Aktori Sean Penn ka zbuluar se gjatë xhirimeve të filmit të ri, ai dhe kolegu i tij, Leonardo DiCaprio ndanë të njëjtën rimorkio, pasi regjisori Paul Thomas Anderson sipas tij, nuk toleron sjellje “divash” në set dhe kërkon që të gjithë të trajtohen njësoj.
Aktori 65-vjeçar i intervistuar nga kolegia e tij, Julia Roberts, ka thënë për revistën Variety se Anderson krijon një atmosferë pune shumë të thjeshtë dhe të përqendruar vetëm te filmi.

“Ai nuk ka asgjë teatrale në mënyrën si e drejton filmin. Nuk ka nevojë t’u tregojë të gjithëve kush është regjisori apo shefi. Në fakt, ai nuk e dëshiron këtë qasje nga askush”, ka thënë Penn.
Ai ka shtuar se në set nuk kishte luks të tepruar.
“Nuk ka rimorkio të mëdha. Leo dhe unë ndamë një rimorkio bashkë. Nuk kishte as njerëz që të pyesnin: ‘A të ka marrë dikush një kafe’? Secili merrej vetë me veten. Gjithçka ishte e përqendruar te filmi”, ka thënë ai.
Penn ka treguar gjithashtu se vendimin për të pranuar rolin e mori edhe për shkak të dëshirës për të punuar me DiCaprion.

“Kur Paul ma dërgoi skenarin, Leo ishte tashmë pjesë e filmit. Unë kam dashur prej kohësh të punoj me të. E njoh që kur ishte 15 vjeç dhe pothuajse kemi realizuar disa filma bashkë ndër vite”, ka thënë ai.
Sipas aktorit, skenari e bindi menjëherë.
“Mendoj se isha te faqja 15 dhe e telefonova Paul-in dhe i thashë: ‘Ku do që të shkojë kjo histori, unë jam pjesë e saj’. Isha shumë i prekur”, ka shtuar Penn.
Ai ka theksuar se përjetimi i filmit për të ishte i qartë që në leximin e parë të skenarit.

“Gjithçka ishte aty. Nuk e pata aspak të vështirë këtë rol. E kuptoja shumë qartë dhe përjetova një kënaqësi të jashtëzakonshme duke lexuar skenarin. Nuk doja t’i bëhesha pengesë publikut”, shpjegoi ai.
Penn ka shtuar se kishte besim të plotë në ekipin krijues.
“Asnjëherë nuk e vura në dyshim se ku ishte kamera. E dija që isha në duar të sigurta gjatë gjithë kohës”, ka thënë ai.
Në film, Penn luan rolin e kolonelit Steven J. Lockjaw, një oficer ushtarak që kërkon hakmarrje ndaj një grupi disidentësh.
DiCaprio, nga ana tjetër, ka shprehur publikisht admirimin për interpretimin e mikut të tij.

Gjatë një ngjarjeje në Londër, DiCaprio ka thënë se Penn ka në rolin e tij ka sjellë elemente që shumë aktorë të tjerë nuk do t’i kishin zgjedhur.
“Ne diskutuam shumë se kush ishte Lockjaw. Kur Paul vendosi për Seanin, ajo që ishte e jashtëzakonshme ta shihje në film ishte brishtësia që ai ia dha një personazhi që përndryshe do të ishte thjesht kërcënues në interpretimin e dikujt tjetër”, ka thënë ai.