Këngëtari, Robbie Williams ka shtyrë publikimin e albumit të tij më të ri “Britpop” për katër muaj, duke e zhvendosur për në muajin shkurt të vitit 2026, në mënyrë që të mos përballet drejtpërdrejt me këngëtaren Taylor Swift dhe albumin e saj shumë të pritur “The Life of a Showgirl”.
Fillimisht, këngëtari i hitit “Angels” kishte planifikuar që ky të ishte albumi i tij i 13-të solo, me datë publikimi më 10 tetor, vetëm një javë pas Swift, por tani ka njoftuar se albumi do të dalë më 6 shkurt 2026, ka raportuar FemaleFirts.
Fansat që e kishin porositur paraprakisht albumin kanë marrë një email me arsyetim.
“Për shkak të ndryshimeve në orar, ‘Britpop’ tani do të publikohet më 6 shkurt 2026”, thuhet në email.
Nëse albumi arrin vendin e parë, Williams do të tejkalojë edhe grupin e mirënjohur muzikor “The Beatles” si artisti me më së shumti albume kryesuese në toplista.
Por konkurrenca e drejtpërdrejtë me Swiftin, të cilën burime të “The Sun” e cilësojnë si “artistja më e madhe në botë aktualisht”, mund të rrezikonte këto ambicie.
“Robbie do të shkruhet në historinë e muzikës nëse siguron edhe një tjetër vend të parë, ndaj nuk po merr asnjë rrezik. Shitjet e javës së parë të Taylorit janë të pakrahasueshme. Edhe në javën e dytë ato mbeten të larta, prandaj ekipi i Robbiet vendosi ta zhvendosë datën”, ka thënë një burim për The Sun.
Vetë këngëtari, 51 vjeç, muajin e kaluar pranoi se do të dëshironte të hapte koncertet për Oasis, edhe pse dikur ishte në konflikt me Noel dhe Liam Gallagher.
“Unë do të hapja për Oasis. Ata janë kudo tani dhe në kulmin e tyre. Nuk mund të garoj me ta”, ka thënë ai për ITV News.
Albumi i ri është një homazh për epokën e “Britpopit”, të cilin Williams e quan “epokë të artë të muzikës britanike”.
“Ky është albumi që doja të publikoja pas largimit nga ‘Take That’ në vitin 1995. Ka më shumë kitarë, është më i gjallë se zakonisht. Jam shumë krenar për të dhe mezi pres që fansat ta dëgjojnë në turneun tim ‘Britpop Tour’, që do ta hapë në Britani, natyrisht”, ka thënë ai.