Showbiz

“Warner Bros” lanson datën zyrtare të publikimit të filmit “Hello Kitty”

Hello Kitty

Hello Kitty

Foto: Associated Press

Gjigandi “Warner Bros” ka njoftuar se filmi i animuar, i shumëpritur, “Hello Kitty”, me regji nga Leo Matsuda do të dalë në kinema më 21 korrik të vitit 2028.

Projekti realizohet në bashkëpunim me “Warner Bros”, “Pictures Animation” dhe “New Line Cinema”, dhe do të sjellë në ekranin e madh personazhin klasik të krijuar nga kompania japoneze “Sanrio”, macen e njohur Hello Kitty, ka raportuar The Hollywood Reporter.

Studioja publikoi lajmin në Instagram.

“Hello Hollywood. #HelloKittyMovie po vjen në kinema më 21 korrik 2028!”, thuhet në postimin e përbashkët të “Warner Bros” dhe “New Line Cinema”.

Detajet e historisë ende nuk janë zbuluar, por skenari është shkruar nga Dana Fox, e njohur për filmin “Wicked”, ndërsa producent është Beau Flynn, me Shelby Thomas që mbikëqyr projektin për kompaninë “Flynn Picture Company”.

Personazhi Hello Kitty u krijua në vitin 1974 nga artistja Yuko Shimizu si një mace e bardhë britanike, me emrin Kitty White, që njihet për fjongon e saj të kuqe. Që prej atëherë, ajo është kthyer në ikonë globale me seriale të animuara dhe në linja të shumta produktesh.

Planet për film janë diskutuar prej më shumë se një dekade. Që në vitin 2015 u raportua se “Sanrio” po kërkonte për ta përshtatur për ekranin e madh, dhe në vitin 2019 The Hollywood Reporter bëri të ditur se “New Line” dhe “FlynnPictureCompany” po zhvillonin një film në gjuhën angleze.

Kjo ishte hera e parë që Hello Kitty dhe personazhe të tjerë si Gudetama, My Melody dhe Little Twin Stars licencoheshin për një studio të madhe hollivudiane.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që Hello Kitty dhe personazhe të tjerë të njohur të ‘Sanrios’ do të bëjnë debutimin e tyre në Hollywood. Hello Kitty ka qenë gjithmonë simbol i miqësisë, dhe shpresojmë që ky film ta zgjerojë edhe më shumë atë rreth miqësie në mbarë botën”, pati deklaruar në atë kohë, themeluesi i “Sanrios”, Shintaro Tsuji.

Ndërkohë, kompania “FlynnPictureCompany” po punon edhe në versionin me aktorë të vërtetë të filmit “Moana” për Disney, me aktorët Dwayne Johnson dhe Catherine Laga’aia, që pritet të shfaqet në kinema më 10 korrik të vitit 2026.