Showbiz

Sophie Turner: Më është dashur ta rindërtoj karrierën pasi u bëra nënë

Sophie Turner

Aktorja britanike Sophie Turner ka treguar se iu desh të “rindërtonte” karrierën e saj të aktrimit pasi u bë nënë. Ylli 29-vjeçar ka dy vajza, Willa, pesë vjeçe, dhe Delphine, tre vjeçe, nga martesa e saj e mëparshme me këngëtarin Joe Jonas, dhe ka pranuar se pauza që mori për t’iu përkushtuar familjes ndikoi në ritmin e karrierës së saj.

Në një intervistë për gazetën The Guardian, Turner ka folur hapur për përvojën e amësisë dhe ndikimin e saj profesional. “Është vërtet shumë bukur. Nuk jam më e shqetësuar për orën time biologjike apo gjëra të tilla. M’u duk si pushimi i duhur për t’u përqendruar te vetja, sepse për një kohë shumë të gjatë kisha qenë gjithmonë një personazh”, ka thënë ajo.

Megjithatë, Turner ka pranuar se kjo periudhë kishte edhe anën e saj të vështirë. “Të qëndruarit në shtëpi dhe krijimi i një foleje familjare ishte fantastik. Por ana tjetër e medaljes, dhe pandemia e Covidit nuk ndihmoi aspak, ishte se ky ishte një shkëputje e madhe nga karriera. Dhe në njëfarë mënyre më është dashur ta rindërtoj. Nuk e kupton sa i rëndësishëm është momentumi në një karrierë, dhe unë e ndala pak atë”, ka deklaruar aktorja.

Turner u bë e famshme që në adoleshencë me rolin e Sansa Starkut në serialin e HBO-së, Game of Thrones, por ka rrëfyer se ndonjëherë do të kishte dashur që debutimi i saj të ndodhte në një projekt më pak të ekspozuar. Ajo ka thënë se sot ndihet në siklet kur sheh punën e saj të hershme, duke shtuar se ndjenja e “impostorit” është diçka që i shoqëron shumicën e aktorëve.