Seriali “Hannah Montana” mund të duket si një histori e thjeshtë për një vajzë me jetë të dyfishtë, por për shumë fëmijë, sidomos ata nga komunitete të margjinalizuara, ai u kthye në një simbol identiteti dhe vetë-pranimi, ka shkruar CNN.
Në fillim të muajit mars, në Washington Square Park në New York, dhjetëra fansa u mblodhën për një konkurs imitimi të aktores Miley Cyrus, e cila luan rolin e Hannah Montanas. Mes tyre ishin edhe kushërirat iraniano-amerikane Sophia dhe Ariana Parizadeh, të cilat treguan se si e ndiqnin fshehurazi serialin gjatë fëmijërisë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAto u rritën në familje konservatore emigrantësh, ku në shtëpi flisnin gjuhen persiane dhe inkurajoheshin të ndiqnin profesione si mjekësia apo drejtësia, ndërsa në shkollë përpiqeshin të përshtateshin si gjithë të tjerët.
“Ndihesha sikur duhej të ndryshoja mënyrën si sillesha mes shtëpisë dhe shkollës. Kisha versione të ndryshme të vetes në situata të ndryshme”, ka thënë Sophia.
Kjo ndjenjë e “jetës së dyfishtë” ishte pikërisht ajo që e bëri personazhin e Hannah Montanas kaq të afërt për shumë të rinj.
Seriali ka debutuar në vitin 2006 dhe tregonte historinë e një vajze të zakonshme nga Tennessee që jetonte fshehurazi si yll popi në Malibu. Edhe pse sot mund të dukej më ndryshe, me më shumë diversitet dhe histori më moderne, mesazhi i tij mbetet i fortë: të rinjtë kanë identitete komplekse dhe shpesh të ndara.
Katrina “Kitty” Black, një fanse afro-amerikane me origjinë nga Jamaica, ka kujtuar se si përjetonte të njëjtin konflikt.
“Ajo ishte e bardhë dhe unë isha e zezë, por ajo faza e vështirë e adoleshencës, të gjesh veten, të përballesh me presionin dhe thashethemet, ishte shumë reale për mua”, ka thënë ajo.
Ajo rrëfen se këndonte çdo ditë në kishën e Stamfordit, ndërsa ndiqte shkollën në një zonë elitare ku ishte ndër të paktat vajza me ngjyrë.
“Kjo është ajo që quajmë ‘codeswitching’. Ndihesha sikur po jetoja dy botë. Si në serial, ‘sikur të tjerët ta dinin’”, ka thënë ajo.
Edhe simboli më i famshëm i serialit, paruka bionde e Hannah Montanas, mori kuptime të ndryshme për shumë fansa. Për disa vajza me ngjyrë, ajo pasqyronte presionin për t’u përshtatur me standarde të caktuara bukurie.
“Nganjëherë, për t’u përshtatur në disa ambiente, ‘vendos një paruke’. Edhe pse sot nuk është një mesazh që më pëlqen plotësisht, atëherë ishte shumë i afërt me realitetin tim”, ka thënë ajo.
Edhe krijuesit e serialit janë të vetëdijshëm për ndikimin që kanë pasur.
“Të duash që të tjerët, dhe vetja, të të pranojnë ashtu siç je, ka qenë gjithmonë në zemër të këtij serial”, ka thënë bashkëkrijuesi i serialit Michael Poryes.
Për shumë të rinj LGBTQ+, historia kishte një domethënie edhe më të thellë.
Kendall Knight, i rritur në një zonë konservatore në SHBA, fshehu orientimin e tij seksual gjatë fëmijërisë.
Ai kujton se si luante rolin e Hannah Montanas në dhomën e tij.
“Kur idhulli yt është Hannah Montana, nuk është çudi që përfundon me paruke”, ka thënë ai.
Sot ai është performues drag dhe e sheh këtë si një formë çlirimi.
“Është si një mantel superheroi. Nuk është një personazh tjetër, është versioni më i plotë i vetes sime”, ka thënë ai.
Vetë Miley Cyrus e ka quajtur Hannah Montanan “drag queen-in më të famshëm për fëmijë”, duke theksuar se personazhi shërbente si një “mburojë”, por edhe si mënyrë për të shprehur veten.
Ndikimi i serialit vazhdon edhe sot.
Fansa nga e gjithë bota, si Lorian De Sousa nga Franca, tregojnë se si ranë në dashuri jo vetëm me personazhin, por edhe me artisten pas tij.
“Para se të jem fans i Hannah Montanas, jam fans i Miley Cyrusit”, ka thënë ai.
Seriali u kthye në fenomen global: fëmijët visheshin si Hannah për Halloween, produktet me imazhin e saj shiteshin kudo, ndërsa yje si Dolly Parton, Larry David dhe Brooke Shields bënin paraqitje speciale.
Sot, shumë artistë të rinj si Olivia Rodrigo apo Sabrina Carpenter e konsiderojnë atë një frymëzim.
“‘Hannah Montana’ do të jetë gjithmonë pjesë e asaj që jam. Ajo që nisi si një serial televiziv u kthye në një përvojë të përbashkët që formësoi jetën time dhe të shumë fansave. Jam shumë krenare që vazhdon të ketë kaq shumë rëndësi edhe sot”, ka thënë Cyrus në një deklaratë për 20-vjetorin e serialit.