Komediani Stephen Colbert ka thënë se është “e arsyeshme” që njerëzit të mendojnë se anulimi i programit të tij “The Late Show” nga CBS kishte motive politike, megjithëse vetë ai nuk dëshiron të “përfshihet në ato spekulime”.
61-vjeçari i habiti shikuesit në muajin korrik, kur njoftoi se emisioni i tij do të përfundojë vitin e ardhshëm.
Lajmi erdhi pak pasi ai kritikoi marrëveshjen prej 16 milionë dollarësh që kompania mëmë, Paramount, kishte arritur me presidentin Donald Trump për të mbyllur një padi, në një kohë kur Paramount po priste miratimin për bashkimin me Skydance.
Edhe pse CBS këmbënguli se vendimi për ta ndalur emisionin ishte “thjesht financiar” dhe nuk kishte lidhje me “çështje të tjera në Paramount”, shumëkush beson se arsyeja e vërtetë ishte politike.
I pyetur nga revista amerikane GQ nëse mendon se shfaqja u anulua për arsye politike, Colbert ka sqaruar mendimin e tij.

“Ky nuk është reagimi im. Si profesionist në botën e televizionit, e shoh thjesht si vendim të rrjetit.
Por e kuptoj pse njerëzit mendojnë kështu. CBS ose kompania mëmë, nuk po them kush e mori vendimin, sepse nuk e di, askush nuk do ta thotë kurrë, vendosi t’i japë një çek 16 milionë dollarësh presidentit të Shteteve të Bashkuara për një padi që vetë avokatët e Paramount e quajtën plotësisht pa bazë”, ka thënë ai.
Colbert ka shtuar se një marrëveshje e tillë dëmton reputacionin e rrjetit, të korporatës dhe të redaksisë së lajmeve, dhe se është e paqartë pse dikush do ta bënte një gjë të tillë përveçse për t’i bërë qejfin një personi të vetëm.
“Pra, nëse njerëzit kanë teori që e lidhin këtë me mua, është e arsyeshme. Sepse CBS ose kompania e tyre e bëri një herë. Por unë e kam anën time të pastër dhe s’kam ndërmend të merrem me plehrat në anën tjetër të rrugës. Nuk është problemi im”, ka thënë ai.
Colbert ka pranuar se ka “ndjenja” për fundin e “The Late Show”, por nuk dëshiron t’i ndajë publikisht, sepse programi do të vazhdojë deri në muajin maj të vitit 2026.
“Sigurisht që kam ndjenja për mbylljen, por pse do të duhej të hyja në këtë debat me rrjetin tim kur kemi edhe nëntë muaj bashkëpunim përpara?”, ka shtuar ai.
Moderatori ka pranuar gjithashtu se lajmi e kishte befasuar plotësisht.
“Kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me CBS. Prandaj kjo ishte kaq befasuese, nuk pati asnjë paralajmërim. Ne i bëjmë buxhetet, i dimë prerjet, kemi kaluar situata të tilla më parë. Kësaj here, thjesht ndodhi papritur”, ka thënë ai.
Ai ka cekur sërish se CBS ka qenë një partner i mrekullueshëm.
“Më kanë mbështetur gjithmonë”, ka thënë Colbert.