Jill Sobule, këngëtarja dhe kantautorja amerikane që bëri histori me hitin “I Kissed a Girl”, kënga e parë me temë të hapur për homoseksualët që u ngjit në Top 20-shen e Billboard, ka vdekur si pasojë e një zjarri në shtëpinë e saj në qytetin Minneapolis, SHBA, ka bërë të ditur menaxheri i saj, ka raportuar BBC.
Sipas gazetës Star Tribune, policia në periferinë Woodbury po heton shkakun e zjarrit në shtëpinë ku u gjet këngëtarja.
Sobule, e cila ishte 66 vjeç, njihet gjithashtu për këngën satirike “Supermodel”, që u bë himn i brezit të viteve ’90 përmes filmit kult “Clueless” të vitit 1995. Ajo pritej të performonte të premten në qytetin e saj të lindjes, Denver, për të prezantuar këngë nga një projekt muzikor autobiografik që po përgatiste. Në vend të koncertit, do të mbahet një mbledhje falas për të nderuar jetën dhe veprën e saj.
Për vdekjen e saj kanë shkruar shumë artistë.
“Jam tepër i tronditur për të thënë ndonjë gjë me kuptim. E donim. Na donte”, ka shkruar muzikanti nga Britania, Lloyd Cole.
E lindur më 1959, Jill Sobule kishte karrierë mbi tri dekadëshe. Ajo u mor me tema si dënimi me vdekje, anoreksia dhe të drejtat e komunitetit LGBTQ+.
Albumi i saj i vitit 1995 që mbante emrin e saj “Jill Sobule”, ku përfshiheshin këngët “Supermodel” dhe “I Kissed a Girl”, ishte më i njohuri. Kënga e fundit fitoi vëmendje të re në vitin 2008, kur këngëtarja Katy Perry publikoi një këngë tjetër me të njëjtin titull, por me përmbajtje krejt tjetër.
Përtej muzikës, Sobule ishte ndër të parat artiste që përdori metodologjinë “crowdfunding” për të financuar publikimin e albumeve, si dhe kompozoi për teatër dhe televizion, përfshirë këngën hyrëse të serialit për adoleshentë “Unfabulous” në televizionin Nickelodeon.
“Ajo ishte një forcë e natyrës dhe një avokate e të drejtave të njeriut, muzika e së cilës është e gdhendur në kulturën tonë. Po kalonim shumë mirë duke punuar bashkë. Sot humba një kliente dhe një mike. Uroj që muzika, kujtimi dhe trashëgimia e saj të jetojnë dhe të frymëzojnë të tjerët”, ka thënë menaxheri i saj, John Porter.
Gazetari kanadez i muzikës, Eric Alper, shkroi në rrjetin social X se “ajo hapi rrugë me zemër, humor dhe ndershmëri. Artistja e parë e hapur homoseksuale që theu Top 20-shen e Billboardit. Këngë si ‘I Kissed a Girl’ dhe ‘Supermodel’ ndryshuan jo vetëm kolonën zanore të kohës, por edhe vetë bisedën”.
Kurse aktorja amerikane Carrie Coon ka reaguar duke shkruar: “Jill Sobule ishte kaq e veçantë. Lajm që të thyen zemrën”.