Showbiz

Ylli i “Squid Game” lirohet nga akuza për sjellje të pahijshme seksuale

O Yeong-Su

Ylli i serialit “Squid Game”, O Yeong-Su është liruar nga akuzat për sjellje të pahijshme seksuale nga një gjykatë në Kore të Jugut.

81-vjeçari ishte akuzuar më 2022 për ngacmim seksual të një gruaje dy herë. Pretendimet ishin se ai e kishte përqafuar dhe puthur në faqe përkundër vullnetit të saj.

O Yeong-Su më 2024 ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me tetë muaj burgim me kushte, por kishte apeluar kundër vendimit.

Të martën, një gjykatë ktheu masën, duke thënë se ka ndjekur kurse mbi dhunën seksuale dhe ka duke sugjeruar se kujtesa e viktimës së supozuar mund të mos jetë e mirë, duke marrë parasysh kohën kur ka ndodhur ngjarja e pretenduar.

Sipas pretendimit, sulmi seksual pati ndodhur më 2017, kur O Yeong-Su ishte në një zonë rurale për një paraqitje në teatër.

Viktima e supozuar pati akuzuar aktorin më 2021, por rasti ishte mbyllur menjëherë në prill të atij viti. E prokuroria më vonë rihapi hetimet “me kërkesë të viktimës”, sipas agjencisë “Yonhap”.

Në një deklaratë për mediat lokale, Gjykata e Qarkut në Suwon ka thënë se ka dyshime nëse aktori ka kryer veprën.

“Ka gjasa që memoria e viktimës është çrregulluar me kalimin e kohës, dhe kur ka dyshime... të pandehurit duhet t’i jepet përfitimi i dyshimit”, ka thënë Gjykata.

Gjithsesi, deklarata ka theksuar se ka gjasa edhe që aktori ta ketë kryer veprën dhe ai i ka kërkuar falje viktimës.

Viktima e supozuar ka folur më vonë duke thënë se vendimi “nuk e zhvlerëson të vërtetën dhe nuk e fshin dhimbjen”.

“Pavarësisht vendimit të sotëm, do të vazhdoj ta flas të vërtetën deri në fund”, ka thënë ajo sipas një deklarate për shtyp, të publikuar nga organizata për të drejtat e gruas “Womenlink”.

Nuk është e qartë ende nëse Prokuroria do ta apelojë vendimin.

Vetë aktori duke folur për mediat pas vendimit ka shprehur vlerësimin për gjykatën.

Ai pati arritur majën e famës me rolin në dramën “Squid Game”, në të cilën njerëzit garojnë në versione vdekjeprurëse të lojërave tradicionale për fëmijë.

Më 2022, ai u bë aktori i parë nga Koreja e Jugut që fitoi çmimin “Golden Globe” për rolin dytësor në një serial, pas paraqitjes në sezonin e parë të serialit të Netflixit.