Të enjten, tepihu i kuq u pushtua nga dy yje të mëdhenj të Hollywoodit që zgjodhën të tregojnë më shumë se zakonisht, duke e çuar trendin e veshjeve transparente në një nivel të ri.
The Hollywood Reporter ka shkruar se Margot Robbie, aktorja dhe producentja e filmit “Barbie”, e cila së fundmi është bërë nënë, mori vëmendjen në premierën e filmit të saj të ri “A Big Bold Beautiful Journey” në Londër.

Ajo kishte zgjedhur një fustan transparent nga koleksioni couture pranverë 2025 i disenjatorit tashmë të ndjerë Giorgio Armani.
Dalja e saj ishte veçanërisht e ngarkuar me emocione, pasi ndodhi vetëm disa ditë pas vdekjes së disenjatorit legjendar, në moshën 91-vjeçare.
Mediat ndërkombëtare e kanë cilësuar pamjen si nderim të ëmbël por dhe pak “djegës” për Armanin.
Fustani i Robbie kishte bazë të tejdukshme, të mbuluar me ornamente me gurë në formë lulesh.
Por momenti më i komentuar ishte kur aktorja u kthye me shpinë: rripat e hollë të fustanit formonin një kryq, duke theksuar një varëse në formë diamanti, ndërsa poshtë, veshja linte shumë pak për imagjinatë, duke zbuluar të pasmet e saj.

Ndërkohë, në anën tjetër të Atlantikut, aktorja Dakota Johnson mori pjesë në ngjarjen e përvitshme gala “Caring for Women” të organizuar nga kompania Kering në New York.
E veshur me një krijim shumë transparent të brendit "Gucci", të stiluar nga Kate Young, Johnson tërhoqi sytë e të gjithëve.

Fustani i zi, me qafë të lartë dhe bisht, kishte bazë po ashtu të tejdukshme të qëndisur me lule dhe nxirrte në pah të brendshmet e saj të zeza, në të njëjtën linjë me trendin e “naked dressing”.

Ngjarja mblodhi shumë yje. Mes tyre Demi Moore, Jessica Chastain, Julianne Moore, Salma Hayek, Lauren Sánchez Bezos, Adrien Brody dhe Casey Wasserman.
Një moment i veçantë ishte edhe paraqitja e kryeredaktores së prestigjiozes Vogue, Anna Wintourit, e cila pozoi në tapet të kuq me pasuesen e saj, Chloe Malle, si dhe me kryeredaktorin e ri të revistës Vanity Fair, Mark Guiducci, dhe mikun e saj të ngushtë, regjisorin Baz Luhrmann.
