Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Sandra Bullock pauzoi katër vjet nga filmat për t’u shëruar emocionalisht pas vdekjes së partnerit

Sandra Bullock

Sandra Bullock

Foto: Associated Press

Aktorja Sandra Bullock, ka bërë pauzë katërvjeçare nga karriera për t’u shëruar emocionalisht pas vdekjes së partnerit të saj afatgjatë, Bryan Randall.

Fotografi ka vdekur në muajin gusht të vitit 2023, në moshën 57-vjeçare, pas një beteje trevjeçare me skleroza laterale amiotrofike (ALS), sëmundje e rëndë që shkakton dobësim progresiv të muskujve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas burimeve për revistën People, aktorja iu përkushtua plotësisht vetes dhe familjes gjatë kësaj periudhe.

“Pas gjithçkaje që ka kaluar me Bryan, ajo kishte nevojë për kohë për t’u kujdesur për veten. Ajo kaloi shumë kohë duke u shëruar, duke qenë me fëmijët dhe duke qëndruar në shtëpi. Duhej të sigurohej që ajo dhe fëmijët e saj ishin në gjendjen më të mirë të mundshme para se të kthehej në punë”, ka thënë një burim.

Bullock është nënë e dy fëmijëve të adoptuar, Louis (16 vjeç) dhe Laila (11 vjeçe), të cilët i adoptoi përkatësisht në vitet 2010 dhe 2015.

Aktorja u rikthye në vëmendjen publike këtë javë në CinemaCon në Las Vegas, duke shënuar një nga paraqitjet e saj të para pas një kohe të gjatë.

Sandra Bullock dhe Nicole Kidman në CinemaCon në Las Vegas

Në një intervistë të mëhershme në emisionin Good Morning America, ylli pati shpjeguar arsyet e tërheqjes nga karriera.

“Tani për tani nuk dua të krijoj asgjë që më largon nga të qenit e pranishme. Nuk dua të bëj shumë gjëra njëkohësisht që nuk i shërbejnë asaj që dua më shumë, familjes sime”, ka thënë ajo.

Bullock ka shtuar se puna në industrinë e filmit kërkon orë të gjata.

“Për shkak të punës, duhet të largohem për orë të gjata gjatë ditës. I marr me vete kudo, por dita zgjat 15 orë dhe kur kthehesh në shtëpi, vazhdon me telefonata. Fëmijët të mungojnë. Kur e shoh jetën time para fëmijëve, nuk dua të them se ishte humbje kohe, por dukej sikur po vrapoja drejt një destinacioni që nuk ekzistonte. Tani jam këtu dhe nuk dua të jem askund tjetër”, ka thënë ajo.

Artistja kishte folur më herët edhe për lidhjen e saj me Randall, duke e quajtur atë “dashuria e jetës sime”.

“Ne kemi dy fëmijë të mrekullueshëm, tre në fakt, përfshirë vajzën e tij të madhe. Është gjëja më e bukur. Nuk më duhet një dokument për të qenë një partnere e përkushtuar… Ai është shembulli që do të doja për fëmijët e mi”, pati thënë Bullock në një intervistë në Red Table Talk me Jada Pinkett Smith.

Randall kishte edhe një vajzë të rritur, ndërsa Bullock më parë ka qenë e martuar me Jesse James nga viti 2005 deri në 2010.