Pas 19 muajsh, Princi Harry është ribashkuar me babain e tij, Mbretin Charles III, në një takim privat këtë të mërkurë në Londër, duke ringjallur shpresat për pajtim mes tyre.
CNN ka raportuar se ata kanë pirë çaj privatisht në Clarence House. Harry u pa duke hyrë me veturë Range Rover rreth orës 17:20 dhe doli një orë më vonë.
Ky ishte takimi i tyre i parë ballë për ballë që nga muaji shkurt i vitit 2024, kur Harry udhëtoi në Britani për një vizitë të shkurtër pasi mbreti u diagnostikua me kancer.
Në muajin prill, ai nuk arriti ta takonte të atin pasi Charles ishte në një vizitë shtetërore në Itali.
Harry ka shprehur publikisht dëshirën për pajtim.
“Disa anëtarë të familjes sime kurrë nuk do të më falin për librin tim... por unë do të doja të pajtohem me familjen time. Nuk ka më kuptim të vazhdojmë të luftojmë”, pati thënë ai për BBC-në në muajin maj.
Megjithatë, marrëdhëniet me vëllanë, princin William, mbeten të ftohta.
William është fokusuar te gruaja e tij, Princesha Kate, gjatë trajtimit të saj për kancer.
Ndërkohë, Harry ka qenë aktiv me angazhime bamirësie në Londër.
“Po, është shumë mirë, faleminderit”, pati thënë ai për gjendjen shëndetësore të babait të tij.
Gjithashtu, ai shpalli një donacion prej 500 mijë dollarësh për fëmijët e plagosur në Gaza dhe Ukrainë, duke theksuar se asnjë organizatë nuk do mund ta zgjidhte këtë vetëm.
“Duhen partneritete për të siguruar që fëmijët të mbijetojnë dhe të rikuperohen pas plagëve të shkaktuara nga shpërthimet”, pati thënë ai.
Harry, vizitën në Britani, do ta përmbyllë të enjten me aktivitetin e fundit bamirës në kuadër të fondacionit “The Diana Award”, përpara se të kthehet në SHBA.