Showbiz

Timothy Busfield dorëzohet në polici pas akuzave për abuzim seksual ndaj një të mituri

Timothy Busfield

Timothy Busfield

Foto: Associated Press

Aktori fitues i çmimit “Emmy”, Timothy Busfield, është dorëzuar të martën tek autoritetet në New Mexico për t’u përballur me akuza për abuzim seksual ndaj një të mituri.

Aktori ka deklaruar se do t’i kundërshtojë akuzat dhe se është i pafajshëm, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.

Sipas autoriteteve në Albuquerque, ndaj Busfield ishte lëshuar të premten një urdhër-arrest për dy akuza për kontakt seksual kriminal me një të mitur dhe një akuzë për abuzim të fëmijës. 

Në padinë penale thuhet se ngjarja e dyshuar ka ndodhur në sheshxhirimin e serialit televiziv “The Cleaning Lady”, i cili po xhirohej në Albuquerque, ku Busfield ishte në rolin e regjisorit.

“Tim u paraqit vullnetarisht para autoriteteve të New Mexicos, pasi udhëtoi nëpër gjithë vendin për t’u përballur me këto akuza të rreme dhe thellësisht shqetësuese. Ai është i pafajshëm dhe është i vendosur të pastrojë emrin e tij”, ka thënë avokati i tij, Stanton Stein.

Busfield është i martuar me aktoren Melissa Gilbert dhe njihet për rolet e tij në serialin e famshëm “The West Wing”, si dhe në filmat “Field of Dreams” dhe “Thirtysomething”.

Ai fitoi çmimin “Emmy” në vitin 1991 për aktorin më të mirë dytësor në një serial dramatik, për punën që ka bërë në projektin filmik “Thirtysomething”.

Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera për rastin, ndërsa hetimet pritet të vazhdojnë në ditët në vijim.