Showbiz

Rita Ora tregon sekretin e martesës së lumtur

Rita Ora dhe Taika Waititi

Rita Ora dhe Taika Waititi

Foto: Associated Press

Shqiptarja me famë botërore, Rita Ora, ka thënë se mbështetja e ndërsjellë është çelësi i një martese të lumtur.

34 vjeçja, ka treguar se mbajtja e një martese të lumtur me regjisorin Taika Waititi, 49 vjeç, bazohet mbi respektin, hapësirën personale dhe mbështetjen e  ëndrrave të njëri-tjetrit.

“Mendoj se gjithçka ka të bëjë me respektin dhe mbështetjen e ndërsjellë në karrierat tona të ndara, projektet dhe hapësirën personale. Të jesh aty për njëri-tjetrin si sistem mbështetjeje, kjo është thelbësore”, ka thënë ajo për People.

Ora dhe Waititi u martuan në vitin 2022, por lidhja e tyre nisi fillimisht si miqësi e ngushtë, diçka që këngëtarja mendon se ka ndihmuar shumë në stabilitetin e marrëdhënies.

“Të jesh fillimisht shok i ngushtë me dikë është vërtet fantastike”, ka thënë këngëtarja e hitit “Hot Right Now”, e cila më parë ka qenë në lidhje me yllin Calvin Harris dhe Andrew Watt.

Gjatë një interviste në podcastin “Begin Again” të Davina McCall, Ora ka zbuluar se ka raport shumë të ngrohtë me fëmijët që bashkëshorti i saj ka nga martesa e mëparshme me producenten, Chelsea Winstanley.

“Është kaq argëtuese. Kaloj më së miri me ta. Jam si kumbara e tyre, u jap gjithë sheqerin dhe akulloret!”, ka treguar ajo me humor.

Ora ka thënë se një nga kënaqësitë e të qenit njerkë është se mund të bëjë “gjëra të çmendura” me fëmijët, pa pasur barrën e rregullave të përditshme.

Këngëtarja së fundmi ka publikuar këngën e re “Heat”, një bashkëpunim me artistin australian, Troye Sivan, dhe thotë se ky projekt muzikor përfaqëson një etapë të re në jetën e saj artistike dhe personale.

“Gjithë tema e këtij albumi është çiltërsia. Kam dashur të heq çdo mbulesë, të jem e sinqertë dhe e çiltër në tekst e në prodhim”, ka thënë ajo.

Ylli ka theksuar se është frymëzuar nga Troye dhe mënyra se si ai shpreh seksualitetin e tij pa komplekse.

“E dua mënyrën si ai feston seksualitetin e tij. Më frymëzoi që edhe unë, përmes feminitetit tim, ta përqafoj dhe festoj seksualitetin dhe sensualitetin tim, të rikthehem në trupin tim, në ndjesinë time si grua”, ka thënë ndër të tjera Ora.