Showbiz

Serena Williams: Jam personi më pak serioz që njoh

Serena Williams, fotografuar nga Emmanuel Sanchez Monsalve per NET A PORTER

Serena Williams, fotografuar nga Emmanuel Sanchez Monsalve per NET A PORTER

Legjenda amerikane e tenisit, Serena Williams, ka treguar se si përballet me momentet “të pakëndshme” në jetën e saj dhe si është ndier më e lirë të tregojë personalitetin e vërtetë që prej largimit nga tenisi profesionist.

“Jam personi më pak serioz që njoh. Jam ajo që gjithmonë bën shaka. Me gjithë gjërat me të cilat kam pasur të bëj, nëse ndihem në siklet, them diçka qesharake”, ka thënë për NET-A-PORTER ish-kampionia 44-vjece, e cila u tërhoq nga sporti në vitin 2022, ka raportuar Sky Sport.

Ajo ka sqaruar se gjatë karrierës në tenis duhej të mbante një lloj “mburoje”.

“Në tenis nuk mund të jesh plotësisht vetvetja, edhe pse tingëllon çuditshëm. Duhet të mbash një perde para vetes, nuk mund të jesh shumë e hapur. Në një farë mënyre, më duhej të më shihnin si dikush që gjithmonë do ta mposhte kundërshtaren përballë meje”, ka thënë ajo.

Williams ka thënë se i pëlqen që publiku po e sheh tani në një dritë më të ngrohtë e më të natyrshme.
“Është bukur që të gjithë të shohin kush jemi vërtet, kur nuk jemi duke ndjekur topa tenisi e duke fituar kampionate”, ka thënë ajo.

Ylli ka njoftuar pensionimin e saj në vitin 2022, por ka pranuar se për vite të tëra nuk mund të fliste hapur për idenë e largimit.

“Kam hezituar t’ia pranoj vetes apo kujtdo tjetër se duhet të largohem nga tenisi. Alexis, bashkëshorti im, dhe unë mezi e kemi përmendur, është si temë e ndaluar. Nuk mund ta diskutoj as me nënën dhe babanë tim. Nuk është e vërtetë derisa ta thuash me zë”, pati thënë ajo në një intervistë për Vogue.
Ajo ka shtuar se kjo temë i shkaktonte emocione të forta.

“Kur vjen fjala për këtë, më ngrihet një gungë në fyt dhe filloj të qaj. Personi i vetëm me të cilin kam folur sinqerisht është psikologu im. Një gjë që nuk do ta bëj është të ëmbëlsoj situatën”, ka thënë Wlliams.

Ndryshe nga disa prej rivaleve të saj, ylli pranon se kurrë nuk ka pasur dëshirë të largohej nga sporti.
“E di që shumë njerëz entuziazmohen për pensionimin, dhe do të doja të ndihesha ashtu. Ashleigh Barty ishte numri një në botë kur u largua në mars dhe besoj sinqerisht se ajo ishte e gatshme. Caroline Wozniacki, një nga shoqet e mia më të mira, ndjeu lehtësim kur u tërhoq në vitin 2020”, ka thënë ajo.