Një grua është arrestuar të dielën pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri drejt shtëpisë së këngëtares Rihanna në Los Angeles, duke shkaktuar panik në lagjen luksoze ku ajo jeton.
Sipas policisë, e dyshuara ka qëlluar mes shtatë dhe nëntë plumba me një pushkë të tipit AR-15, ndërsa katër prej tyre kanë goditur shtëpinë, dhe një ka shpuar një mur. Autoritetet ende po hetojnë motivin e sulmit, ka raportuar The New York Post.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo
Burime të policisë kanë thënë se Rihanna dhe partneri i saj, reperi A$AP Rocky, “nuk dinë pothuajse asgjë” për arsyen pse ndodhi incidenti.
Sipas policisë, të shtënat janë bërë nga një automjet i parkuar përballë portës së pronës. Pas sulmit, e dyshuara është larguar me shpejtësi me një veturë Tesla të bardhë, por është arrestuar rreth 30 minuta më vonë në një parking në Sherman Oaks.

Banorët e lagjes kanë thënë se u tronditën nga zhurmat e armëve.
“Po laja enët në shtëpi kur dëgjova të shtëna. U befasova shumë. Nuk dëgjojmë gjëra të tilla në këtë lagje”, ka thënë fqinja Isabel Thorne.
Ajo ka shtuar se zhurma ishte shumë e madhe.

“Gjithçka jehon në këtë luginë, kështu që dëgjohet çdo gjë. Edhe kur dikush bën festë dëgjohet muzika”, ka thënë ajo.
Një tjetër fqinj, Keith England, ka thënë se dëgjoi disa të shtëna radhazi.
“Po punoja me muzikë në shtëpi kur dëgjova ‘bam, bam, bam’. Ishte një tingull shumë i qartë, nuk ishte makinë që shpërthen apo fishekzjarre, ishte armë”, ka thënë ai.
England ka shtuar se menjëherë u shtri në tokë nga frika.
“I thashë ‘shtrihu në dysheme’, sepse nuk e di kurrë sa afër janë plumbat”, ka thënë ai.
Nuk dihet nëse dikush ndodhej brenda shtëpisë në momentin e të shtënave.

Reperi A$AP Rocky nuk ishte në shtëpi në atë kohë.
Këngëtarja jeton në një vilë me pesë dhoma gjumi, të cilën e bleu për 13.8 milionë dollarë në vitin 2021, në një lagje ku kanë shtëpi edhe yje si Mariah Carey, Madonna dhe Paul McCartney.
Rihanna dhe A$AP Rocky kanë tre fëmijë së bashku.
Ky nuk është rasti i parë që këngëtarja përballet me incidente në shtëpinë e saj.
Në vitin 2018, një burrë hyri ilegalisht në rezidencën e saj në Hollywood Hills dhe qëndroi aty për rreth 12 orë para se të zbulohej nga një asistente.