Showbiz

Remini flet për miqësinë me Jennifer Lopez pas përçarjes që shkaktoi Affleck

Jennifer Lopez and Leah Remini

Jennifer Lopez and Leah Remini

Foto: Associated Press

Aktorja Leah Remini ka treguar se si qëndron tani raporti me mikeshën e saj të vjetër, yllin, Jennifer Lopez, pas një periudhe të ftohjes së raporteve, që, sipas mediave, ishte shkaktuar nga martesa e këngëtares me aktorin, Ben Affleck.

Në një intervistë për Us Weekly, ylli i serialit “The King of Queens” ka rrëfyer se ajo dhe Lopez rifilluan komunikimin në muajin gusht 2024, kur të dyja kishin vendosur t’i jepnin fund martesave të tyre.

“I shkruanim njëra-tjetrës mesazhe dashamirëse dhe mbështetëse”, ka thënë Remini, duke shtuar se pavarësisht distancës që kishte lindur mes tyre, nuk kishte pasur kurrë armiqësi, ka raportuar Page Six.

 Ajo ka thënë se dashuria zhduket kur nuk flet me dikë siç bëje dikur.

“Nuk do të thotë që nëse nuk flet me dikë çdo ditë si dikur, dashuria zhduket. Miqësitë kanë ulje dhe ngritje. Kjo nuk do të thotë që jemi në konflikt”, ka thënë ajo.

Remini, 54 vjeç, bëri kërkesën për divorc nga bashkëshorti Angelo Pagán më 29 gusht 2024, pas 21 vjetësh martesë. Ajo dhe Pagán kanë një vajzë 20-vjeçare, Sofia Bella. Në dokumentet ligjore, Remini përmendi “mospërputhje të pakapërcyeshme” si arsye për ndarjen.

Ndërkohë, Lopez i ka dhënë fund martesës me Affleck më 20 gusht 2024, pikërisht në përvjetorin e dasmës së tyre, ani pse çifti ishte ndarë që nga prilli i po atij viti. Ata kishin qenë të martuar për dy vjet.

Spekulimet për përçarje mes Reminit dhe Lopezit nisën në vitin 2022, kur Remini mungoi në dasmën madhështore të Lopezit me Affleckun. Fillimisht, TMZ pati raportuar se ajo ishte e zënë me përgatitjet e vajzës së saj për kolegj.

Por Page Six më vonë ka zbuluar se arsyeja e vërtetë ishte mospajtimi i Reminit me vendimin e Lopezit për t’u martuar me Affleckun.

Një burim për Page Six ka thënë se Remini kishte paralajmëruar Lopezin të mos harronte pse kishte anuluar fejesën me Affleck në vitin 2004. Sipas burimit, Remini e kishte përshkruar aktorin si “egoist” dhe “jo plotësisht të përkushtuar si partner”.

“J.Lo u zemërua aq shumë, sa e ndërpreu çdo kontakt me të”, ka thënë burimi.

Por në muajin maj të vitit 2024 u bë e ditur se dy mikeshat kishin vendosur të pajtoheshin dhe ta linin pas të kaluarën.

Tani, sipas vetë Reminit, raporti mes tyre është më i qëndrueshëm.

“Dashuria nuk është zhdukur kurrë, ajo ishte aty, edhe kur nuk flisnim”, ka thënë ajo.