Dyshja britanike e grupit punk-rok, Bob Vylan, është përjashtuar nga lista e këngëtarëve kryesorë të festivalit të muzikës në Manchester, pas paraqitjes kontroverse në “Glastonbury”.
Grupi ishte paraparë të ishte ndër interpretimet kryesore në festivalin “Radar Festival” të shtunën, por organizatorët kanë konfirmuar nëpërmjet një deklarate se ata s’do të paraqiten.
Bob Vylan është përjashtuar edhe nga festivali “Kave Fest” në Francë.
Në “Glastonbury”, këngëtari i grupit udhëhoqi turmën në thirrjet “vdekje për IDF-në (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit)” duke nxitur debat të ashpër, e madje edhe reagim të kryeministrit i cili e quajti “gjuhë të tmerrshme urrejtjeje”.
Bob Vylan iu përgjigj reagimeve në Instagram duke thënë se është bërë cak veç se ka folur zëshëm.
“Nuk jemi për vdekjen e hebrenjve, arabëve apo ndonjë race a grupi të njerëzve. Ne jemi për çmontimin e një makinerie ushtarake të dhunshme”, kanë thënë ata.
Pas rastit në “Glastonbury”, grupit iu revokua edhe viza amerikane. Grupi ishte planifikuar të merrte pjesë në një turne në SHBA në tetor, duke mbështetur këngëtarin Grandson në qytetin Spokane, Washington, por Departamenti Amerikan i Shtetit ndërhyri duke u revokuar vizat hyrëse.