Këngëtarja Taylor Swift ka shpjeguar pse albumi i saj i ri “The Life of a Showgirl” ka temë ngjyrën e portokalltë, duke zbuluar se ajo përfaqëson gjendjen shpirtërore që kishte gjatë krijimit të tij, teksa ishte në turneun “The Eras Tour”. Albumi pritet të dalë më 3 tetor.
Në një paraqitje në podcastin “New Heights” me të dashurin e saj Travis Kelce dhe vëllain e tij Jason Kelce, Swift u pyet për rëndësinë e ngjyrës së portokalltë, ka raportuar FemaleFirst.
“Thjesht gjithmonë më ka pëlqyer… Më duket sikur është energjia që kam ndjerë në jetën time dhe ky album flet për atë që po ndodhte prapa skenës në jetën time reale ndërkohë që isha në ‘The Eras Tour’, turne që ishte aq elektrizues dhe plot gjallëri”, ka thënë ajo.
Këngëtarja ka zbuluar gjithashtu se për këtë album, të 12-in në karrierën e saj, është ribashkuar me producentët Max Martin dhe Shellback, me të cilët ka bashkëpunuar në albumet “Red”, “1989” dhe “Reputation”.
“Një nga gjërat për këtë album është se e kam bërë me mentorët e mi Max Martin dhe Shellback. Ne të tre kemi krijuar disa nga këngët e mia të preferuara. Ata ishin bashkëpunëtorët kryesorë në albumin tim ‘Red’. Bëmë ‘We Are Never Getting Back Together’, ‘I Knew You Were Trouble’, ‘22’, ‘Shake It Off’, ‘Blank Space’, ‘Style’, ‘Wildest Dreams’, ‘Ready for It’, ‘Delicate’”, ka thënë ajo, duke i quajtur “thjesht gjeni”.
Sa i përket kopërtinës së albumit, e cila e tregon të veshur me një kostum të stolisur me gurë dhe nën ujë në një vaskë, Swift ka treguar se kjo është si një metaforë e mbylljes së një nate koncerti.
“Kjo përfaqëson fundin e natës sime … Ditët e shfaqjes janë të njëjta çdo ditë, ndryshon vetëm qyteti. Dhe dita ime përfundon në vaskë, jo zakonisht me një fustan me xixa… Albumi përfaqëson jetën përtej shfaqjes… Do të thosha se është gjithçka që ka ndodhur prapa perdes”, ka thënë ndër të tjera ylli.