Showbiz

“The Beauty”, seriali i ri për botën e errët të modës

The Beauty

Foto: Associated Press

Evan Peters, Ashton Kutcher, Bella Hadid dhe yje të tjerë të serialit “The Beauty”, parakaluan në tapetin e kuq këtë javë në New York.

Seriali më i fundit nga Ryan Murphy dhe Matthew Hodgson, është një prodhim i zhanrit ‘body horror’, që trajton anën e errët të botës së modës së lartë dhe bukurisë.

“Epo, unë e dua shumë serinë e librave komikë dhe botën që ata kanë krijuar. M’u duk vërtet interesante. Isha kureshtar të shihja se çfarë do të bënte Ryan Murphy me të dhe si do ta përshtaste sipas stilit të tij. Dhe ai nuk na zhgënjeu. Është një triller/aksion shumë provokues, universal, satirik, fantastiko-shkencor, me elemente të horrorit”, tha Peters.

Ylli i njohur i Hollywoodit, Ashton Kutcher, për gazetarët e pranishëm në premierë tregoi se si iu dha mundësia të bëhej pjesë e këtij projekti.

“Ryan kontaktoi. Unë nuk po kërkoja të punoja, nuk po kërkoja të bëja asgjë, dhe ai më tha: ‘Shiko, po shkruaj këtë personazh, po e shkruaj për ty dhe mendoj se do të jetë ndryshe nga çdo gjë që ke bërë më parë’. Dhe unë i thashë: ‘OK, më trego më shumë për rolin.’ Kur ai filloi të më shpjegonte personazhin dhe temën që trajton seriali, për çfarë bëhet fjalë dhe si zhvillohet historia, mendova se ishte shumë i rëndësishëm nga ana shoqërore. Kështu që thashë me vete, dua të përfshihem në këtë projekt. Por mendoj se, në një farë mënyre, të gjithë janë ‘personazhi i lig’ për dikë. Edhe kur luan një personazh që bën gjëra që duken jashtëzakonisht të neveritshme për të tjerët, zakonisht veprimet e tij janë një pasqyrim i asaj se si ai ndihet. Nëse mund të gjeja një mënyrë për ta bërë personazhin të afërt dhe të kuptueshëm për shikuesin, kjo më dukej shumë argëtuese”, tha Kutcher.

Seriali bazohet në serinë e librave komikë të autorëve, Jeremy Haun dhe Jason A. Hurley.

“The Beauty” do të ketë premierën më 31 janar në FX.