Komediani dhe aktori britanik Russell Brand është liruar me kusht pasi u paraqit në një gjykatë në Londër, seanca e së cilës u zhvillua përmes video-lidhjes nga Shtetet e Bashkuara.
Brand, 50-vjeçar, ishte akuzuar fillimisht për dy raste përdhunimi, një rast sulmi i pahijshëm dhe dy raste sulmi seksual, që lidhen me katër gra të ndryshme dhe me ngjarje të dyshuara mes viteve 1999 dhe 2005. Në maj, ai ishte deklaruar i pafajshëm për këto akuza.
Muajin e kaluar, ndaj tij u ngritën edhe dy akuza të reja: një për përdhunim dhe një për sulm seksual, që sipas prokurorisë kanë ndodhur në vitin 2009 dhe lidhen me dy viktima të tjera të pretenduara.
Ai u paraqit të martën më 20.01.2026 në gjykatën e Westminsterit përmes video-lidhjes nga SHBA-ja dhe foli vetëm për të konfirmuar emrin dhe datën e lindjes.
Sipas Variety, Brand është liruar me kusht dhe pritet të paraqitet në gjykatën e Southwark më 17 shkurt.
Akuzat për abuzim seksual ndaj aktorit të filmit “Get Him to the Greek” u raportuan për herë të parë në vitin 2023, si pjesë e një hetimi të përbashkët nga emisioni “Dispatches” i Channel 4 dhe gazeta The Sunday Times.
Dëshmitë e disa grave që kishin pasur kontakte me Brand mes viteve 1999 dhe 2005 përfshinin akuza serioze ndaj komedianit dhe prezantuesit televiziv.
Hetimin po e udhëheq Policia Metropolitane e Londrës.
“Gratë që kanë bërë denoncime, përfshirë edhe ato që lidhen me dy akuzat e reja, vazhdojnë të marrin mbështetje nga oficerë të trajnuar posaçërisht. Hetimi i Policisë Metropolitane vazhdon dhe detektivët u bëjnë thirrje të gjithë atyre që janë prekur nga ky rast, apo që kanë informacione, të paraqiten dhe të flasin me policinë”, ka deklaruar drejtori i Hetimeve Kriminale, Tariq Farooqi
Farooqi ka theksuar gjithashtu se mbështetje ofrohet edhe nga organizata e pavarur bamirëse Rape Crisis, përmes linjës 24-orëshe për ndihmë ndaj viktimave të dhunës seksuale.
Brand, i cili ka tre fëmijë me bashkëshorten e tij Laura Gallacher, i ka mohuar akuzat kur u padit për herë të parë nga Policia Metropolitane në muajin prill.
“Gjithmonë ju kam thënë se kur isha i ri dhe beqar, para se të kisha gruan dhe familjen time… isha budalla. “Isha budalla para se të jetoja në dritën e Zotit. Isha i varur nga droga, i varur nga seksi dhe një imbecil. Por ajo që kurrë nuk kam qenë, është përdhunues. Nuk kam kryer kurrë veprime pa pëlqim. Lutem që ta shihni këtë duke më parë në sy. Tani, sigurisht, do të kem mundësinë t’i mbroj këto akuza në gjykatë. Dhe për këtë jam jashtëzakonisht mirënjohës”, ka thënë ai në një deklaratë të publikuar me video në rrjetet sociale.