Edhe pse franshiza e filamve “Mission: Impossible” po i afrohet fundit, aktori, Tom Cruise në premierën e filmit “The Final Reckoning” në New York ka premtuar se nuk do ta braktisë kinemanë.
“Nuk do të ndalem kurrë. Nuk do të ndalem kurrë së bëri filma aksion, nuk do të ndalem kurrë së bëri drama, komedi, jam i emocionuar”, ka thënë ai për The Hollywood Reporter.
Pas prezantimit në Festivalin e Cannes, javën e kaluar, “Mission: Impossible – The Final Reckoning” pati premierën e tij amerikane të dielën në mbrëmje në New York. Ky është filmi i tetë dhe i fundit i sagës që nisi në vitin 1996, dhe vetë Cruise e konfirmoi: “Është finalja! Nuk quhet kot ‘finale’”, ka thënë ai.
Dy vjet më parë, Cruise kishte thënë se ishte frymëzuar nga karriera e aktorit të njohur Harrison Ford, i cili në moshën 80-vjeçare ende luante role aksion, dhe shprehej se donte të vazhdonte të realizonte filma “Mission: Impossible” deri në atë moshë.
Por tashmë, në moshën 62-vjeçare, ai e ka rritur edhe më tej ambicien.
“Në fakt kam thënë që do të bëj filma deri në të 80-at; në të vërtetë, do të bëj filma deri në të 100-at”, u shpreh Cruise me të qeshur.
VIDEO:
At the #MissionImpossible—The Final Reckoning premiere, Tom Cruise reveals he will keep making movies into his 100s pic.twitter.com/dZdzfEKnAf
Duke reflektuar mbi gati 30 vjet në këtë franshizë, ai ka thënë se është e pamundur të veçojë një moment të vetëm si më të veçantin.
“Ka pasur kaq shumë nivele shpërblimi, me regjisorët që kam bashkëpunuar, ekipet, njerëzit, kulturat ku kemi punuar. Gjithçka që kam mësuar dhe vazhdoj të mësoj për tregimin, jetën, udhëheqjen, karakterin dhe çdo aspekt të realizimit të filmave. Ka qenë e jashtëzakonshme, vërtet e jashtëzakonshme. Ndihem shumë me fat që mund të bëj filma dhe e dua këtë punë. Dua të bëj filma”, ka thënë ai.
Kur u pyet nëse ka ndonjë ritual para skenave të rrezikshme, ai tha me humor se ka shumë rituale që bën e që e mbajnë gjallë para akrobacive që bën.
“Ka shumë rituale para aksioneve që më mbajnë gjallë, varet nga ajo që po bëj dhe përgatitja që më duhet. Ka shumë mendim pas tyre, janë shumë të ndërlikuara dhe interesante”, ka thënë aktori.
Në këtë film të fundit, përveç Cruise, marrin pjesë edhe aktorët Hayley Atwell, Simon Pegg, Pom Klementieff, Greg Tarzan Davis, Angela Bassett, Esai Morales, Henry Czerny, Charles Parnell, Holt McCallany, Nick Offerman, Tramell Tillman dhe Katy O’Brian.
Regjisori Christopher McQuarrie është rikthyer për herë të katërt në këtë seri dhe në premierë ka folur për bashkëpunimin me Cruise.
“Është më i përkushtuari, më i hapuri, është gati për gjithçka. Edhe kur nuk e kupton apo nuk ndien diçka menjëherë, ai është plotësisht i gatshëm të hidhet në të. Është një mësues i shkëlqyer dhe një student i shkëlqyer”, ka thënë regjisori.