Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Ylli i “Lizzie McGuire”, Robert Carradine vdiq në moshën 71-vjeçare

Robert Carradine

Robert Carradine

Foto: Associated Press

Aktori amerikan, Robert Carradine, i njohur për rolet në filmin “Revenge of the Nerds” dhe serialin “Lizzie McGuire”, ka vdekur në moshën 71-vjeçare.

Familja e tij konfirmoi se ai i kishte dhënë fund jetës, pas një beteje gati 20-vjeçare me çrregullimin bipolar, duke shprehur shpresën se rrëfimi i tij do të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor, ka raportuar The Guardian.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Me pikëllim të thellë duhet të ndajmë lajmin se babai, gjyshi, xhaxhai dhe vëllai ynë i dashur, Robert Carradine, ka vdekur sot”, thuhet në deklaratën e familjes.

Në deklaratë, ata e përshkruajnë si një njeri plot dritë.

“Në një botë që ndonjëherë mund të duket e errët, Bobby ishte gjithmonë një rreze drite për të gjithë njerëzit që e rrethonin. Jemi të shkatërruar nga humbja e këtij shpirti të bukur dhe duam të pranojmë betejën e tij të guximshme kundër çrregullimit bipolar për gati dy dekada. Shpresojmë që rrugëtimi i tij të ndihmojë në thyerjen e stigmës që lidhet me sëmundjet mendore. Në këtë moment kërkojmë privatësi për të përballuar këtë humbje të paimagjinueshme. Me mirënjohje për mirëkuptimin dhe dhembshurinë tuaj”, thuhet tutje në deklaratë.

Vëllai i tij më i madh, aktori Keith Carradine, ka thënë se familja dëshironte që publiku ta dijë të vërtetën për gjendjen e tij mendore.

“Duam që njerëzit ta dinë dhe nuk ka asnjë turp në këtë. Dua ta festoj për mënyrën si luftoi me këtë sëmundje dhe për shpirtin e tij të bukur. Ai ishte jashtëzakonisht i talentuar dhe do të na mungojë çdo ditë. Do të gjejmë ngushëllim te humori i tij, mençuria dhe pranueshmëria e pakushtëzuar ndaj të tjerëve. Ky ishte vëllai im i vogël”, ka thënë ai.

Në vitin 2009, vëllai i tij më i madh, të cilin e ka nga babai, aktori David Carradine, vdiq në moshën 72-vjeçare në një hotel në Tajlandë. Robert Carradine kishte thënë më vonë se vdekja e vëllait e kishte tronditur thellë dhe kishte ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së tij mendore. Më pas ai u diagnostikua me çrregullim bipolar.

I lindur në vitin 1954, ai ishte djali më i vogël i aktorit John Carradine. Nga martesa e parë e të atit kishte dy vëllezër, David dhe Bruce, ndërsa nga martesa tjetër kishte vëllezërit Keith dhe Christopher. Pothuajse të gjithë ndoqën karrierë në aktrim.

Carradine debutoi në film në vitin 1972 në “The Cowboys”, përkrah yllit John Wayne. Më pas luajti në filmin fitues të çmimit “Oscar”, “Coming Home”, dhe pati një rol të vogël në “Mean Streets” të regjisorit Martin Scorsese.

Në vitin 1980, ai u shfaq në “The Long Riders” bashkë me David dhe Keith, duke interpretuar vëllezërit Younger, një familje jashtëligjore.

Suksesi më i madh i tij erdhi në vitin 1984 me komedinë “Revenge of the Nerds”, ku luajti rolin kryesor, Lewis Skolnick. Për t’u përgatitur për rolin, ai kaloi kohë i infiltruar në Universitetin e Arizonës, duke bindur studentët se ishte vërtet një student që mëson shumë. Ai u rikthye në tre vazhdime të filmit në vitet 1987, 1992 dhe 1994.

Ai njihet për rolin e babait Sam në serialin “Lizzie McGuire”, ku luajti përkrah aktores së njohur, Hilary Duff, në 65 episode mes viteve 2001 dhe 2004.

Nga martesa me Susan Snyder, ai pati një vajzë, aktoren Ever Carradine.

Më vonë u martua me Edith Mani, me të cilën pati dy fëmijë, Marika dhe Ian. Çifti u divorcua në vitin 2015, pas 25 vjetësh martesë.

Gjatë procedurave të divorcit në vitin 2017, Mani e akuzoi se kishte tentuar t’i vriste të dy në një aksident me makinë në Kolorado në vitin 2015. Carradine kishte pranuar se në atë kohë ndodhej në një “gjendje psikotike”.