbysin kompleksitetin, të menduarit kritik dhe inkurajojnë pranimin e besimeve dogmatike. Intelektualët, nëse nuk i vënë në dyshim ose nuk i sfidojnë këto ideologji, veçmas ato fetare që janë shumë agresive kohët e fundit, sidomos ajo islame, rrezikojnë t’i amplifikojnë këto probleme, ashtu siç paralajmëroi Benda. Në botën moderne, me rolin në rritje të politikës së identitetit, populizmit dhe tribalizmit politik, këto sfida bëhen edhe më të mëdha se më parë.
Braktisja e vlerave universale
Edhe një aspekt tjetër i rëndësishëm i librit “Tradhtia e intelektualëve” është kritika e Bendës ndaj braktisjes së vlerave universale. Benda ka besuar se intelektualët, duke u lidhur me lëvizje të caktuara politike, po e tradhtojnë përgjegjësinë e vet për të mbrojtur vlerat universale njerëzore, siç janë liria, drejtësia, barazia e vërteta dhe morali. Mendimi i tij ishte se intelektualët po kontribuojnë në mënyrë aktive në botën në të cilën vlerat abstrakte, humaniste lihen anash në favor të pushtetit dhe përfitimit politik.
Kjo kritikë është veçanërisht e rëndësishme sot, ngase jemi dëshmitarë të sulmeve në rritje ndaj vlerave universale, siç janë liritë, të drejtat e njeriut, demokracia, sundimi i ligjit e veçmas e vërteta. Në një epokë kur udhëheqësit dhe lëvizjet politike shpesh i sakrifikojnë parimet etike për përfitime pragmatike politike, siç po ndodh edhe në Kosovë, intelektualët (nëse ekzistojnë) kanë një përgjegjësi vendimtare për t’ia kujtuar publikut rëndësinë e këtyre vlerave. Nëse nuk e përmbushin obligimin e veçmas misionin e vet prej intelektuali do t’i ndëshkojë historia.