Showbiz

Sir Elton John mendon se po këndon më mirë se kurrë më parë

Sir Elton John

Legjenda e muzikës Sir Elton John vlerëson se është duke “kënduar më mirë se kurrë më parë”.  

John ende po performon në koncerte pavarësisht se u tërhoq nga turnetë pas përfundimit të shfaqjeve të tij “Farewell Yellow Brick Road” në vitin 2023. Ai mendon se zëri i tij është i shkëlqyer, ndonëse është përballur me probleme të ndryshme shëndetësore. John ka humbur shikimin në syrin e djathtë. 

“Deri në fund të vitit do të kem realizuar 11 shfaqje private, të cilat nuk i kam bërë kurrë në jetën time – disa solo, disa me grupin. Ka qenë argëtuese, sepse isha i tmerruar se nuk do të isha në gjendje të shihja tastet e pianos apo mikrofonin”, tha John për “Variety”. 

Këngëtari i hitit “I’m Still Standing” tha se po e shijon performancën. 

“Po ju them diçka, po këndoj më mirë se kurrë më parë dhe po luaj shumë mirë, po e shijoj dhe kjo po më ndihmon shumë. Muzika ka qenë gjithë jeta ime dhe më ka dhënë kaq shumë dhe më ka çuar në udhëtime që nuk mendoja kurrë se do të shkoja”, tha John. 

78-vjeçari po punon në materiale të reja me tekstshkruesin e tij të hershëm Bernie Taupin dhe zbuloi se planifikon të nxjerrë një album më modern pas “Who Believes in Angels?”