Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

14-vjeçarja për vrasjen e të cilës akuzohet D4vd ka vdekur nga plagët me mjet të mprehtë

Celeste Rivas Hernandez, 14-vjeçarja për vrasjen e së cilës akuzohet këngëtari D4vd

Celeste Rivas Hernandez, 14-vjeçarja për vrasjen e së cilës akuzohet këngëtari D4vd

Foto: Associated Press

Celeste Rivas Hernandez, 14-vjeçarja për vrasjen e së cilës akuzohet këngëtari D4vd, ka vdekur nga plagë depërtuese në pjesën e sipërme të trupit. Ky është përfundimi i raportit të autopsisë, i publikuar të mërkurën nga autoritetet në Los Angeles, ka raportuar agjencia e lajmeve Associted Press.

Sipas raportit të Zyrës së mjekëve ekzaminues, vdekja e saj është cilësuar si vrasje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Dokumenti kishte qenë i bllokuar për muaj të tërë, ndërsa publikimi i tij u lejua vetëm këtë javë.

Autopsia u vështirësua për shkak të gjendjes së rëndë të trupit, i cili ishte copëtuar dhe në dekompozim të avancuar kur u gjet në dy çanta brenda bagazhit të një makine në zonën e Hollywood Hills në muajin shtator të vitit 2025.

Ekzaminimi zbuloi “dy plagë depërtuese apo penetruese në trup me skaje të lëmuara, që mund të jenë shkaktuar nga një mjet i mprehtë”. Njëra plagë, në pjesën e sipërme të barkut, kishte depërtuar në mëlçi, ndërsa tjetra, në anën e majtë të kraharorit, kishte dëmtuar brinjët. Bluza që ajo kishte veshur dukej se ishte prerë në tre vende.

Një gjykatës kishte urdhëruar mbylljen e raportit vitin e kaluar me kërkesë të hetuesve, por prokurorët ranë dakord këtë javë që ai të bëhej publik.

Këngëtari 21-vjeçar, emri i vërtetë i të cilit është David Burke, akuzohet për vrasje të shkallës së parë, marrëdhënie të papërshtatshme me një të mitur nën 14 vjeçe dhe gjymtim të trupit të pajetë. Ai është deklaruar i pafajshëm, ndërsa avokatët e tij kanë thënë se “ai nuk është shkaktar i vdekjes së vajzës dhe do ta mbrojmë fuqishëm pafajësinë e tij”.

Prindërit e vajzës, Jesus Rivas dhe Mercedes Martinez, reaguan publikisht për herë të parë.

“Celeste ishte një vajzë e bukur dhe e fortë që e donte këngën dhe vallëzimin. Çdo të premte në mbrëmje ishte nata e filmave dhe kalonim momente të mrekullueshme së bashku. Ne e duam shumë dhe ajo gjithmonë na thoshte se na donte. Na mungon jashtëzakonisht shumë. E vetmja gjë që duam është drejtësi për Celesten”, thuhet në deklaratën e prindërve.

Sipas prokurorëve, David Burke dyshohet se e vrau vajzën pasi ajo kishte kërcënuar se do të raportonte një marrëdhënie seksuale mes tyre, e cila, sipas hetimeve, kishte nisur kur ajo ishte vetëm 13 vjeçe. Ai dyshohet se kishte frikë se kjo do të shkatërronte karrierën e tij në rritje.

Në aktakuzë thuhet se ai e vrau me një mjet të mprehtë dhe e copëtoi trupin rreth dy javë më vonë.

Hetuesit që mbërritën në vendngjarje gjetën pjesë të trupit në dy çanta: trupi dhe koka në një çantë të zezë në bagazh, ndërsa gjymtyrët në një qese tjetër. Trupi ishte në një gjendje aq të avancuar dekompozimi sa ekspertët nuk mundën të përcaktonin as ngjyrën e syve. Vajza kishte tela në dhëmbë dhe një tatuazh në gisht me mbishkrimin “Shhh....”.

Testet toksikologjike treguan një nivel të ulët alkooli, por ekspertët theksuan se kjo mund të jetë rezultat i ndryshimeve kimike pas vdekjes dhe nuk konsiderohet faktor në rast.

“Pas disa muajsh, jam mirënjohës që ky informacion mund të bëhet publik, jo vetëm për opinionin, por edhe për familjen që po përballet me këtë humbje. Është e paimagjinueshme që ata u detyruan të presin kaq gjatë për të mësuar çfarë u ndodhi vajzës së tyre”, ka deklaruar drejtori i Zyrës së mjekëve ekzaminues, Odey C. Ukpo.

D4vd u bë i njohur në rrjetin social TikTok në vitin 2022 me këngën “Romantic Homicide”, e cila arriti në vendin e katërt në klasifikimet muzikore alternative. Ai ka publikuar projektet “Petals to Thorns” dhe “The Lost Petals” në vitin 2023, ndërsa albumi i tij i parë “Withered” doli një vit më parë, vetëm dy ditë pas datës kur prokurorët besojnë se ndodhi vrasja.