Showbiz

Scarlett Johansson tregon kërkesën më të pazakontë që ia bëri vajza

Scarlett Johansson

Scarlett Johansson

Foto: Associated Press

Aktorja e njohur amerikane Scarlett Johansson ka treguar se dhurata më e pazakontë që i ka kërkuar vajza e saj ishte një “fustan i Marie Antoinettes”.

Marie Antoinette ishte mbretëresha e fundit e Francës para rënies së monarkisë gjatë Revolucionit Francez. Ajo ishte bashkëshortja e Mbretit Louis XVI.

Johansson, 40 vjeçe, ka vajzën 11-vjeçare, Rose, me ish-bashkëshortin Romain Dauriac.

“Vajza ime më kërkoi një fustan si të Marie Antoinettes. Një zonjë, e cila është rrobaqepëse e mrekullueshme që ka punuar kostumet për shumë opera në Ukrainë, bëri një fustan të plotë operistik me korsetë dhe fund të madh me rreth për Rosen. Ishte diçka e jashtëzakonshme”, ka thënë ajo në podcastin “Busy This Week”, ka raportuar FemaleFirst.

Aktorja ka shtuar se fustani ishte bërë me masa që mund të zgjerohej me kalimin e viteve.

“Mund ta lirosh pak me kohën që ta veshë për disa vite. Ajo ende e vesh dhe duket shumë e ëmbël”, ka treguar ajo.

Ylli i “Lost in Translation” ka zbuluar se vajza e saj e ka veshur këtë fustan në një ditë shumë të veçantë.

“E veshi në dasmën time, ishte vërtet spektakolare. Fillimisht kishte një fustan të vogël të vetin, pastaj tha: ‘Ndërromë tani’. Dhe unë, në mes të dasmës, i thashë: ‘Do të kthehemi menjëherë. Kemi një ndërrim kostumi për Rose’”, ka treguar aktorja me humor.

Johansson, e cila u martua me aktorin dhe komedianin Colin Jost në vitin 2020, ka folur edhe për mënyrën si arrin të balancojë punën dhe prindërimin.

“Në këtë drejtim, puna ime është shumë e favorshme. Mund të jem nënë, pastaj të dal në xhirim e më pas të kthehem sërish tek prindërimi. Ka pak lëvizje përpara e prapa, por funksionon”, pati thënë ajo për revistën OK!.

Ylli ka shtuar se për momentin mëmësia nuk i ka ndryshuar zgjedhjet e saj profesionale.

“Ende jo, por ndoshta do të ndodhë pas disa vitesh. Puna ime më jep një liri që shumë njerëz nuk e kanë, dhe për këtë jam mirënjohëse”, ka thënë ajo.

Johansson ka thënë gjithashtu se dëshiron të jetë një shembull i mirë për vajzën e saj.

“Nuk jam e sigurt sa ndikim ka tani, por në të ardhmen dua që ajo të mësojë rëndësinë e punës së palodhur, të ndjekjes së ëndrrave dhe të besimit se mund t’i bësh ato realitet”, ka thënë ajo.