Showbiz

Ricky Gervais kritikon fjalimet “tepër politike” në “Grammy”

Ricky Gervais

Komediani britanik, Ricky Gervais, ka kritikuar fituesit e çmimeve “Grammy” për përdorimin e kohës së fjalimeve falënderuese për të përçuar mesazhe politike. 

64-vjeçi reagoi në rrjetet sociale duke publikuar një fragment nga monologu i tij në ceremoninë “Golden Globes” në vitin 2020, ka raportuar FemaleFirst.

Në atë fjalim, Gervais u kishte bërë thirrje aktorëve që të mos shfrytëzonin suksesin e tyre për mesazhe politike.

“Nëse fitoni një çmim sonte, mos e përdorni kohën e fjalimit si platformë politike, për të mbajtur fjalime politike. Ju nuk jeni në pozitë t’i ligjëroni publikut për asgjë. Ju nuk dini asgjë për botën reale. Shumica prej jush keni kaluar më pak kohë në shkollë sesa Greta Thunberg”, pati thënë ai.

Postimin e tij të fundit, Gervais e shoqëroi me një emoji duke qeshur me lot dhe mbishkrimin: “Ende nuk po dëgjojnë”.

Ai ka reaguar pasi disa artistë, gjatë ceremonisë “Grammy” të dielën kritikuan Agjencinë Amerikane të Imigracionit dhe Doganave (ICE), pas protestave kundër mënyrës së dhunshme të veprimit të saj, që sipas raportimeve kanë rezultuar edhe me humbje jete.

Reperi portorikan Bad Bunny, i cili fitoi çmimin “Albumi i Vitit” në kategorinë latine për “Debi Tirar Mas Fotos”, deklaroi nga skena: “ICE jashtë. Ne nuk jemi të egër. Nuk jemi kafshë. Nuk jemi alienë. Ne jemi njerëz dhe jemi amerikanë”.

Edhe këngëtarja Billie Eilish u shpreh ashpër kundër ICE teksa pranoi çmimin për Këngën e Vitit.

“Asnjë njeri nuk është i paligjshëm në tokë të vjedhur. F*** ICE”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, këngëtarja britanike Olivia Dean shprehu mbështetjen për emigrantët pasi fitoi çmimin “Artistja më e re më e mirë”.

“Jam këtu si mbesa e një emigranti. Jam produkt i guximit dhe mendoj se këta njerëz meritojnë të respekt dhe mirënjohje”, u shpreh ajo.

Disa yje të tjerë, përfshirë Justin Bieber dhe Joni Mitchell, u shfaqën në ceremoninë në Los Angeles me simbole ‘ICE out’ të vendosura në veshje.

Ricky Gervais ka qenë i njohur për ironizimin e figurave të famshme gjatë pesë herëve që ka prezantuar “Golden Globes”, nga viti 2010 deri më 2020, diçka që ai e përshkruan si përvojën më stresuese të jetës së tij profesionale.

“Është gjëja më stresuese që kam bërë ndonjëherë. Është e vetmja herë kur ndiej adrenalinë dhe nervozizëm, sepse kam vetëm një shans. Është si të gjuash penallti, duhet ta shënosh. E vetmja gjë që më intereson është ta bëj shakanë siç duhet. Nuk më intereson çfarë mendojnë. Nuk më intereson nëse më urrejnë. Nuk më intereson nëse duhet të fshihem. Thjesht duhet ta them shakanë siç duhet. Nëse do ta prishja… o Zot, kurrë nuk do ta kapërceja”, ka thënë ai.