Showbiz

“Sinners” e “One Battle After Another” mes të nominuarve në “Writers Guild Awards” (WGA)

“Writers Guild Awards” (WGA)

“Writers Guild Awards” (WGA)

Foto: Associated Press

Filmat “Sinners”, “One Battle After Another”, “Hamnet” dhe “Marty Supreme” janë mes të nominuarve kryesorë për çmimet 2026 të “Writers Guild Awards” (WGA), çmimet më të rëndësishme për skenar në industrinë e filmit dhe televizionit amerikan.

Nominimet u shpallën të martën dhe përfshijnë shumicën e filmave që po konsiderohen edhe si favoritë për çmimin “Oscar”, duke konfirmuar rolin e rëndësishëm që skenari po luan në garën e këtij viti, ka shkruar Deadline.

Në kategoritë e filmit, WGA ka ndarë nominimet në skenar origjinal dhe skenar të adaptuar. Në skenarin e adaptuar, lista përputhet plotësisht me atë të “Oscarit”, ku përfshihen “One Battle After Another” i Paul Thomas Anderson dhe “Hamnet”, me skenar nga Chloé Zhao dhe Maggie O’Farrell, krahas “Frankenstein”, “Bugonia” dhe “Train Dreams”.

Ndërkohë, në kategorinë e skenarit origjinal janë nominuar “Sinners” nga Ryan Coogler dhe “Marty Supreme” nga Ronald Bronstein dhe Josh Safdie, si dhe disa tituj të tjerë.

Një detaj interesant është se Ronald Bronstein dhe Mary Bronstein, e nominuar për filmin “If I Had Legs I’d Kick You”, janë bashkëshortë, duke e bërë këtë një ditë të veçantë për familjen e tyre.

Disa filma të nominuar për “Oscar” mungojnë në listën e “WGA-së”, për shkak të rregullave të anëtarësimit të këtij institucioni, të cilat janë më të rrepta për filmat e huaj. Për këtë arsye, tituj si “Sentimental Value” i Joachim Trier apo “It Was Just an Accident” i Jafar Panahi nuk janë përfshirë.

Në anën e televizionit, seriali “Pluribus” i Apple TV+ kryeson nominimet me katër të tilla, përfshirë serialin dramatik më të mirë dhe serialin e ri më të mirë. Në garën për serial dramatik janë gjithashtu tituj shumë të njohur si “The White Lotus”, “Severance” dhe “Andor”.

Në kategoritë komike, “Hacks” rikthehet sërish në garë, pasi vitin e kaluar fitoi çmimin kryesor, këtë herë përballë serialeve si “Abbott Elementary”, “The Rehearsal” dhe “The Studio”.

“Writers Guild of America” kujton se vitin e kaluar filmi “Anora” ka fituar çmimin për skenarin origjinal dhe më pas përsëriti suksesin edhe në “Oscar”, duke fituar çmimin për filmin më të mirë, një precedent që i jep peshë të veçantë këtyre nominimeve.

Fituesit e çmimeve “WGA” për vitin 2026 do të shpallen më 8 mars, në dy ceremoni paralele që do të mbahen në Los Angeles dhe New York.

Përveç çmimeve konkurruese, “WGA” do të nderojë edhe figura të njohura të industrisë.

Në Los Angeles, Don Reo do të marrë çmimin nderi për kontribut në shkrimin televiziv, ndërsa në New York do të vlerësohen Terry George, Stephen Colbert dhe Diana Son për arritje dhe shërbim të veçantë në këtë fushë.