Tom Cruise dhe këngëtarja e njohur Dolly Parton janë mes personaliteteve që do të marrin çmime “Oscar” nderi në ceremoninë e ardhshme të Akademisë së Filmit “Governors Awards”, që do të mbahet në muajin nëntor.
Aktori i filmit “Mission: Impossible – The Final Reckoning”, i cili ndonëse ka qenë disa herë i nominuar për “Oscar”, për rolet e tij në filmat “Born on the Fourth of July”, “Magnolia”, “Rain Man” dhe për prodhimin e filmit “Top Gun: Maverick”, nuk e ka fituar kurrë këtë çmim, do të jetë një nga katër të nderuarit e këtij viti, ka shkruar FemaleFirst.
Përveç Cruise, çmime nderi do të marrin edhe këngëtarja Dolly Parton, koreografja, aktorja dhe regjisorja Debbie Allen, si dhe disenjatori i skenës Wynn Thomas. Këto çmime jepen “për të nderuar arritje të jashtëzakonshme gjatë jetës, kontribute të veçanta në artin dhe shkencën e filmit, ose për shërbime të jashtëzakonshme ndaj Akademisë”.
Presidentja e Akademisë, Janet Yang, ka thënë se të katërt janë “personalitete legjendare” që kanë lënë “ndikim të qëndrueshëm”.
“Çmimet ‘Governors’ të këtij viti do të festojnë katër personalitete legjendare, karrierat e jashtëzakonshme dhe përkushtimin e të cilëve ndaj komunitetit të kinemasë vazhdojnë të lënë një gjurmë të thellë. Bordi i Guvernatorëve të Akademisë është i nderuar t’i njohë këta artistë brilante”, ka thënë ajo.
Yang ka vlerësuar Debbie Allen si koreografe dhe aktore pioniere, për të cilën ka thënë se puna e saj ka mahnitur breza të tërë dhe ka tejkaluar zhanret.
“Përkushtimi i tij i jashtëzakonshëm ndaj komunitetit të filmit, përvojës në kinema dhe bashkësisë së akrobatëve na ka frymëzuar të gjithëve”, ka thënë ajo për Cruisen.
Duke folur për Parton, ajo ka theksuar se këngëtarja mishëron shpirtin e “Çmimit Humanitar Jean Hersholt” përmes përkushtimit të saj të palëkundur ndaj bamirësisë.
Ndërsa për Wynn Thomas, Yang ka thënë se artisti ka sjellë në jetë disa nga filmat më të qëndrueshëm “përmes syrit të tij vizionar dhe mjeshtërisë në punën e tij”.
Dolly Parton, e cila më parë ishte nominuar për çmim “Oscar” për këngët origjinale në filmat “9 to 5” dhe “Transamerica”, do të marrë “Çmimin Humanitar Jean Hersholt”, çmim që më parë e kanë fituar figura si Angelina Jolie, Tyler Perry dhe Michael J. Fox.
Ky çmim nderon ata që “kanë sjellë lavdi në industrinë e filmit duke promovuar mirëqenien njerëzore dhe duke ndihmuar në korrigjimin e pabarazive”.
Vitin e kaluar, çmimet “Governors” iu dhanë regjisores së kastit Juliet Taylor dhe çmimi “post-mortem” muzikantit Quincy Jones.
“Çmimi Humanitar Jean Hersholt” iu dha shkrimtarit dhe regjisorit Richard Curtis, ndërsa “Çmimi Irving G. Thalberg” shkoi për producentët e filmave “James Bond”, Michael G. Wilson dhe Barbara Broccoli.
Këto dy çmime të fundit nuk jepen çdo vit, por vetëm kur miratohen nga Bordi i Guvernatorëve të Akademisë.