Këngëtarja, Taylor Swift, ka zbuluar “listën e dëshirave” të jetës së saj përmes teksteve në albumin e ri “The Life of a Showgirl”, ku rrëfen se prej kohësh ëndërron të martohet dhe të bëhet nënë.
35-vjeçja ka treguar se ka menduar për martesën dhe krijimin e një familjeje që para se i fejuari i saj, ylli i futbollit amerikan, Travis Kelce, t’i propozonte këtë vit, ka shkruar FemaleFirst.
Në këngën “Wi$h Li$t”, ajo i drejtohet të ardhmes si bashkëshorte dhe nënë.
“Unë thjesht të dua ty / Të kemi disa fëmijë, e gjithë lagjja të duket si ti / U themi botës të na lërë të qetë… dhe ata e bëjnë / Wow / Më bën të ëndërroj për një oborr me kosh basketbolli / Ta marr jetën në dorë, të vendosem, kam një listë dëshirash / Unë thjesht të dua ty”, thuhet në këngën e saj.
Në këngën tjetër “Eldest Daughter”, Swift pranon se ka gënjyer kur më herët kishte thënë se “nuk beson në martesë”.
“Unë kurrë s’do të të zhgënjej / Kurrë s’do të të lë pas / Kur thashë se nuk besoj në martesë / Ishte një gënjeshtër”, thuhet në këngë.
Swift dhe Kelce e bënë publike fejesën në muajin shtator, përmes një postimi të përbashkët në rrjete sociale, duke ndarë fotografi nga momenti kur futbollisti i Kansas City Chiefs u ul në gjunjë për t’i propozuar.
Në një intervistë për Fox Sports, Travis pranoi se ishte shumë i emocionuar.
“Ajo mund ta tregojë historinë, por pëllëmbët e duarve më ishin mbushur me djersë. Jam një tip emocional, kështu që pati edhe disa lot. Ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm deri në këtë ditë, dhe mezi pres ta kaloj jetën me të. Ajo më ka sjellë gëzim dhe dashuri për jetën që më ka bërë njeri më të mirë dhe më ka dhënë më shumë besim në vetvete”, ka thënë ai.