Drake përfundoi qëndrimin e tij treditor në festivalin “Wireless” në Londër me një performancë që la shumë për të dëshiruar. Koncerti i tij përmbyllës të dielën mbrëma zgjati vetëm 40 minuta, duke i zhgënjyer rëndë mijëra fansa që kishin pritur për një mbrëmje madhështore, ka raportuar BBC.
Reperi kanadez u ngjit në skenë 10 minuta para orarit të planifikuar dhe i tha turmës se do të këndonte “derisa të më ndalin mikrofonin”, duke iu referuar ndalimit strikt në orën 21:30, i cili zbatohet në parkun ku mbahet festivali.
Për dallim nga netët e mëparshme, ku performuan shumë artistë të ftuar, të dielën në skenë u shfaqën vetëm edhe tre, Popcaan, Rema dhe Vybz Kartel. Kjo e shtoi pakënaqësinë mes fansave, sidomos duke marrë parasysh që nata e së shtunës kishte zgjatur 90 minuta dhe përfshinte 13 artistë të ftuar, ndërsa të premten kishin qenë gjashtë emra surprizë.
Në orët e para të së dielës, në orarin zyrtar të festivalit ishte parashikuar që Drake të dilte dy herë në skenë, një herë në ora 18:25 dhe një tjetër në ora 20:55. Por seti i parë u zhduk pa ndonjë njoftim gjatë pasdites, ndërsa performancat e Vybz Kartel dhe Burna Boy u mbajtën siç ishin planifikuar.
Publiku mbeti i habitur kur Drake doli në skenë menjëherë pas Burna Boy, duke e prezantuar vetën me fjalë drejtuar turmës. Reperi dukej i irrituar, në kontrast me energjinë pozitive që kishte shfaqur të premten dhe të shtunën.
Ai e hapi performancën me një këngë ende të papublikuar në bashkëpunim me reperin britanik Central Cee, i cili nuk performoi në skenë, por u shfaq në rreshtin e parë të publikut duke e kënduar këngën, ndërsa pamjet e tij transmetoheshin në ekranët gjigant.
Gjatë gjithë kohës, Drake dukej i penduar ndërkohë që përpiqej ta rifitonte simpatinë e publikut, duke u premtuar se do t’ua sillte hitet e tij më të mëdha.
“London, do të të dua gjithë jetën time”, u tha ai fansave ndërsa nxitoi të performonte një seri këngësh të miksuara.
Ndër to ishin edhe “Controlla”, “Find Your Love” dhe “One Dance”, të gjitha në versione të reja për vitin 2025, por që ishin kaq të ndryshuara saqë publiku mezi arrinte të këndonte me të.
Një moment i gjallë i natës ishte dalja e papritur e reperit nigerian Rema, që e ngjalli publikun me hitet “Calm Down” dhe “Fever”. Më pas u shfaq edhe Vybz Kartel për një paraqitje të shkurtër, por pati kohë vetëm edhe për dy këngë solo nga Drake.
Ashtu si netët e mëparshme, Drake u ngjit në një vinç duke i përshëndetur 50 mijë fansa, ndërsa në sfond dëgjohej kënga “I Will Always Love You” nga Whitney Houston, një shenjë e qartë për përfundimin e koncertit, që u kuptua menjëherë nga publiku i zhgënjyer.
Të shtunën ai e menaxhoi më mirë orarin, por të dielën nuk dihet nëse vendimi për të dalë më herët në skenë ishte i tij, apo i organizatorëve.
Në përfundim të koncertit, shumë fansa u shprehën të zhgënjyer.