Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Chalamet e McConaughey flasin rreth AI-së: Mos e mohoni, por ruajeni integritetin artistik

Matthew McConaughey dhe Timothée Chalamet

Matthew McConaughey dhe Timothée Chalamet

Aktori, Timothée Chalamet, ka ndarë mendimin e tij për inteligjencën artificiale (AI), duke theksuar se teknologjia duhet të integrohet në mënyrë etike dhe me përgjegjësi.

30-vjeçari ka foluar në një aktivitet të organizuar nga Variety dhe CNN në Teksas, ku u shfaq përkrah aktorit Matthew McConaughey.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Chalamet ka thënë se brezi i ri, sidomos Gen Z, do të përballet drejtpërdrejt me sfidën e integrimit të AI në shoqëri.

“Do të jetë beteja e të gjithë neve, tingëllon pak konfrontuese, nuk e kam me atë kuptim, por është një përgjegjësi e dyfishtë. Fatkeqësisht për brezin tuaj, mendoj se do të jeni ju që do ta kuptoni si ta integroni atë. Ka një përgjegjësi të madhe për ata që janë sot në pozita pushteti, si unë, si Matthew, që të sigurohemi që dyert të mbeten të hapura. Disa nga rolet që më ndihmuan të nis karrierën time, nuk e di nëse do të ekzistonin sot”, ka thënë ai.

Duke iu drejtuar studentëve të pranishëm, ai ka theksuar dimensionin moral të çështjes.

“Ka një nivel fatalizmi që e ndiej. Do të jetë mbi brezin tuaj, dhe disi edhe mbi timin, të kuptojmë si ta integrojmë në mënyrë etike, nëse fare, apo edhe të heqim dorë prej saj. Pjesa fataliste brenda meje ndien se kjo po vjen. Por pjesa ëndërrimtare thotë: ‘Nëse kjo i mundëson një 19-vjeçari të krijojë diçka që përndryshe nuk do ta bënte dot, sepse ka dyer të mbyllura përpara tij, atëherë mirë’. Por në fund, nuk më takon mua ta vendos”, ka thënë ai.

Chalamet ka shtuar se është “jashtëzakonisht mbrojtës” ndaj aktorëve dhe artistëve në industrinë e filmit, por pranon se ndryshimi është i pashmangshëm.

“Dua t’i mbaj dyert hapur për ju. Por dikush do ta gjejë mënyrën si ta bëjë këtë menjëherë. Dhe çfarëdo vale që po vjen, po vjen”, ka thënë ai.

Sipas tij, industria e filmit do të detyrohet të gjejë një mënyrë të shëndetshme për ta përqafuar teknologjinë, duke ruajtur njëkohësisht integritetin artistik dhe mundësitë për brezat e rinj.

Ndërkohë edhe aktori Matthew McConaughey u ka bërë thirrje figurave të Hollywoodit që të mos e mohojnë AI-ë, por ta përqafojnë dhe ta menaxhojnë me zgjuarsi.

“Po vjen. Tashmë është këtu. Mos e mohoni. Nuk mjafton të rrish anash dhe të bësh thirrje morale se ‘kjo është e gabuar’. Nuk do të zgjasë. Ka shumë para për t’u fituar dhe është shumë produktive. Prandaj them: zotëro veten. Zërin, imazhin, gjithçka. Regjistroje punën tënde si marke tregtare. Çfarëdo që duhet të bësh, që kur të vijë momenti, askush të mos të të vjedhë”, ka thënë 56-vjeçi.

Ai ka shpjeguar se për këtë arsye ka patentuar shprehjen e tij të famshme nga filmi “Dazed” and Confused, për të mbrojtur identitetin dhe figurën e tij në epokën e AI-së.

Duke iu drejtuar Chalametit, McConaughey ka dhënë një shembull se si AI mund të përdoret në të ardhmen.

“Do të duhet të vijnë te ti dhe të thonë: ‘Timothée, dua që të jesh në festën time të 50-vjetorit në Bahamas. E di që s’mund të vish fizikisht, por do të të projektojmë si personazhi yt’. Ata mund ta bëjnë këtë, por duhet të kërkojnë leje. Përndryshe, do të shkelin ligjin. Dhe ti do të kesh mundësinë të thuash: ‘Po, për këtë shumë’ ose ‘Jo’”, ka thënë aktori.

Sipas tij, AI do të depërtojë thellë në industrinë e filmit dhe madje mund të krijojë kategori të reja çmimesh.

“Patjetër që do të futet në kategorinë tonë. A do të kemi pas pesë vjetësh ‘filmi më i mirë me AI’? ‘Aktori më i mirë AI’? Ndoshta. Do të bëhet aq i mirë sa nuk do ta dallojmë dot. Kjo është një nga pyetjet më të mëdha tani: çfarë është realiteti?”, ka thënë artisti.

Ai e pranon se kjo situatë është njëkohësisht emocionuese dhe e frikshme.

“Është më e paqartë se kurrë, në një mënyrë emocionuese, por edhe të frikshme. Përgatituni për të. Zotëroni hapësirën tuaj, që të paktën të keni kontroll kur të fillojë të hyjë në territorin tuaj”, ka thënë ai.

McConaughey ka bashkëpunuar më parë me kompaninë e inteligjencës artificiale ElevenLabs, ku ka investuar për të krijuar versione virtuale të zërit të tij.

“Për të gjithë ata që po ndërtojnë teknologji zëri: vazhdoni. Po ndihmoni të krijohet një e ardhme ku mund të ngremë sytë nga ekranet dhe të lidhemi përmes diçkaje kaq njerëzore dhe të përjetshme, zërit tonë”, ka thënë ylli.