Sydney Sweeney ka thënë se dëshiron të bëjë filma që “shpëtojnë jetën e njerëzve”.
Aktorja amerikane 28-vjeçare këtë vit është shfaqur në trilerin psikologjik “The Housemaid” dhe në filmin biografik për boksierin Christy, dy projekte që trajtojnë dhunën në familje. Sweeney thotë se tregon “kujdes të madh” kur merr role të tilla.
“Të kesh një film komercial që flet për një temë kaq të vështirë është e rëndësishme”, ka thënë ajo për BBC.
Sweeney aktualisht luan rolin e Millie Calloway në “The Housemaid”, i bazuar në romanin me të njëjtin titull të autores Freida McFadden, botuar në vitin 2022. Libri është bestseller ndërkombëtar dhe ka krijuar një komunitet të madh lexuesish.
Aktorja ka thënë se është “adhuruese e madhe e librit” dhe se i ka dashur të gjithë personazhet.
“Më pëlqejnë historitë komplekse, të errëta dhe të çuditshme. Ky është një projekt ëndrrash”, shprehet ajo.
Në film luajnë gjithashtu Amanda Seyfried dhe Brandon Sklenar, në rolet e Nina dhe Andrew Winchester, një çift që punëson personazhin e Sweeneyt në shtëpinë e tyre. Seyfried dhe Sweeney janë përzgjedhur pjesërisht për shkak të ngjashmërisë fizike, por Seyfried thotë se ngjashmëritë mes tyre shkojnë përtej pamjes.
“Ka një ngjashmëri mes nesh që është e pazakontë. Është kënaqësi të punosh me dikë që jetën dhe punën i sheh në mënyrë të ngjashme”, ka thënë ajo.
Sweeney ka shtuar se mes tyre është krijuar një dinamikë e natyrshme, që i ka ndihmuar të eksplorojnë më thellë personazhet e tyre dhe të shkojnë në “vende emocionale të vështira”.
Gjetja e tonit të duhur
Personazhi i Seyfried, Nina, përballet me probleme të rënda të shëndetit mendor, duke e bërë filmin të vështirë për t’u parë në disa momente.
“Duhet ta luash sa më realisht, sepse duhet të pasqyrojë jetën e vërtetë”, ka thënë ajo.
“The Housemaid” është krahasuar me trilerët familjarë të viteve ’90, si “The Hand That Rocks the Cradle”, “Fatal Attraction” dhe “Basic Instinct”, por me një qasje më moderne ndaj abuzimit psikologjik dhe emocional.
Seyfried shpreson që publiku ta përfundojë filmin me një kuptim më të thellë për dhunën në familje, sidomos ata që nuk janë përballur kurrë me të.
Regjisori Paul Feig ka pranuar se ka qenë i shqetësuar për trajtimin e kësaj teme. Ai ka thënë se është kujdesur që abuzimi të jetë kryesisht psikologjik dhe jo fizik, për të ruajtur ndjeshmërinë e rrëfimit.
Tema e dhunës në film ka qenë shumë e diskutuar në Hollywood, sidomos pas kritikave ndaj filmit “It Ends With Us” në vitin 2024, i cili u akuzua se e shfaqte abuzimin si histori romantike.
Brandon Sklenar, që luan në të dy filmat, thotë se rolet e abuzuesve janë emocionalisht të rënda dhe ndikojnë edhe te vetë aktori.
Filmi ka marrë kryesisht vlerësime pozitive. The Guardian i dha katër yje, duke e përshkruar si një film të realizuar me energji dhe interpretim të fortë.
Pritja pozitive vjen pas një viti të trazuar për Sweeneyn, e cila u kritikua për reklamat e saj me “American Eagle” dhe për disa dështime në arkat filmike.
Megjithatë, “The Housemaid” u hap me 19 milionë dollarë fitime në Amerikën e Veriut, sukses i pritur duke pasur parasysh se romani ka shitur mbi 1.6 milionë kopje në mbarë botën.
Duke qenë se libri ka edhe dy vazhdime, adaptime të tjera filmike janë të mundshme.
Feig ka thënë se librat do të mbeten burim i rëndësishëm për Hollywoodin, por ka shtuar se jo çdo bestseller funksionon në ekran.
Ai ka zbuluar se filmi përmban edhe një fund shtesë, që nuk është në libër, në mënyrë që edhe lexuesit të përjetojnë diçka të re dhe të papritur.