Festivali prestigjioz i filmit në Cannes nisi edicionin e tij të 78-të të martën, ku pjesëmarrës ishin plot yje dhe kishte shumë emocione. Robert De Niro, Leonardo DiCaprio dhe Quentin Tarantino ishin ndër të ftuarit specialë që ndriçuan tapetin e kuq.
Në një moment kulmor, Leonardo DiCaprio ia dorëzoi mikut dhe bashkëpunëtorit të tij të vjetër, Robert De Niro, "Palmën e Artë” të nderit, duke e vlerësuar për “luftën e tij për demokracinë”.
“Faleminderit, vogëlush,” u përgjigj De Niro me humor, ndërsa mori trofeun.
Por aktori legjendar, De Niro, pati deklaratë të fortë kundër presidentit amerikan Donald Trump.
“Arti është e vërteta. Arti përqafon diversitetin. Dhe pikërisht për këtë arsye, arti është kërcënim për autokratët dhe fashistët e botës. Presidenti filistin i Amerikës është emëruar vetë në krye të një institucioni kulturor të rëndësishëm amerikan. Ai i ka ndërprerë financimet për artin, humanitetin dhe arsimin. Tani, ai ka propozuar një tarifë 100% për filmat që prodhohen jashtë Shteteve të Bashkuara.
Nuk mund t’i vësh çmim lidhjes njerëzore”, ka thënë De Niro. Fjala filistin përdoret për të përshkruar një njeri që ka horizont të ngushtë kulturor e botë shpirtërore të vogël, por që kujton se di shumë dhe sillet në mënyrë hipokrite.

Ceremonia e hapjes, e mbajtur përpara premierës së filmit francez “Leave One Day” nga Amélie Bonnin, u hap zyrtarisht nga Tarantino me një paraqitje energjike. Ai shpalli festivalin të hapur dhe më pas “hodhi mikrofonin” duke e lënë skenën.
Një nga momentet më të ndieshme ishte homazhi për Ukrainën përmes tre filmave të shfaqur. Po ashtu, u prezantua juria kryesore e festivalit, e drejtuar nga aktorja franceze Juliette Binoche.
“Sinqerisht, nuk di çfarë të them. E shohim që po lufton në shumë mënyra për të shpëtuar Amerikën… dhe për të shpëtuar veten”, ka thënë ajo për propozimet e Trumpit.
Ndërkohë, Jeremy Strong – i njohur për rolin e tij në filmin “The Apprentice” , ka theksuar rëndësinë e artit në kohë krizash politike.
“E vërteta është nën sulm. Roli i filmit është jetik sepse mund të përballojë këto forca, duke afirmuar dhe festuar njerëzimin tonë të përbashkët”, ka thwnw ai.
Çfarë pritet në ditët në vijim?
Gjatë 12 ditëve të festivalit, në Cannes do të shfaqen disa nga premierat më të mëdha të vitit, përfshirë:
“Mission: Impossible – The Final Reckoning” me rikthimin e aktorit Tom Cruise,
“Highest 2 Lowest” nga regjisori Spike Lee,
“Eddington” nga Ari Aster.
Në garë për çmimin më të madh të festivalit, janë 22 filma, përfshirë:
“The Phoenician Scheme” nga Wes Anderson,
“Nouvelle Vague” nga Richard Linklater,
“Die, My Love” nga Lynne Ramsay,
“Alpha” nga Julia Ducournau,
“A Simple Accident” nga Jafar Panahi.