Disenjatori ikonik italian Valentino Garavani vdiq të hënën në moshën 93-vjeçare, raporton agjencia “Reuters”.
“Valentino Garavani u nda nga jeta sot në rezidencën e tij, i rrethuar nga njerëzit e tij të dashur”, është njoftuar nga fondacioni i tij nëpërmjet një postimi në Instagram.
Homazhet do të mbahen të mërkurën dhe të enjten, ndërsa funerali është paraparë të mbahet në Romë të premten nga ora 11:00.
Valentino Garavani ishte një nga stilistët më të famshëm dhe më me ndikim të modës italiane dhe botërore. Që në moshë të re tregoi interes për modën dhe u shkollua në Paris, ku studioi në École des Beaux-Arts dhe Chambre Syndicale de la Couture.
Në vitin 1960, Valentino themeloi shtëpinë e tij të modës “Valentino” në Romë. Ai u bë i njohur për stilin e tij elegant, luksoz dhe shumë femëror, si dhe për përdorimin e ngjyrës së kuqe ikonike, e njohur sot si “Valentino Red”. Krijimet e tij u veshën nga figura të shquara si Jacqueline Kennedy, Elizabeth Taylor, Audrey Hepburn dhe shumë yje të tjerë të kinemasë dhe aristokracisë.
Gjatë karrierës së tij, Valentino fitoi çmime të shumta dhe u konsiderua simbol i elegancës klasike italiane. Ai u tërhoq nga moda aktive në vitin 2008, por trashëgimia e tij vazhdon të ndikojë industrinë e modës edhe sot.