Festivali më famëkeq i historisë, “Fyre Festival”, nuk do të rikthehet më në një plazh të Bahameve, por në dritare të skenës teatrale, ka raportuar EDM.
Pas dokumentarëve që palformat transmetuese Netflix dhe Hulu ia kushtuan dështimit spektakolar të këtij festivali të vitit 2017, tani historia e tij do të marrë formë edhe më të çuditshme, do të bëhet komedi mjuzikëll.

Regjisori fitues i çmimit “Oscar”, Taika Waititi, do të jetë producent i shfaqjes “Fyre Fest The Musical”, ku do t’i bashkohet shqiptares me famë botërore, gruas së tij, Rita Ora, dhe producentit të njohur të Broadwayit, Matthew Weaver.
Skenarin dhe regjinë do t’i marrë përsipër Bryan Buckley, i njohur për mbi 70 reklama të spektaklit “Super Bowl”, ndërsa muzikën do ta kompozojë Paul Epworth, producenti që fshihet pas hitit “Skyfall” të këngëtares së mirënjohur, Adele, dhe albumit “Ceremonials” të grupit muzikor “Florence and the Machine”.
“Kurrë nuk e kam parë veten duke bërë një komedi mjuzikëll në teatër. Por, nga ana tjetër, kurrë nuk kam parë diçka aq qesharake dhe njëkohësisht intriguese sa ajo që ndodhi me Fyre Festival. Një përpjekje spektakolare e dështuar, që do ta ndjekë një brez përgjithmonë. Mezi po pres ta sjell këtë shfaqje për publikun. Dhe po, këtë herë do të ketë vërtet muzikë, ose ju kthejmë paratë mbrapsht”, ka thënë Buckley, i cili do të drejtojë dhe shkruajë komedinë muzikore
Edhe pse nuk ka ende afat për nisjen e shfaqjes, ekipi ka paralajmëruar befasi të mëdha. Projekti u bë publik me një akrobaci reklamuese e instalacione arti nëpër qytet.
Ndërkohë, Billy McFarland, themeluesi i festivalit, këtë verë u shkëput përfundimisht nga marka “Fyre”, pasi tentoi dhe dështoi ta ringjallte.
Ai shiti të drejtat, markën tregtare dhe llogaritë e rrjeteve sociale nëpërmjet platformës eBay, për një ofertë 245,300 dollarëshe.
“Ankandi u bë listimi më i ndjekur jo-bamirës në eBay gjatë kohës që ishte aktiv duke dëshmuar edhe njëherë se vëmendja është monedhë, dhe klikimet janë rrënja e saj”, ka shkruar McFarland.