Këngëtarja e mirënjohur, Rihanna, ka folur hapur për mënyrën se si trupi i saj ka ndryshuar pas shtatzënive dhe ka pranuar se pas lindjes së fëmijëve i ka mbetur “pak barku i fryrë”.
Këngëtarja 37-vjeçare, e cila ka tre fëmijë me reperin A$AP Rocky, djemtë RZA, tre vjeç, Riot, dy vjeç, dhe vajzën tre muajshe Rocki, ka thënë se stili i saj është përshtatur pas ndikimit që shtatzënitë kanë pasur në trupin e saj, ka raportuar Billboard.
Në një intervistë për brendin e njohur të veshjeve “Dior”, gjatë Javës së Modës Haute Couture në Paris, të shpërndarë në TikTok, Rihanna ka thënë se ishte e pamundur të zgjidhte vetëm një veshje të preferuar nga sfilata e brendit.
@dior Rihanna’s Couture shopping list #DiorCouture
♬ son original - Dior - Dior
“E pamundur të zgjedh një të preferuar. I doja palltot, i doja fustanet, i doja fundet me një fryrje të vogël. Sepse pas fëmijëve më ka mbetur pak barku i fryrë, dhe kjo më pëlqen”, ka thënë ajo, duke treguar barkun.
Ajo ka lavdëruar të gjitha veshjet dhe aksesorët e koleksionit, duke i përshkruar si të realizuara në mënyrë perfekte.
“I adhurova aksesorët, çantat, këpucët, vathët. Gjithçka ishte punuar jashtëzakonisht mirë, shumë kreative. Çdo gjë më bëri të ndihem e emocionuar. Ishte një shfaqje shumë frymëzuese”, ka thënë ajo.
Rihanna ka pranuar gjithashtu se po e shijon jetën si nënë e tre fëmijëve.
“Fëmijët janë të mrekullueshëm. Po rriten çdo ditë dhe nuk po e përballoj dot sa shpejt po ndryshojnë. Djemtë e mi, oh, Zot!, po u ndryshojnë fytyrat, po u zgjaten qafat. Më pëlqen jashtëzakonisht shumë”, ka thënë ajo për Extra.
Edhe A$AP Rocky ka folur për familjen e tyre, duke thënë se fëmijët janë “më të ëmbël se kurrë” dhe se djemtë po shkojnë shumë mirë mes vete.
“Jam i habitur sa mirë po shkojnë bashkë dy më të mëdhenjtë. Zakonisht, kur janë kaq afër në moshë, fëmijët zihen shpesh, por ne jemi një familje e lumtur”, ka thënë ai.