Aktori, Chris Noth, ka treguar se është ndier i zhgënjyer dhe i braktisur nga aktorja, Sarah Jessica Parker, si dhe koleget e tij të serialit “Sex and the City”, pas akuzave për sulm seksual që u bënë publike ndaj tij në vitin 2021.
Aktori 71-vjeçar, karriera e të cilit u ndikua ndjeshëm pas këtyre akuzave, ka thënë se u ndje veçanërisht i lënduar nga reagimi publik i Sarah Jessica Parkerit, e cila së bashku me aktoret Kristin Davis dhe Cynthia Nixon publikuan një deklaratë ku shpreheshin se ishin “thellësisht të trishtuara” nga akuzat, ka raportuar FemaleFirst.

Duke folur në një episod të podcastit Really Famous me Kara Mayer Robinson, Noth, i cili luante rolin e Mr. Big, partnerit të Carrie Bradshaw, (rolin e të cilës e luante Parker) u shpreh hapur duke thënë se nuk janë miq.
“Nuk jemi miq, mendoj se kjo është mjaft e qartë”, ka thënë ai.
Aktori ka shtuar se deklarata e publikuar nga koleget e tij ishte zhgënjyese.

“Deklarata që ato nxorën, që në thelb ishte më shumë menaxhim imazhi, ishte e trishtueshme, zhgënjyese dhe befasuese”, ka thënë ai.
Sipas Noth, ai priste që para çdo reagimi publik të kishte një komunikim personal.
“Duhej të më kishin telefonuar dhe të dëgjonin anën time. Më keni njohur për shumë vite dhe kemi punuar bashkë për shumë vite. E kuptoj, ky është Hollywood më shumë se Hollywood. Por para se të bësh një deklaratë të tillë, më thirr dhe më lër të ta tregoj të vërtetën time. Kjo nuk ndodhi dhe kjo ishte për të ardhur keq”, ka thënë ai.
Pas akuzave, personazhi i tij u hoq nga seriali pasues me temë të njëjtë me titull “And Just Like That…”, ku Mr. Big u vra në episodet e para.
Noth ka thënë se kjo përvojë i ka mësuar se kush janë njerëzit e vërtetë pranë tij.
“Ka edhe diçka pozitive në gjithë këtë. E kupton se ku qëndrojnë njerëzit dhe kush janë miqtë e tu të vërtetë e kush jo. Kjo është e rëndësishme për t’u ditur. Unë e di se po të ishte e kundërta, nuk do të kisha vepruar kështu”, ka thënë ai.
Ylli ka shtuar se qëndrimi i ish-kolegëve të tij e ka lënduar thellë.
“Ishte e dhimbshme dhe ndikoi me të vërtetë në gjithçka”, ka thënë ai.
Më herët këtë muaj, Noth ka nxitur reagime në rrjete sociale pasi u pajtua me një koment kritik ndaj Parkerit, pas marrjes së çmimit Carol Burnett 2026 në një ceremoni të lidhur me spektaklin “Golden Globes”.
Megjithatë, ai më pas u përpoq ta minimizonte situatën.
“Përgjigjja ime spontane dhe pak sarkastike ndaj një komenti në internet duket se ka krijuar shumë zhurmë pa nevojë. Ky nuk është lajm. Nuk ia vlen gjithë ky diskutim. Është humbje kohe në një botë ku ka shumë gjëra më të rëndësishme për t’u shqetësuar”, ka shkruar ai në Instagram.